Foto: Policia e Kosovës

“Ngjarja në Banjskë nuk i kontribuon të mirës së askujt”

Më 24 shtator 2023 në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, pas një sulmi nga një grup i armatosur ndaj policisë së Kosovës mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Pas kësaj për tre ditë rresht policia e Kosovës ka vazhduar bastisjen në këtë fshat, ku gjatë kontrollit, u arrestuan tetë të dyshuar si dhe u sekuestruan prova materiale, në mesin e tyre automjete e arsenal armësh që dyshohet që i përkasin grupit terrorist.

Përfundon aksioni i Policisë në Banjskë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka shpallur “Hero i Kosovës” policin e vrarë në Banjskë të Zveçanit, Rreshterin Afrim Bunjaku.

Në mbledhjen komemorative në nderim të policit të rënë në detyrë, Presidentja Osmani i ka ndarë çmimin “Hero i Kosovës” familjes së policit. Osmani tha se rreshteri i vrarë u sfidua nga bandat e Beogradit ndërsa ra në mbrojtje të dinjetit të Republikës së Kosovës.

Për këtë temë u diskutua edhe në emisionin “Kallxo Përnime”, me ish ministrin për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq.

Bogdanoviq tha se ka pak informata për atë që ka ndodhur në Banjskë.

Sipas tij mediat në gjuhën serbe kanë ndarë informata tejet të përcipta për gjithë ngjarjen, ndërsa mediat shqiptare, kanë arritur të zmadhojnë gjithë ngjarjen.

“Shumica e banorëve në veri të Kosovës nuk i besojnë aq mediave shqipe, sepse kanë përvojë të keqe me to. Por, ajo që është më e rëndësishmja, ajo që ka ndodhur në Banjskë është tragjedi e madhe për familjet e të rënëve, si dhe do të doja të shpreh ngushëllime për të gjithë të rënët. Është e qartë që kjo që ka ndodhur në Banjskë nuk i bën mirë askujt, e aq më pak komunitetit serb në Kosovë, e besoj që as komunitetit shqiptar, sepse besoj që askush nuk do konflikt, tensione të reja, nuk do luftë dhe gjakderdhje të reja. Si dhe pres që të mbizotërojë arsyeja edhe tek udhëheqësia shqiptare edhe tek udhëheqësia serbe, si dhe tek bashkësia ndërkombëtare, të cilët duhet ta kuptojnë seriozisht situatën në Kosovë, e jo të fusë problemet nën tepih, e që të lejojë situata të ngjashme (të krijohen)”, ka thënë Bogdanoviq.

Ish ministri në qeverinë e Serbisë, në këtë intervistë ka folur për kohën sa ishte asamblist në komunën e Leposaviqit.

Ai tha se aty ka parë se sa paratë janë derdhur në veri dhe se kush i ka kontrolluar ato duke shtuar se paratë që kanë ardhur nga buxheti i Kosovës në komunat veriore të Kosovës, janë keqpërdorur.

“Vetëm shikoni pushtetet lokale në veri të Kosovës, para të mëdha vijnë nga buxheti i Kosovës, i ka kontrolluar dikush ato para? Unë kam qenë asamblist në Kuvendin e Komunës së Leposaviqit, nga viti 2013 e deri më 2020, dhe e di se sa para kanë ardhur. Çfarë ka ndodhur me ato para? Kush i mbikqyr taksat e juaja që harxhohen në nivelin lokal?”, ka thënë Bodganoviq.

Përderisa ai ka mohuar të ketë informacione lidhur me grupin terrorist që sulmoi policinë e Kosovës ditën e 24 shtatorit në Banjskë.

Por ka shtuar se për këtë duhet të përgjigjen institucionet përkatëse, pasi sipas tij ky konflikt ka mundur të destabilizojë jo vetëm Serbinë e Kosovën, por gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Kjo pyetje është retorike, kjo pyetje parasëgjithash nuk është për mua, është pyetje për strukturat e sigurisë në Kosovë, për strukturat e sigurisë së bashkësisë ndërkombëtare, KFOR-in, ata duhet ta japin përgjigjen për atë pyetje. A është sjellë ky armatim nga Serbia, apo ka qenë në Kosovë, si dhe çfarë ka ndodhur në këtë kuptim, nuk mundemi ne si politikanë t’i dimë këto gjëra…”, ka thënë ai.

Krejt çka ndodhi dje në veri

Bogdanoviq ka folur edhe për kohën kur u vra polici Enver Zymberi në vitin 2011 në veri të vendit.

Ai ka thënë se ka qenë i pari që e ka dënuar këtë krim.

“Kam qenë ndër të parët që kam dënuar një krim të tillë! Askujt nuk mund të lejoj që në çfarëdo mënyre, kushdo të lëndohet. Por, prapë po flasim për pasojat, nuk po flasim për shkaqet, çfarë ka shpënë, fatkeqësisht, deri tek ajo vrasje e të riut”, tha ish ministri.

