Hulumtim: Dyshimet se si u ndërruan tokat e Prishtinës me kodrat e Prizrenit

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet hulumtimi se si u ndërruan prona në “Veternik” të Prishtinës me një kodër të vendit të quajtur Cvilen në Prizren.

Vendimi për ndryshimin e këtyre pronave pretendohet të jetë i Gjykatës së Qarkut në Prizren i datës 28 prill të vitit 1976, e i nënshkruar nga gjyqtari i atëhershëm Zhivka Statkiq. Por ky dokument ka dalë në sipërfaqe vetëm në vitin 2021.

Sipas këtij dokumenti, prona në zonën e kadastrave në Çagllavicë, me sipërfaqe prej 3 hektarë e 92 ari në vendin e quajtur “Hardhitë”, është ndërruar me dy prona në Prizren, njëra me sipërfaqe 80.4 ari dhe tjetra në sipërfaqe 2 hektarë e 56 ari, në vendin e quajtur Cvilen në zonën kadastrale në Leskovec të Prizrenit.

Hulumtuesit e emisionit “Kallxo Përnime” kishin kërkuar dosjen e kësaj lënde në Gjykatën e Prizrenit, kadastrën e Prizrenit e Arkivin e Kosovës, por lënda nuk ishte gjetur askund.

Në kadastrën e Prizrenit lënda nuk ishte gjetur pasi kadastra ishte djegur në vitin 2007, e në Gjykatën e Prizrenit thonë se këto lëndë janë dërguar në Arkivin e Kosovës, e në Arkiv thonë se janë në renovim dhe nuk mund ta gjejnë lëndën tash por kanë treguar një regjistër se si ishte dërguar kjo lëndë nga Gjykata e Prizrenit e ku numri i kësaj lënde figuronte i zbrazët dhe ishte dërguar me një aneks shtesë.

Zyra e kadastrës në Komunën e Prizrenit ka kthyer përgjigje duke treguar se prona në Prizren ka kaluar në emër të Qeverisë së Kosovës por që nuk ka dokumentacion shkaku i djegies së kadastrës së Prizrenit në vitin 2007.

“Në bazë të evidencës qe posedojmë ne si zyre kadastrale komunale me poshtë mund ti gjeni të dhënat e ngastrave kadastrale, bazuar ne kërkesën tuaj. Ngastrat kadastrale, ZK Leskovec, ka qenë në emër të Radio-Televizija “Prishtin” CVILJEN. me 1/1, në programet BORMEN KCID dhe RDPP (dokumentacioni nuk ekziston shkaku i djegies ne vitin 2007). Me Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr.03/09.dt.21.01.2018, bëhet ndarja-copëtimi i ngastrës kadastrale. Ne bazë të Vendimit Nr.03/09.dt.21.01.2018, ngastrat kadastrale ZK Leskovec, kalojnë nga Drush.Svoj.Srbija Šumsko Gazdinstvo-Prizren me 1/1, te Qeverisë së Republikës së Kosovës”- thuhet në përgjigjen e Komunës së Prizrenit.

Në Gjykatën e Prizrenit kanë thënë se kjo lëndë dhe lëndët e tjera të ish-gjykatës së qarkut janë dërguar në Arkivin e Kosovës.

“Ne pas kërkesës suaj ju kemi drejtuar arkivit të Gjykatës për ta kërkuar këtë lëndë dhe nga arkiva e Gjykatës jemi njoftuar se të gjitha lëndët e divizionit civil të cilat i kanë takuar gjykatës së qarkut deri në vitin 1999 janë dërguar në Agjencinë shtetërore të arkivave të Kosovës”- thekson Marcel Lekaj zëdhënës i Gjykatës së Prizrenit.

Ruzhdi Panxha nga Arkivi thotë se janë në renovim dhe nuk mund ta gjejnë lëndën tash por ka treguar një regjistër se si ishte dërguar kjo lëndë nga Gjykata e Prizrenit e ku numri i kësaj lënde figuronte i zbrazët dhe ishte dërguar me një aneks shtesë.

