Ambasadori gjerman në Kosovë: Dikush do t’ia lë fajin atij [Radoiçiqit]

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, ka folur rreth zhvillimeve të fundit në veri.

Ai në emisionin #KallxoPërnime, ka thënë se mendon që dikush dëshiron të hedhë të gjithë fajin vetëm mbi Millan Radoiçiqin.

“Ne mund të mos e kuptojmë kurrë për krejt atë që ka ndodhur në prapavijë, por është e qartë për mua se po të ishte sukses (ky aksion) atëherë suksesi do të kishte shumë baballarë apo prindër, e faji (apo dështimi) gjithmonë mbetet jetim”, ka thënë ambasadori gjerman.

Ai ka shtuar se për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit duhet të bëhet një hetim i plotë për të qartësuar shumë gjëra.

“Ajo që është e qartë tani është se ka ndodhur një sulm i tmerrshëm dhe vrastar dhe një polic u vra dhe kjo do të thotë se më nuk mund të vazhdojmë aty ku kishim mbet para këtij incidenti, e të sillemi sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Duhen të kërkojmë përgjigje, duhet të bëhet një hetim i plotë që shpresojmë që do të qartësojë shumë gjëra. Autorët duhet të sillen para drejtësisë”, tha tutje ambasadori gjerman.

Kush është Millan Radoiçiq, lideri “nën hije” i serbëve të Kosovës?