Konjufca: ‘Libri sot konsiderohet si letër tualeti’

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca në “Kallxo Përnime” derisa ka folur për situatën e librave shkollorë, ka bërë një krahasim, për të cilin paraprakisht ka kërkuar falje për gjuhën.

Sipas Konjufcës, sot në Kosovë, libri si ‘letër tualeti’.

“Më falni që po e përdori këtë shprehje, i kërkoj falje edhe opinionit publik, por a e di saktë se cila është vlera materiale sot e librit shkollor? Letra e tualetit. Libri shkollor konsiderohet si letër tualeti” – tha kryekuvendari Konjufca.

Sipas tij, në Kosovë, vitetve të kaluara ka pasur raste kur mbi 200 mijë libra nuk janë përdorur.

“235 mijë libra kanë ndodhur që vitet e kaluara kanë mbetur nëpër bodrume edhe janë kthyer dhe është dashtë me u shkatërru, kjo është e barasvlershme me letër tualeti. Kjo informatë nëse ma jepni ju mua sot, konsideroj që është një problem shumë i madh” – ka thënë kryetari i Kuvendit në Kallxo Përnime.

Ai e shpjegon këtë me problemin planifikimit dhe shfrytëzimit të librit shkollor.

“A di sa milionë euro bëjnë 235 mijë libra të pashfrytëzuara edhe kush i merr ato para? A duhet m’u rregullu ky problem? Versioni më i mirë për me rregullu është më 1 shtator dhe 100% janë librat tek te gjithë nxënësit por kjo s’ka mujtë m’u rregullu kështu.” – thotë ai.

Konjucka ka thënë gjithashtu se nuk ka ndonjë dyshim për korrupsion në situatën e librave shkollorë, por që sipas tij shtëpitë botuese i kanë të gjitha kompetencat për këto libra.

“Kurrikula nuk është e shtetit sot, shteti ka kontratë me shtëpi botuese, qysh mundet me qenë kurrikula e shtetit kur nga një libër i matematikës, janë bërë katër sosh, sepse ashtu ka vendosur shtëpia botuese edhe e ka bërë këtë të obligueshme. Edhe çmimi për librin është rritur, sepse nga 2 të tilla janë bërë 4. Por 4 libra fëmijës nuk po i duhen, por shtëpia botuese po vendos që atij po i nevojiten” – ka thënë mes tjerash Konjufca.

Pak dita para se të niste viti i ri shkollor, Ministria e Arsimit kishte njoftuar se librat shkollorë për nxënësit gjatë këtij viti nuk do të blihet nga institucionet, pro nga vet prindërit, ndërsa paratë e shpenzuara pastaj do të kalonin në llogaritë e tyre bankare përmes sistemit E-Kosova.

Intervista e plotë me Glauk Konjufcën.