A do ta vizitojë kryeministri Talat Xhaferi Kosovën?

Prej kur e ka marrë detyrën si kryeministër i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi thotë se askush nuk e ka ftuar për vizitë zyrtare në Kosovë.

Xhaferi në emisionin “KallxoPërnime” thotë se në Kosovë ka qenë për një intervistë në një televizion, nuk është pritur nga ndonjë zyrtar shtetëror, megjithëse konsideron se në këtë rast nuk kishte qenë e nevojshme.

“Prej që jam kryeministër kam qenë në Kosovë, kam qenë në një prej emisioneve të shtëpive infomative. Çështja ishte jozyrtare për punën e qëndrimit tim atje, shtëpia informative ku isha drejtuar, stafi drejtues më kanë pritur, prej zyrtarëve jo. Mendoj që nuk ka nevojë në ato raste”- deklaroi Xhaferi.

I pyetur nëse planifikon të zhvillojë një vizitë zyrtare në Kosovë, Xhaferi shpjegon se kjo varet nga agjendat e ndërsjella, duke shtuar se deri tani nuk ka pranuar një ftesë prej Qeverisë së Kosovës për një vizitë zyrtare.

“Çështja e planifikimeve është çështje e agjendave të ndërsjella, ato punë varen nga agjendat që i kemi. Për vizitë zyrtare është çështje e protokolleve përkatëse, ka një procedurë paraprake. Nuk ka nevojë me e iniciu unë, duhet me pasë njëfarë ftese.  Deri më tani jo [nuk kam pranuar ftesë]”- është shprehur Xhaferi.

Ai thotë se për postin e kryeministrit është uruar nga krerët shtetërorë të Kosovës, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, mirëpo vetëm në rrjetin social Facebook dhe jo në rrugë zyrtare siç janë rregullat diplomatike.

Kryeministri maqedonas thotë se me Kurtin ka relacion institucional.

Gjatë konferencës së Sigurisë në Mynih që u mbajt javën e kaluar, Xhaferi thotë se nuk është takuar as me kryeministrin Kurti dhe as me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla. Ai ka treguar se fizikisht nuk kanë qenë në hapësira të njëjta gjatë konferencës.

“Jo nuk jemi takuar. Kemi qenë të gjithë secili me agjenda që i kemi pasë”- tha Xhaferi.

Ai potencoi se në Mynih është takuar me nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës dhe njëherësh deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhajn.

“Në holl ku kemi qenë në hyrje, jemi takuar. Përpos me Enverin, jo [nuk jam takuar me zyrtarë të Kosovës]. Kush ka lypë takim, kam aranzhuar takime, i kam paraqit publike nuk kam pasë pse me i mshefë”- ka shpjeguar kryeministri.

I pyetur se nëse e konsideron që është e jashtëzakonshme mos takimi me zyrtarë të Kosovës, kryeministri Xhaferi është përgjigjur që “po duhet të jetë”.

“E jashtëzakonshme duhet të jetë, po duhet të jetë”- ka afirmuar shkurt Xhaferi.

Më 28.01.2024, Talat Xhaferi është zgjedhur kryeministër i Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, duke u bërë shqiptari i parë që do të mbajë këtë post në këtë shtet.

Qeveria teknike do të funksionojë për 100 ditë dhe do të ketë mandat organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare, që pritet të mbahen më 8 maj. Pro zgjedhjes së ekzekutivit votuan 65 deputetë, 3 ishin kundër dhe asnjë abstenim.

Dimitar Kovaçevski, më 25 janar ka paraqitur në Kuvend dorëheqjen e tij dhe të kabinetit qeveritar, me të cilin ka udhëhequr nga 11 janari i vitit 2022.