Ai ka shtuar se pyetja qëndron pikërisht tek fakti që si e mendon qeveria në Prishtinë t’i riintegrojë serbët në sistemin e Kosovës, sepse sipas tij njësia speciale e policisë së Kosovës nuk është e mirëpritur në veri të vendit.

“Gjithmonë ekziston një mënyrë se si të veprohet, për këtë duhet të flasim, për këtë duhet të bisedojmë, në cilën mënyrë të ulen tensionet, në cilën mënyrë duhet të largohen njësitë speciale nga veriut, sepse nuk janë të mirëpritura, askush nuk i dëshiron atje, askush nuk ka asgjë kundër policisë së PK-së, policisë së rëndomtë e cila nuk është e armatosur me automjete të blinduara, me tyta të gjata. Ajo (policia) është e domosdoshme në veri të Kosovës për të ruajtur rendin dhe qetësinë, për ta garantuar sigurinë e të gjithëve. Askush nuk është kundër kësaj”, ka thënë Bogdanoviq.

Ndryshe polici Enver Zymberi ishte vrarë më 26 korrik 2011, nga pjesëtarë të strukturave paralele serbe, gjatë një aksioni të Policisë në veri të Kosovës.

Goran Bogdanoviq ka thënë se gjatë kohës sa ishte ministër për Kosovën në qeverinë serbe, Millan Radoiçiqi dhe grupi i tij janë arrestuar dhe kanë qenë në burg.

Në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”, ai ka thënë se tash nuk e di kush e ka ndihmuar këtë grup.

“Pas vitit 2012 ata njerëz kanë filluar vrullshëm të eksponohen politikisht dhe financiarisht, etj. Unë nuk e kam asnjë dëshmi që kushdo, çfarëdo qeverie, në çfarëdo mënyre e ka ndihmuar apo ka punuar me ta. Por është e qartë se ka tregues se dikush ka marrë pjesë në gjithë këtë, që dikush ka ndihmuar në tërë këtë çështje dhe mendoj, siç thash më parë në fillim të bisedës sonë se politikanët në Prishtinë, të gjithë kryeministrat e qeverisë së Kosovës nuk do të mundnin të zgjidheshin po të mos ishte Lista Serbe”.

“Ua rikujtoj se në vitin 2013, kur është krijuar qeveria e Thaçit, pastaj qeveria e Hotit, qeveria e Haradinajt, edhe qeveria e Isa Mustafës e cila mendoj se ishte më e keqja pasi i shtynte disa njerëz të komunitetit serb dhe e ka ndihmuar krimin në veri të Kosovës. Ja po flas konkretisht për komunën e Leposaviqit ku kemi procedura që po vijojnë”, ka thënë Bogdanoviq.

Ai më tej ka thënë se do të ketë njerëz që Millan Radoiçiqin do ta trajtojnë si hero, do të ketë edhe të atillë që do ta trajtojnë si njeri që e shkel ligjin.

“Do të ketë njerëz që do ta trajtojnë në një mënyrë apo tjetrën, prandaj, është e falënderueshme të them tani se në cilën mënyrë do ta trajtojë qeveria e Serbisë dhe çka do të bëjë, po e përsëris, kjo nuk është pyetje për mua, nuk është se po i iki përgjigjes por thjesht, nëse nuk shoqërohesh me dikë, nëse nuk merr pjesë me dikë nuk mund as ta dini. Unë nuk jam ithtar i teorive konspirative”, tha ai.

Përderisa ka përfunduar duke thënë se nuk dëshiron që të flas vetëm për Radoiçiqin pasi sipas tij ka mbetur të shihet çfarë do të ndodh pas deklaratës së Vuçiqit që kishte thënë se do ta marrë në pyetje.

Kush është Millan Radoiçiq, lideri “nën hije” i serbëve të Kosovës?

Ndryshe këtë të mërkurë, gjykata në Beograd e ka liruar Millan Radoiçiqin nga mbajtja, një ditë pasi u ndalua nga autoritetet serbe.

Sipas vendimit të Gjykatës, në të njëjtën kohë, i është caktuar masa e ndalimit të largimit nga vendbanimi dhe iu është ndaluar nga territori i Serbisë pa aprovim nga Gjykata.

Gjithashtu, Radoiçiqit iu është ndalohet edhe ardhja në Kosovë.

Pesë ditë pas sulmit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, përgjegjësinë për organizimin e tij e mori Millan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Ndërkohë, NATO-ja njoftoi të premten se ka miratuar forca shtesë për t’i dislokuar në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – për shkak të rritjes së tensioneve.

Serbia e ka mohuar përfshirjen në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare.

Milan Radojçiq u ndalua më 3 tetor nga autoritetet serbe.

Millan Radoiçiq lirohet nga mbajtja, i ndalohet hyrja në Kosovë

Ish ministri serb pretendon se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës po terrorizon popullin serb në veri

“Askush nuk po e përmend njësinë speciale që po bën terror ndaj serbëve në veri të Kosovës!”, ka deklaruar ish ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, në emisionin “Kallxo Përnime”.

Bogdanoviq, pretendon se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës po frikëson serbët e veriut njëjtë ‘siç ka bërë policia e Millosheviqit’.

