Kandidati për kryeministër në konferencën për barazinë gjinore - Foto: LDK

Hoti: S`lëkundemi, PAN-in se mbështesim

Koalicioni LDK-AKR-Alternativa janë të palëkundur në qëndrimin e tyre për të mos përkrahur koalicionin PAN në formimin e Qeverisë.

Një qëndrim të tillë e kanë bërë të ditur edhe një herë të enjten pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LAA-së, kreu i AKR-së Behgjet Pacolli dhe kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti, të cilët janë shprehur se do të vazhdojnë të jenë të vendosur për të qëndruar bashkë.

Kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli tha pas takimit të sotëm të liderëve të LAA, tha se janë në pritje të datës së seancës konstituive, derisa përsëriti qëndrimin se deputetët e partisë së tij do t’i qëndrojnë besnik koalicionit parazgjedhor me LDK-në.

Takimin e Rrahim Pacollit me presidentin Hashim Thaçi, kreun e PDK-së Kadri Veseli e kreun e Skenderajt Sami Lushtaku, Pacolli nuk ka dashur ta lidh me ofrimin e mundshëm të partisë së tij me koalicionin PAN, duke thënë se nuk e kanë armik askënd, porse vendimet politike merren diku tjetër.

Ndërsa, i pyetur nëse do t’i përgjigjen ftesës së presidentit për takim të hënën, Pacolli tha se për këtë vendos kandidati për kryeministër i koalicionit, Avdullah Hoti në momentin e duhur. E, kandidati për kryeministër i koalicionit LAA Avdullah Hoti, e ka quajtur konspiracion mundësinë që deputetët e AKR-së ta braktisin koalicionin dhe të shkojnë me PAN-in.

Hoti pret që sa më shpejt të thirret seanca konstituive e Kuvendit, derisa shtyrja e thirrjes së saj nga presidenti, sipas tij, po bëhet pasi PAN nuk i ka numrat.