Sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit

Përfundon aksioni i Policisë në Banjskë

Ka përfunduar aksioni i Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, i cili kishte filluar që nga e diela pas sulmit ndaj Policisë ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë – Veru i Policisë, Veton Elshani.

“Ka përfunduar aksioni i bastisjes. Nesër në orët e paraditës do të vendoset se si të procedohet tutje. Do të merret vendim për lirim apo jo të rrugës ”- ka thënë Elshani.

Ekipet policore kanë nisur kontrollin në zonën e fshatit Banjskë, prej 24 shtatorit kur në orët e hershme të mëngjesit u përball me një sulm terrorist nga një grup i armatosur, shumica e të cilëve janë arratisur e disa janë arrestuar nga organet e rendit.

Gjatë kontrollit, Policia ka arrestuar tetë të dyshuar, ka sekuestruar prova materiale, në mesin e tyre automjete e arsenal armësh që dyshohet që i përkasin grupit terrorist.

Përveç provave që u prezantuan të hënën, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbrëmë në një hotel në Banjskë, gjithashtu është gjetur edhe një tjetër arsenal i armëve.

Sipas njoftimit, dy armë “AK 47” janë gjetur në manastir, si dhe një helmetë e Policisë së Kosovës që dyshohet se është marrë nga vendi i ngjarjes ku është vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.