“Ju po kërkoni nga unë apo cilido tjetër por si, si? Ju nuk keni qenë në situatë të tillë. Mua më kujtohet në vitet e nëntëdhjeta kur kam punuar në Drenicë, në Skënderaj, dhe e di se çka ju ka bërë policia e atëhershme e Milosheviqit shqiptarëve. Edhe ata atëherë janë dridhur nga frika siç po dridhemi ne tani nga frika se do të ndalohemi nga njësia speciale e Kosovës. E ju tani po kërkoni që t’i incizojmë, t’i fotografojmë, mosni ju lutem!”, ka thënë Bogdanoviq.

Ndërsa ka thënë se Njësia Speciale ia kishin ndaluar bashkëshorten dhe ia kishin kontrolluar veturën.

“Po ju them se ata nuk e kanë keqtrajtuar atë, por mjafton të ndalohesh nga policë me armë të gjata, të ju largojnë nga vetura dhe ta kontrollojnë veturën, ata nuk e kanë keqtrajtuar. Sërish po ju them, ka edhe shqiptarë të ndershëm në policinë e Kosovës, disa i njoh personalisht që sillen shkëlqyeshëm, profesionalisht, por e keni posaçërisht popullatën më të re e cila nuk e di gjuhën serbe dhe më ndalon dhe nuk e di se çka po u them”, tha ai.

Përderisa ish ministri serb, Goran Bogdanoviq ka folur për ‘terrorin’ që sipas tij Njësia Speciale e Policisë së Kosovës po i shkakton serbëve të veriut, duke i krahasuar ata me policinë serbe, gazetarja Jeta Xharra i ka kujtuar atij Masakrën e Prekazit.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, ajo tha se nuk mund të bëhen paralele Drenicë e Banjskë.

“Unë kam qenë gazetare në Prekaz (mars 1998) me një kameraman kur ka ndodhur sulmi i policisë dhe ushtrisë në Prekaz ku (ushtria e Serbisë) e ka plagos kameramanin, e policia me minahedhës (e tenka) e kanë sulmuar gjithë lagjen ku mbi 50 i kanë vra, shumica e tyre gra e fëmijë. Asnjë paralele ti s’mund ta bësh (të Drenicës) me Banjskë, ngase atje asnjë civil, asnjë pelegrin nuk është vrarë, paralelja nuk është e njëjtë”, tha Xharra.

Përderisa Bogdanoviq ka mohuar të ketë tentuar ta bëjë një krahasim të tillë por sipas tij vetëm po mundohet të ‘luftoj për të drejtat e popullit të tij’.

“Ju po më keqkuptoni, unë aspak nuk dua të krahasoj asgjë, unë vetëm dëshiroj të luftoj për bashkëjetesë, të drejtat e njeriut dhe ato civile të popullit tim në Kosovë, dhe dua të luftojë që në mënyrë të barabartë, ashtu siç shkruhet në Kushtetutën e Kosovës, të jenë të barabarta gjuhët serbe, shqipe dhe angleze. Unë dua që të respektohen të drejtat e mia fetare, dua të respektohet kultura ime”, tha ai.

Me këtë asociacion, shqiptarët fitojnë, serbët humbin gjithçka”

Ish ministri për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq ka folur edhe për asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Bogdanoviq ka thënë se serbët në parim pajtohen me marrëveshje që shkojnë në interes të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Marrëveshja e Ohrit sipas tij, është diçka që është negociuar shumë keq nga ana e Serbisë sepse “me këtë marrëveshje fitojnë shqiptarët e serbët humbin gjithçka”.

“Unë mendoj që nuk është e mirë, dhe njëjtë mendoj që edhe asociacioni i komunave serbe nuk është i mirë. Asociacioni nuk është asgjë! Çfarë kompetencash? Çfarë autorizimesh na jep ai? Mua shumë po më brengos qëndrimi i Kurtit por ai politikën e tij e ka ndërtuar kundër marrëveshjes së Brukselit. (Asociacioni) Nuk ka kompetenca, autorizime apo kompetenca ekzekutive dhe po flas për asociacionin që është negociuar në Bruksel, në veçanti ajo pjesë që Gjykata Kushtetuese në vitin 2015 e ka hedhur poshtë”, shton ai.

Bogdanoviq për “Kallxo Përnime”, tha se është më mirë të diskutojnë edhe 20 vite, sesa të përsëriten ngjarjet si ajo e Banjskës.

“Më mirë të diskutojmë edhe 100 vite sesa të kemi njerëz dhe policë të humbur. Më shumë e thash figurativisht, sepse për askënd nuk është mirë por se dialogu, bisedat, kompromiset janë të domosdoshme ashtu që të vijmë te ndonjë zgjidhje që iu përshtatet interesave të të gjitha komuniteteve, sepse përndryshe kjo është e paqëndrueshme”, tha Bogdanoviq.

Megjithëkëtë ish ministri serb thotë se marrëveshja e Ohrit nuk është diçka e papranueshme për serbët por sipas tij ka pasur elemente që kanë mundur shumë më mirë të negocioheshin.