“Lëndën që ju e kërkoni ne e shiqum në regjistrin bazik kur ka ardhur faktikisht lënda 56 mungon sikur një mori lëndësh të tjera. Ndërsa aneks i saj a ka ardhë më vonë apo si ka ardhur nuk e kemi informacionin që është lëndë e përzime por gjendet në regjistrin lënda në fjalë. Me mundësinë e parë me prioritet kemi me kërku me e gjetë këtë lëndë pasi të përfundon renovimi” – tha Panxha.

Kërkesa e parë për regjistrimin e këtij transaksioni kishte ndodhur në vitin 2021.

Në Komunën e Prishtinës ishte paraqitur Sllavica Mikiq, e cila kishte kërkuar që prona në Prizren të ndërrohet me pronën në Prishtinë dhe në regjistrat kadastralë prona të regjistrohet në emër të saj.

Komuna e Prishtinës dy herë e kishte refuzuar regjistrimin e këtij ndryshimi duke u thirrur në bazën e një vendimi i cili ishte nxjerrë para 46 viteve e i cili nuk gjendej në arkivin komunal të Prishtinës.

Donat Lushaku, drejtor i Drejtorisë së Kadastrës në Komunën e Prishtinës, ka treguar versionin e Komunës se qysh u regjistrua prona e shtetit në emrin të Slavica Mikiqit.

“Kjo pronë ka një historik, ka qenë në emër të Radio Televizionit të Prishtinës ndërsa në vitin 2022 Agjencia Kadastrale e Kosovës ka bërë bartjen në emër të një serbeje e quajtur Sllavica Mikiq. Ne në dy raste e kemi refuzuar regjistrimin e saj sepse kemi konsideruar se aktgjykimi i vitit 1976 ku flitet për një pronë e këmbyer në Prizren nuk ka pasur kompetencë territoriale dhe lëndore të ekzekutimit prandaj kjo ka qenë arsyeja e parë ndërsa arsyeja e dytë që lënda nuk është gjendur në arkivin ndërkomunal të Prishtinës”- thekson Lushaku.

Në vitin 2022 prona kishte kaluar nga pronësia e Radio Televizionit të Prishtinës në emër të Sllavica Mikiqit, me vendimin e Agjencisë Kadastrale të Kosovës e cila e kishte përdorur autoritetin si shkallë e dytë edhe pas refuzimit nga Komuna e Prishtinës Sllavica Mikiq u bë pronare e pronës.

Në Agjencinë Kadastrale njeriu që ka vendosur nënshkrimin është Bashkim Shaqiri.

Hulumtuesit e “Kallxo Përnime” e kishin takuar Bashkim Shaqirin por i njëjti nuk kishte pranuar të jepte sqarime me arsyetimin se nuk i di detajet e lëndës dhe se vendimin e ka nënshkruar në cilësi të drejtorit.

Komuna e Prishtinës para regjistrimit të kësaj prone e kishte njoftuar Agjencinë Kosovare të Privatizimit, por kjo e fundit nuk kishte marrë veprime atë kohë për ta ndalur tjetërsimin.

Personi që e kishte kthyer përgjigjen në Komunën e Prishtinës ishte Bajram Sherifi, i cili nuk ka pranuar të flasë pse nuk kishte marrë veprime por AKP ka kthyer përgjigje me shkrim.

“Komuna në korrik të vitit 2021 i ka drejtuar shkresë AKP-së duke pyetur nëse parcela në fjalë është nën menaxhimin e AKP-së dhe kësisoj AL/AKP i ka kthyer përgjigje  komunës duke theksuar se parcela në fjalë është në pronësi shoqërore dhe nën menaxhimin e AKP-së, dhe kësisoj AKP i ka bërë mjaftueshëm me dije KK Prishtinë që parcela është në pronësi shoqërore dhe nuk është në kompetencë të AKP-së interpretimi i titujve apo akteve juridike të paraqitura nga palët. Është kompetencë e Zyrës Komunale Kadastrale që të vlerësojë këto kërkesa së bashku me gjithë dokumentacionin, të bëjë verifikimet e duhura, të shqyrtojë gjithë të dhënat në regjistrat kadastral dhe mbi çdo ndryshim të informojë palët me kohë” – thuhet në përgjigjen e AKP-së për emisionin “Kallxo Përnime”.

