15 milionë euro për Stadiumin e Gjilanit, nënshkruhet memorandumi mes Komunës dhe Ministrisë

Kryetari i Komunës së Gjilan, Alban Hyseni ka deklaruar se kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimin me Ministrinë e Sportit në vlerë prej 15 milionë eurove për stadiumin e qytetit.

“Si një nga projektet më të mëdha të komunës sonë dhe pas sfidave të shumta që na janë shfaqur tash e 2 vite për implementimin e tij, bashkë me nivelin qendror do të angazhohemi maksimalisht për zhvillimin e projektit të stadiumit të kategorisë 4 në Gjilan. Bashkë qeverisim, për sportin e sportdashësit!” – ka shkruar Hyseni në Facebook, të shtunën.

Në postimin e tij, Hyseni ka bashkangjitur edhe fotografi nga projekti i cili pritet të realizohet pas disa viteve nga nisja e punimeve.

Kanë kaluar 6 vjet prej kur kanë filluar punimet, janë ndërruar dy kryetarë komune e katër ministra të Sportit por Stadiumi i Gjilanit ende nuk ka përfunduar.

Qeveria e Kosovës nuk kishte ndarë asnjë cent për renovimin e stadiumit të qytetit në Gjilan për vitin 2022.

KALLXO.com vitin e kaluar kishte publikuar pamjet të stadiumit të qytetit të cilat shfaqshin Hekura të vendosura në ulëset e stadiumit që paraqesin rrezik për tifozët dhe zyrat e stadiumit që rrezikonin të vërshohen nga uji, sa herë që bie shi.

Gjilani ka dy klube të futbollit – Drita dhe Gjilani, të cilat aktualisht po i zhvillojnë ndeshjet si vendas në një stadium ndihmës.