Leposhtica: Rasti i veteranëve është dashtë të trajtohet me prioritet

Prokuroria Speciale që nga viti 2018 po i akuzon 12 persona, me në krye Agim Çekun për keqpërdorim të detyrës gjatë kohës që ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit – Veteranit.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, ku u transmetua hulumtimi i BIRN-it për monitorimin e 10 lëndëve që konsiderohen si më të mëdhatë të korrupsionit, zyrtari ligjor në KALLXO.com, Labinot Leposhtica, ka thënë se rasti i veteranëve ka disa problematika.

“E dimë që nga fazat fillestare, nga ish-prokurori Elez Blakaj, që ka hartuar pjesën më të madhe të këtij rasti, pastaj zhvillimet dhe pretendimet se ndaj tij është ushtruar presion kanë treguar se ky rast ka problematika. Edhe prokurori që e ka pasu Blakajn në momentin që e ka dorëzuar aktakuzën në gjykatë që në shqyrtimin paraprak fillestar, gjykata e ka kthyer këtë rast për plotësim në prokurori që janë bërë disa qartësime lidhur me numrin e të akuzuarve. Konsideroj që kjo e pasqyron mungesën e seriozitetit në hetimin e mirëfilltë të një rasti” – tha Leposhtica.

Ai shtoi se njëri ndër shkaktarët kryesor pse në Kosovë nuk ka hetime të mirëfillta është që kalon shumë kohë nga koha e kryerjes së veprës penale deri në aktivizimin e Prokurorisë.

“Prokuroria do të duhej të ishte shumë më proaktive në fillimin e menjëhershëm të hetimeve” – tha më tej Leposhtica.

Ndryshe në këtë rast akuzohen 12 persona – anëtarë të Komisionit qeveritar për verifikimin e statusit të veteranëve të UÇK-së, Agim Ceku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari akuzohen për fryrje të listave të veteranëve luftëtarë për 19.500 persona.

Në vitin 2021, Gjykata kishte nxjerrë aktgjykim lirues për të akuzuarit, ndërsa Apeli e kishte kthyer rastin në rigjykim me 24 mars 2022 me arsyetimin se shkalla e parë ka vërtetuar në mënyrë të gabuar faktin më thelbësor që ka të bëjë me miratimin e listave nga Komisioni.

Seanca e parë prej që Apeli e ka rikthyer këtë lëndë në rigjykim është mbajtur me 31 tetor 2023, pas 586 ditëve apo pas 1 viti e 7 muaj. Pesë seancat që ishin paraparë përgjatë vitit 2023, kishin dështuar të mbaheshin për shkak të mungesës së të akuzuarve, prokurorit të rastit dhe kërkesës së të njëjtit për plotësim të akuzës sipas rekomandimeve të Apelit.

Rasti ‘veteranët’, dështon seanca