Isa Mustafa, Optimist për Investimet e Huaja

Qeveria e Kosovës konstaton se gjatë gjashtë mujorit të parë të këtij viti ka pasur rritje të investimeve të jashtme, që sipas Bankës Qendrore këto investime kanë arritur vlerën prej 160 milionë euro.

Sipas Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa investimet e huaja për këtë  viti janë rritur në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Investimet e jashtme kanë arritur gati 160 milionë ndërkaq për pesë muaj të vitit të kaluar kanë qenë 29 milionë. Gjatë tërë vitit të kaluar ka pasur 151 milionë investime të huaja”, tha Mustafa.

Kryeministri Mustafa si një të arritur të madhe ka veçuar nënshkrimin e kontratës për Brezovicën.

“Një e arritur shumë e madhe është nënshkrimi i kontratës për Brezovicën me konzorciumin francez, e cila parasheh që përfundimisht të kemi investime të jashtme prej 410 milionë euro në Kosovë, dhe hapjen e 3 mijë vendeve të reja të punës”, shtoi Mustafa.

Mustafa përmendi edhe investimet në zonat ekonomike të Kosovës duke përfshirë këtu atë të Mitrovicës, Drenasit, dhe Gjakovës.

“Zona e Drenasit veç është përmbyllë në 41 biznese, dhe më nuk ka vend as për biznese të brendshme as të jashtme, por aty po punohet në zgjerimin e kësaj zone”, u shpreh kryeministri Mustafa.

Ai përmendi edhe një takim që, sipas tij, do të ketë në fund të shtatorit me zyrtarë gjermanë në lidhje me investimet e Gjermanisë në Kosovë.