Ambasadori i BE-së: Problemet e brendshme politike nuk e ndihmojnë rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Europian

Në emisionin Kallxo Përnime, Aivo Orav, ambasador i Bashkimit Evropian në Kosovë ka komentuar proceset politike që po zhvillohen në vend por edhe përparimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së.

Ai ka thënë se problemet politike të Kosovës nuk po ndihmojnë aspak në rrugën drejt BE-së.

“Problemi i vetëm i vogël janë çështjet e brendshme dhe zgjedhja e presidentit apo shkuarja sërish në zgjedhje të parakohshme, e që nuk ndihmon aspak.”- ka thënë ai.

“Ne po shpresonim shumë që tani kur qeveria do të formohej, pastaj do të zgjedhej presidenti dhe pastaj do të mund të fillonim të ecnim përpara sepse ne në Bruksel jemi gati.”- konsideroi ai.

Orav ka thënë se për BE-në është me rëndësi politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë dhe duke parë zhvillimet në botë për BE-në është e rëndësishme të dihet se kush është me ta, kush është gjysmë me ta dhe kush nuk është fare me ta.

“Kosova është me ne.”- tha Orav.

I pyetur se pse Kosova që ishte vend që kishte vendosur saknsione ndaj Rusisë, BE i vendosi përsëri masa, ambasadori Orav kërkoi që të shikohet drejt së ardhmes.

“Thjesht po përpiqem ta shmang këtë përgjigje, por po ju them që le të shohim drejt së ardhmes së ndritshme tani, dhe ka një mundësi shumë të mirë për të ecur përpara.”- tha Orav.

Ai ka shtuar se Kosova po ecën shumë mirë me reforma, por megjithatë shtoi se ka një problem.

“Serbia tashmë është në negociata dhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim është ende disi i “humbur” në proces. Por shpresoj shumë që tani kjo marrëveshje e 14 marsit do të pritet mirë edhe nga ato kryeqytete që ende po e shqyrtojnë nëse duhet të merren me aplikimin e Kosovës apo ende jo.”- shtoi shefi i zyrës së BE-së.

Orav ka thënë se pas heqjes së masave Kosova do të përfitoj edhe mjete financiare nga BE.

“Tani, me heqjen e masave, më shumë para janë planifikuar të vijnë përmes Planit të Rritjes (Growth Plan) nëse gjithçka do të shkojë mirë. Pra, më shumë para po vijnë përsëri.”- tha ambasadori i cili është në përfundim të mandatit në Kosovë.