Foto: Gjimnazi "Frang Bardhi"/Facebook

Shkolla kampione e Mitrovicës në basketboll

Në garat komunale të 17 nëntorit në basketboll, ekipi i vajzave dhe djemve të gjimnazit “Frang Bardhi” dolën të parët në Mitrovicë. 

Ekipi i vajzave nuk kishte konkurencë dhe normalisht që dolën fitimtare. Përderisa ekipi i djemve kaloi fazën e gjysmëfinales duke mposhtur shkollën e mesme të mjekësisë “Xheladin Deda”. Kështu në finale u përballën me shkollën e mesme të teknikës “Arkitekt Sinani”, të cilën e mposhti me rezultat 46 me 42 dhe morën titullin kampion.

Përpos si përfaqësues të shkollës, disa prej djemve të ekipit kampion në basketboll në garat komunale janë po ashtu pjesë e klubit basketbollistik K.B Trepça.

Maturanti Redon Berisha, i cili ka qenë pjesë e ekipit fitues të djemve, ka thënë se ndihet shumë krenar që shkolla e tij është shpallur kampione e Mitrovicës në basketboll.

“Kur ekipi im fitoi vendin e parë në gara ishte një ndjesi shumë e mirë dhe ndihesha shumë krenar”, ka deklaruar Berisha. 

Të dy ekipet përfaqësuan shkollën e tyre në mënyrë dinjitoze në garat komunale dhe sigurisht që të njëjtën rrugë do të ndjekin edhe gjatë përfaqësimit të tyre në garat regjionale. 

Profesori i edukatës fizike dhe trajneri i grupeve të shkollës “Frang Bardhi”, Rexhep Avdiu ka treguar se me ekipet e basketbollit të shkollës punohet rregullisht çdo vit.

“Lirisht mund të themi se nga viti 2006 shkolla jonë çdo vit mban garat në nivelin komunal. Më pas fituese kalon në garat regjionale e pastaj në garat republikane”, ka thënë Avdiu.

Trajneri Avdiu me krenari ka treguar se gjimnazi “Frang Bardhi” diku në 90% të garave komunale kanë dalë të parët.

“Normalisht puna ka qenë mjaft e lodhshme, e mirëpo vullneti nuk ka munguar asnjëherë”, ka përfunduar Avdiu.

Autorja Erona Baliu është nxënëse e gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.