Sllavica Mikiq në këtë procedurë përfaqësohet nga avokati Venhar Hana.

Avokati Hana nuk ka pranuar të flasë para kamerës, sikur edhe klientja e tij, por ka kthyer një përgjigje me shkrim.

“Një kontest gjyqësor, është zhvilluar sipas padisë së ushtruar me datë 13.01.1976 nga ana e Slavica Mikić, e përfaqësuar përmes avokatit të autorizuar në kohë. Sipas të dhënave të treguara në mbështjellësin e lëndës, janë mbajtur tre (3) seanca gjyqësore dhe atë me datë 18.02.1976, 30.03.1976 dhe 28.04.1976, kur edhe është mbyllur kontesti gjyqësor. Sipas Aktgjykimit të plotfuqishëm të datës 28.04.1976, theksohet se palët kanë shprehur pajtimin e përbashkët që kontesti gjyqësor të mbahet në Gjykatën e Prizrenit, si kompetencë territoriale e zgjedhur e tyre. Nga kjo, me rëndësi të veçantë është të theksohet se padyshim se lënda në fjalë është dorëzuar, nga Gjykata e Prizrenit në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, në një vit të caktuar më vonë. Ky konstatim poashtu vërteton se lënda ruhet, së bashku me dokumentacionin përcjellës në atë dosje”- thuhet në përgjigjen e avokatit Hana.

Dy vite pasi është bërë ndryshimi dhe 23 muaj prej kur Komuna e Prishtinës e kishte njoftuar AKP-në për ato çka po ndodhnin me pronën, AKP-së i ka ra ndërmend ta dërgojë lëndën në gjykatë.

AKP tani ka kërkuar prej Dhomës së Veçantë të anulojë vendimin dhe disa kontrata.

“Me datë 17.03.2023 AKP ka ngritur Padi për anulimin e kontratave dhe kontestimin e bazë ligjore në bazë të së cilave është bërë bartja e pronësisë si dhe njëkohësisht kërkesëpadi për caktimin e masës së përkohshme. Me datë 21.03.2023 AKP ka parashtruar ankesë në Agjencinë Kadastrale të Kosovës ku ka kërkuar të anulohen Aktvendimet për bartje të pronësisë mbi këtë ngastër, si dhe njëkohësisht, tek Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme është parashtruar kërkesë për masë të përkohshme mbi këtë pronë për të ndaluar tjetërsimin bashkë me kërkesën për anulimin e kontratave për bartjen e pronësisë”-  thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Në një pjesë prej 1 hektar e 20 ari familja Dupoleva i ka të ndërtuara 5 shtëpi.

Nga kjo familje kanë treguar se kanë 10 vite në gjykatë ku kërkojnë regjistrimin e asaj prone në emrin e tyre.

Familja Dupoleva pronën e ka në shfrytëzim të përhershëm nga ish-Radio Televizioni i Prishtinës.

Ramadan Dupoleva thekson se nuk e ka ndërmend ta lirojë pronën dhe pret vendimin e Gjykatës.

“Unë i bie çiftelisë për këta. Kurrë falë mos ju kofsha, se këtu ata nuk guxojnë me hy sa të jem unë gjallë, sepse ne e kemi letrën që na u ka dhanë në shfrytëzim dhe tjetra nuk kemi edhe ku me shku sepse kemi 5 shtëpi të ndërtuara. Le të bëjnë dallavere kush të dojë, ne nuk dalim prej këtu”- theksoi Dupoleva.

Por, deri kur shteti të merret vesh me paditë e ngritura, hulumtuesit e “Kallxo Përnime” kanë kuptuar  që gjendja në terren është ndryshuar në shumë aspekte.

Njerëzit që janë përfshirë në këtë rast kanë nisë t’i marrin paratë e t’ua shesin pronat bizneseve të tjera.