Betimi në Kuvend nga ish Qeveria Haradinaj | Foto: Atdhe Mulla

Haradinaj Këshillon Ministrat për Seancat e Kuvendit

Në pikën e mbledhjes së qeverisë ku diskutohen çështje të ndryshme, Kryeministri Haradinaj i porositi ministrat e kabinetit të tij se si të veprojnë në lidhje me dy seancat e Kuvendit të caktuara javën e ardhshme.

Haradinaj deklaroi se nëse të hënën diskutohet për programin e qeverisë, ministrat dhe ai duhet të jenë të pranishëm në Kuvend.

“Nëse bijnë dakord grupet parlamentare që me u diskutu për programin që e kem dorëzu në parlament, mundë të qëndrojmë, nëse jo mund të lirohemi se kem shumë punë”, tha Haradinaj.

Por ai konstatoi se kabineti qeveritar nuk ka nevojë të jetë në mbledhjen e Kuvendit nëse vazhdon debati i kërkuar nga opozita për votimin e qeverisë pa diskutime më 9 shtator.

“Nëse është veç diskutimi të fillum ma herët në parlament për votimin për qeverinë, ose atë kontestin e mbetur hapur, ne mund ta marrim një vendim së bashku që të lirohemi”, deklaroi Haradinaj.

Ai më tutje i liroi ministrat e tij nga pjesëmarrja e mundshme në seancën ku vetë është thirrur në interpelancë nga LDK-ja për çështjen e ministrit Rikalo.

“Seanca tjetër që është ftu është një interpelancë që nuk ju obligon ju. Është veç për kryeministrin për rastin që e kanë qujt tani Rikalo të ministrit, kolegut tonë”, shpjegoi Haradinaj.

Ai përsëriti qëndrimet e paraqitura më parë rreth ministrit Nenad Rikalo.

“Ne respektojmë gjetjet ligjore të mekanizmave të thirrur për këtë temë e që janë edhe policia, edhe prokuroria, edhe Agjencia e Inteligjencës, të cilët na kanë konfirmu se nuk ka të dhëna që na obligojnë neve si qeveri në çfarëdo veprimi të caktum”, tha Haradinaj.

Më 13 shtator në KTV u shfaq një kronikë në të cilën banorë të një kompleksi banesor në “Dardani” të Prishtinës ku më herët kishte jetuar ministri Nenad Rikalo e akuzuan atë për keqtrajtim të shqiptarëve në kohën e luftës.

Më pas vetë Rikalo reagoi duke thënë se nuk i ka bërë keq asnjë shqiptari.

http://kallxo.com/rikalo-nuk-kam-bere-keq-asnje-shqiptari/

Më 20 shtator BIRN-i mori vesh se Prokuroria Speciale e Kosovës ka urdhëruar hetuesit policorë që të intervistojnë fqinjët e dikurshëm të Rikalos për pretendimet e tyre rreth keqtrajtimit nga ai.

http://kallxo.com/hetuesia-interviston-fqinjet-e-dikurshem-te-nenad-rikalos/

Tri ditë më parë kryeprokurori Aleksandër Lumezi deklaroi se për këtë çështje do të intervistohet edhe Nenad Rikalo.