Hoti: Të vendosur që nuk do ta lejojmë copëtimin e Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti duke pritur që seanca të filloj në ora 18:30 në hollin e Kuvedit të Kosovës ka thënë që kryeministri Ramush Haradinaj ka pasur mundësi që të ndërroj dhe i ka ndërruar qëndrimet.

“Merreni rastin e demarkacionit. Njëjtë para dy vite, sot e ka ndërruar qëndrimin. Këta njerëz duhet të ndalen”, ka potencuar Hoti.

Më tej Hoti ka thënë që seanca e kërkuar nga opozita është dashur të filloj në orën 10 dhe se të gjithë deputetët po presin që të kthehen në seancë dhe do të votojnë rezolutën.

“Është ditë kritike dhe ne do të jemi në krye të detyrës. Unë mund të them që deputetja Rugova e ka nënshkruar listën për seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga opozita”, ka shtuar ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka theksuar që qëndrimi përfundimtar i pozitës është copëtimi i Kosovës dhe ata janë të vendosur që nuk do të lejojnë këtë.