Rrëfimi për luftën, Donika Shahini-Lami tregon për ngrohtësinë që gjente te familjarët e të masakruarve

Në mesin e tmerrit që shihnin, në mesin e personave të përgjakur, të masakruar, në mesin e vrasjeve çnjerëzore, forcën e gjenin në ngrohtësinë e familjarëve të të vrarëve.

Donika Shahini-Lami ka rrëfyer për ato që pa në terren gjatë viteve 1998-1999 në zonat e luftës.

Në emisionin “Kallxo Përnime” ajo ka ndarë rrëfimin e saj për ngjarjet e përjetuara gjatë luftës.

Ajo, përpos kujtimit që ka për masakrat që pa, në mend mban edhe fjalët që merrte nga familjarët që vizitonte, të cilët kishin humbur më të dashurit e tyre.

Në një nga ditët e vitit 1998, Donika Shahini-Lami, e cila punonte si koordinatore e televizionit publik japonez në Kosovë, së bashku me ekipin e këtij televizioni nisen për në Lllaushë të Skenderajt, ku takohet me një burrë që lufta ia kishte marrë katër djem.

Gjatë tërë rrugës, që nga Prishtina e deri në Llaushë, ajo në mendje ka vetëm një gjë – si t’i drejtohem burrit që humbi katër familjarë.

“Bacën Mehmet e takojmë edhe unë tanë rrugën e kisha një problem se nuk e dija qysh me ju drejtu, a me i thanë ngushllime apo çka me vepru se e kisha një dhimbje të papërshkrueshme përbrenda”  – kujton Shahini.

Nga burri priten mirë. Donika Shahini-Lami kujton se si ai e kishte pyetur nëse ka vëlla. Kur kjo i kishte thënë se ka një vëlla, burri të cilit forcat serbe ia kishin vrarë 4 djem, i thotë: “Po vëllai yt është djali jem”.

“Ky më sheh me gazetarë edhe më thotë ‘Hajde bijë, çfarë e mire ju ka qitë knej?’. I them: ‘Bacë, ne kemi ardhë me bisedu me ty edhe më të ngushëllu’. Më thotë: ‘Ani de, Zoti ju pastë pa, po mos u emociononi se me u çu krejt serbët në këmbë nuk munden me na ndalë në tana rrugët që i ka Kosova’” – rrëfen Donika Shahini-Lami bisedën që kishte me burrin që humbi 4 djem.

“Më thotë: ‘A ke vëlla ti?’. I them: ‘Po, i ka 13 vjet’. Më kthehet: ‘Po vëllai yt është djali jem. Edhe ti që ke ardhë këtu. Vazhdone bacë rrugën se nuk kena mundësi me u ndalë’” – vazhdon tutje Donika Shahini-Lami.

Madje, ajo tregon se burri, i shtyrë në moshë, i kishte thënë se është i gatshëm edhe ai të luftojë.

“Besa-besa qe edhe unë hala jam i fortë” – citohet të ketë thënë ai.

Donika Shahini-Lami tregon se këtë burrë ishte takuar fillimisht në Skenderaj, kur ai kishte shkuar të kërkonte ndihmë, pasi familja e tij kishte mbetë pa bukë dhe pa ushqim.

Ajo tregon se në një gjendje të njëjtë kishin mbetur edhe shumë familje të tjera në zona të luftës, e si pasojë e kësaj nga uria kishte pasur edhe të vdekur.

“Gratë shtatzëna gjatë sulmit në Prekaz për javë të tëra kanë mbetë pa ushqim, gjatë qasaj periudhe shumë fëmijë, shumë foshnje kanë vdekë” – tregon ajo.

Ajo rrëfen se pasi kthehej në Prishtinë nga terreni, përmes Qendrës së Informimit të Kosovës ndante informatat me publikun.

Një nga rastet që ajo kujton është edhe momenti kur në rrugë ishin ndalur të bisedonin me disa fëmijë.

Ajo tregon se si fëmijët që kishin humbur shokët e tyre që ishin vrarë nga forcat serbe prapë ishin të buzëqeshur dhe prapë se prapë ende shpresonin që Kosova do e fitojë luftën dhe do ta ketë pavarësinë e saj.

“Ndaleshim edhe bisedoje aty edhe i pyesnim se si po e kalonin ditën, prej nga ishin, fëmijët ishin të buzëqeshur. Njëri prej tyre më thotë: ‘A mua ma kanë vra një shok, po na e kena fillu edhe kena me e fitu, jemi Republikë, Pavarësi’” – kujton Shahini.

Shahini-Lami, që në luftë ishte veç 19-vjeçare, tashmë është nënë e dy fëmijëve. Pas luftës punoi një kohë si profesoreshë e psikologjisë e tash psikologe klinike në Qendrën Kosovare të Shëndetit Mendor, ku një pjesë të personave që ajo trajton janë personat që pësuan trauma nga lufta.