Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qëndron Kastrati: Ministrja Nagavci po vazhdon të përfitojë nga privilegjet e shtetit përkundër faktit që e ka shkelur Kushtetutën

Ish-kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka reaguar përsëri lidhur me shkeljen e Kushtetutës nga ana e ministres së arsimit, Arbërie Nagavci me vendimin për mësim alternativ të përshpejtuar në Komunën e Kamenicës.

Kastrati përmes rrjetit Facebook ka thënë se ministrja po vazhdon ende të manipulojë publikun duke u munduar të shfajësohet me pretekstin se ka respektuar obligimin ligjor.

“Manipulimet me opinionin publik i paska vazhduar edhe sot znj. Nagavci. Ajo duke tentuar të shfajësohet thotë se e ka respektuar obligimin ligjor, prandaj e ka shkelur Kushtetutën. Kjo si fillim është absurde, sepse Kushtetuta është akt më i lartë juridik se ligji. Ajo jo që nuk e ka përmbushur obligimin ligjor për t’ua siguruar të drejtën e fëmijëve për shkollim, ajo e ka shkelur atë në vazhdimësi përmes veprimeve të saj të jasht-ligjshme dhe antikushtetuese”, ka shkruar Kastrati.

Sipas tij, nuk është e vërtetë që shkelja e Kushtetutës nuk ka prodhuar pasoja për nxënësit në Kamenicë.

“Nagavci, pretendon se shkelja e saj e Kushtetutës nuk ka vazhduar të prodhojë pasoja për nxënësit në Kamenicë. Kjo nuk është e vërtetë. Ata nxënës të cilëve rendi juridik i Kosovës nuk ua njeh klasën e vitit të kaluar, po vazhdojnë mësimin jashtëligjshëm. Ata do ta humbin edhe një vit”, shton më tej Kastrati.

Ish-kryetari i Kamenicës ka potencuar se ministrja po vazhdon të përfitojë nga privilegjet e shtetit përkundër faktit që e ka shkelur Kushtetutën.

“E kuptoj që për një politikane pa moral politik, ideja e dorëheqjes është tronditëse. Në këtë mënyrë ajo po gjenë çdo arsyetim që të vazhdojë të përfitojë nga privilegjet e pushtetit, me gjithëqë e ka shkelur Kushtetutën. Ajo tenton t’i justifikohet opinionit publik që ani se e ka shkelë Kushtetutën një herë, ajo nuk po vazhdon ta shkelë. Një logjikë e tillë e të gjykuarit do ta amnistonte çdo kriminel që dikur ka vjedhur shtetin, por meqë sot nuk po e vjedhë nuk duhet të ndiqet nga organet, apo të merrë përgjegjësi për veprimet”, shton Kastrati.

Qëndron Kastrati deklaron se ministrja Nagavci po tenton ta vendosë veten mbi shtetin dhe Kushtetutën duke thënë që Kushtetuta s’ka nevojë të respektohet sepse është e kufizuar vetëm në vlerësimin e përputhshmërisë formale, dhe është pushtetari, ai që i vlerëson aspektet përmbajtjesore të principeve të organizimit dhe udhëheqjes së shtetit.

Sipas tij, ky është precedent i rrezikshëm.

Kastrati ia rikujtoi ministres se duke filluar nga Karta Evropiane për vetëqeverisje locale thuhet se përgjegjës për organizimin të arsimit fillor dhe të mesëm janë pushtetet më afër qytetarit, pra  komunat.

“Ministre mos krijo precedent të rrezikshëm për shtet ndërtimin, mos e pengo zhvillimin e arsimit cilësor. Jep dorëheqje”, ka thënë për fund Kastrati.

Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë vendimin e Ministrisë së Arsimit për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit në objektet shkollore në Komunën e Kamenicës.

Ministrja është deklaruar për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për organizmin e mësimit alternativ të nxënësve në Komunën e Kamenicës.

Ajo ka konsideruar se “situata faktike e krijuar që nga fund-korriku 2021 dhe në vijim, është plotësisht në përputhje me përcaktimin e Aktgjykimit në fjalë, prandaj MAShTI-i nuk ka nevojë të ndërmarrë asnjë veprim në drejtim të tillë”.

Ndonëse ministrja ka thënë se MAShTI-i konsideron që vendimi përbën një vlerësim të kufizuar (për shkak të karakterit objektiv të juridiksionit të saj) të gjendjes së krijuar dhe ajo ka shtuar se respekton këtë vendim në plotni.

Nagavci: Ministria e Arsimit konsideron që vendimi i Kushtetueses përbën një vlerësim të kufizuar (kallxo.com)