Hashim Thaçi Nuk Pret Drejtësi nga Gjykata Speciale

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot se nuk pret që Gjykata Speciale të sjellë drejtësi në misionin që ka marrë ndërsa akuzoi bashkësinë ndërkombëtare për mosmbajtje të fjalës në çështje të bashkëpunimit me institucionet e Kosovës.

Duke folur në një panel në Prishtinë në prezantimin e raportit për perceptimin publik të Gjykatës Speciale, Thaçi tha se lufta e UÇK-së ka qenë “e drejtë dhe legjitime”.

Raporti i bazuar në hulumtim të opinionit e nxjerr Gjykatën Speciale si shumë jopopullore në Kosovë.

Sipas raportit, 51 përqind e shqiptarëve të Kosovës janë shprehur të gatshëm të protestojnë në rast se Gjykata Speciale i akuzon ish drejtuesit e UÇK-së, përderisa 36 përqind do të ishin në gjendje madje të vepronin për ta parandaluar ndjekjen e ish pjesëtarëve të UÇK-së.

Nga ana tjetër, edhe perceptimi publik në sigurinë e dëshmitarëve është i ulët me 82 përqind të serbëve dhe 49 përqind të shqiptarëve që besojnë se nuk ka siguri për të dëshmuar në Gjykatën Speciale.

Gjykata Speciale është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në gusht të vitit 2005 ndërsa objekt ndjekjeje i saj do të jenë kryesisht ish drejtuesit e UÇK-së ndaj të cilëve ish raportuesi i Këshillit të Europës, senatori Dick Marty kishte ngritur dyshime për krime lufte e trafikim organesh.

“Gjykata Speciale nuk është disavantazh por është avantazh për Kosovën. Shpesh thuhet se për Kosovën qëndron një re e zezë që duhet ta largojmë. Të jem i qartë, atë re të zezë e ka krijuar Serbia”, tha Thaçi.

“Publikimi i raportit të Dick Martyt nuk ka qenë aksidental por i motivuar politikisht sepse u publikua një ditë pas publikimit të rezultateve 2010”, shtoi Thaçi.

Thaçi që kishte insistuar që Kosova ta votojë ligjin për themelimin e kësaj gjykate tha se këtë e ka bërë pasi që ka pasur presion ndërkombëtar në mënyrë që Serbia e Rusia të mos e kërkonin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së formimin e një gjykate të re për Kosovën

“Pranova që ta udhëheq një proces të padrejtë historik ndaj Kosovës”, shtoi Presidenti i Kosovës.

Por ai u shpreh i zhgënjyer në bashkësinë ndërkombëtare në periudhën pas miratimit të kësaj gjykate.

“Kosova mbajti fjalën, e themeloi gjykatën e bashkësia ndërkombëtare nuk plotësoi asgjë cka premtoi. Kosova, si asnjë vend në rajon, bashkëpunoi për themelimin e gjykatës speciale”, tha ai

“Të gjithë të akuzuarit shqiptarë të akuzuar nga Tribunali i Hagës u dorëzuan vullnetarisht në Hagë. Kosova u tregua më lojalja dhe u dëmtua më së shumti”, shtoi Thaçi.

“Duhet ta themi atë që dimë dhe ta themi saktë. Dhe ajo që dimë dhe që është e saktë është se Gjykata Speciale do të merret vetëm me krimet e supozuara se janë kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, tha Thaçi.

Por ai tha se drejtësia ende nuk i ka trajtuar mbi 20 mijë rastet e dhunimit dhe 12 mijë vrasjet që kanë ndodhur ndaj shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe në luftën e viteve 1998- 1999.

“Gjykata Speciale do të jetë vetëm një pikë drejtësi në detin e padrejtësive që kanë ndodhur në Kosovë… Shqiptarëve po u rritet pakënaqësia ndërsa serbëve dhe Serbisë po u rritet entuziazmi”, tha ai.

“Të gjithë flasin dhe punojnë që askush të mos jetë mbi ligjin. Tani kjo nga shqiptarët shihet me mosbesim sepse duke qenë një gjykatë monoetnike, ata po e kuptojnë se po favorizohen kryesit e gjenocidit mbi popullatën civile shqiptare të Kosovës”, shtoi Thaçi.

“Kjo gjykatë mund të sjellë privim të disave nga liria, por jo drejtësi dhe pajtim ndëretnik”, u shpreh ai.