Foto: Urim Kransiqi/KALLXO.com

Kur vendosi Alban Hyseni të kandidojë për kryetar të Gjilanit?

Kandidati i zgjedhur për kryetar të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se vendimin për të kandiduar për Gjilanin e kishte menduar që nga viti 2013, kur Lëvizja Vetëvendosje humbi zgjedhjet në atë komunë.

Ai në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime” tha se me aktivistët e LVV-së dhe me miqtë e tij e kishte diskutuar mundësinë që mbase në vitin 2017 të jetë njëri prej kandidatëve potencialë.

“Në vitin 2017 më ka përcjellë edhe përvoja ime në universitet dhe nuk e kam konsideruar veten te gatshëm për të qenë kandidat për kryetar të komunës. Në njërën anë ka qenë përgatitja politike që besoj më ka munguar në atë kohë, ndërsa në anën tjetër mungesa e përvojës në një institucion siç është universiteti ku kam pasur edhe përvojë menaxheriale edhe akademike por, jo në nivelin mbase të duhur dhe të mjaftueshëm për të pasur bazë”, tha Hyseni.

Ai tutje shtoi se ishte njëri nga tre kandidatët e LVV-së që synonin të garonin për kryetar të Komunës, por që Hyseni ishte ai që sipas tij i plotësoi kushtet formale dhe siguroi nënshkrimet e mjaftueshme për të kandiduar.

“Unë kam bërë takime të rregullta përbrenda strukturës së Lëvizjes në Gjilan që është një prej vlerave kryesore që e kemi si subjekt. Gjithashtu i kam intensifiku takimet me kryetarë të pikave dhe nëndegëve në Gjilan”, shtoi Hyseni.

Alban Hyseni ka fituar garën për kryetar të Gjilanit, duke e mposhtur në balotazh Lutfi Hazirin e LDK-së.