Apeli e kthen në rivendosje kërkesën e Qëndron Kastratit për pezullimin e vendimit të Rahimajt për shkollën në Busavatë

Gjykata e Apelit ka vendosur ka kthejë në rivendosje kërkesën e ish- kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati, për pezullim e vendimit të kryetarit të Kamenicës, Kadri Rahimaj, për kthimin e nxënësve të fshatit Busavatë në shkollën e tyre.

Rahimaj me të marrë mandatin më 29 dhjetor të vitit të kaluar kishte marrë vendim që të pezullonte vendimin e ish-kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati, sipas të cilit ishte mbyllur shkolla në Busavatë, dhe nxënësit duhej të vazhdonin mësimin në Kamenicë.

Ndaj këtij vendimi, ish-kryetari KastratI kishte ushtruar padi duke kërkuar që të shtyhej ekzekutimi i vendimit deri në vendosjen e çështjes në mënyrë meritore.

Mirëpo në vendimin e marrë më 7 shkurt, Gjykata Themelore e kishte hedhur poshtë si të pabazuar kërkesën e Kastratit.

Kastrati i ishte drejtuar Gjykatës së Apelit dhe në vendimin e marrë sot e të siguruar nga KALLXO.com, Apeli ka vendosur që çështja t’i kthehet edhe një herë në rigjykim Gjykatës Themelore.

“Kolegji i Apelit vlerëson se Gjykata e Shkallës së Pare gjatë zbatimit të procedurës së konfliktit administrativ, ka bërë shkelje esenciale të dispozitave të LKA-së, e cila konsiston se me aktvendimin për refuzimin e propozimit për shtyeje të ekzekutimit të vendimit të paditurës nuk janë arsyetuar tri bazat e parapara sipas ligjit”, thuhet në vendimin e Apelit.

Shkolla në Busavatë është njëra ndër shkollat të cilat janë mbyllur në kuadër të ‘reformës’ në Kamenicë.

Ish-kryetari Qëndron Kastrati më 30 gusht 2019 kishte marrë vendim që rreth 100 nxënës të kësaj shkolle të ndjekin mësimin në Kamenicë.

Ky vendim i kishte paraprirë protestave e kundërshtimeve të shumta të banorëve të cilët për më shumë se një vit nuk kishin dërguar fëmijët e tyre në shkollat e përcaktuara nga Komuna, anipse ishte siguruar transporti për ta.

Më 23 prill, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kishte marrë vendim që për nxënësit e Busavatës të organizohej mësimi i përshpejtuar.

Ditë më parë, Gjykata Kushtetuese nxori një vendim sipas të cilit konstatoi se ‘ndërhyrja’ e Nagavcit për mësimin e përshpejtuar ka qenë shkelje e Kushtetutës.

 

Gjykata Kushtetuese e shpall jo ligjore vendimin e MASHTI për mësimin plotësues në Kamenicë