Leonora Kryeziu për ikjen e të rinjve: Mungon atdhedashuria për kontribut ndaj vendit

Leonora Kryeziu nga PIPS ka thënë se tredi i largimit të rinjve nuk është vetëm në Kosovë.

Ajo në emisionin #KallxoPernime ka thënë se të rinjtë po largohen për jetë më të dinjitetshme.

“Kjo kriza me largim prej vendit, është trend  jo vetëm lokal, kam edhe djalin tim që dëshiron të largohet nga vendi, i cili ka studiuar stomatologji. Nuk po arrij ta kuptoj arsyen përpos se u ofrohet një jetë më e dinjitetshme. Kur një i ri kalkulon se në spital do paguhet 500-600 euro për tërë atë mund, nuk rrinjë duarkryq”, ka thënë Kryeziu.

Sipas saj, ka edhe mungesë të atdhedashurisë për të kontribuar për vendin, e kjo gje duhet të ushqehet potencon Kryeziu.

“Ka edhe mungesë të atdhedashurisë që të kontribohet për vendin, mendoj se këtë ndjenjë nuk po e ushqejmë. Kosova ka shumë probleme, demokracia kushton, do na duhen shumë kohë në reforma për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm”, shtoi ajo.

Sipas saj, Kosova ka eksperimentuar shumë me sisteme të ndyrshme në arsim, por shumica nuk i janë përshtatur mentalitetit të vendit.

Kryeziu tha se mungon vizioni për këtë vend, pasi në shkolla ende mësohet me metoda të vjetra, derisa kemi gjenerata që rriten në teknologji të avancuar.

“Nuk ka as vizion për këtë vend, sepse ky pastaj ta dikton edhe edukimin. Shumë kemi luajtur me reformë në arsim, kemi marr modele të shumta, por duhet tu përshtatet mentalitetit. Sot  në shkolla, fëmijët janë më të avancuar, kanë më shumë qasje në infromacion, kurse sistemi ka mbet ende me shkumës e tabelë”, shtoi ajo.