Haradinaj flet për takimin Arifi- Gjuriq në Berlin

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj në një konferencë për media të mbajtur pas takimit të kryesisë së AAK-së, ka folur për takimi i cili u mbajt dje në Berlin, mes Marko Gjuriqit dhe Avni Arifit.

Për këtë takim, Haradinaj ka thënë se ishte takim formal dhe i rregullt, për të cilin kanë qenë të njoftuar edhe partnerët e koalicionit qeverisës.

“Takimi është formal, është i rregullt, delegacionet e dy palëve në dialog teknik janë taku, nikoqir kanë qenë zyra e kancelares gjermane, unë i kam informuar për këtë takim partnerët e koalicionit qeverisës, e kanë ditë nuk jap informata vet, se skam marr pjesë në takim, nuk ka qenë tema asociacioni, zbatimi marrëveshjes po, por jo asociacioni”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka folur edhe për temat të cila janë folur në këtë takim.

“Temat i dimë saktësisht, marrëveshjet që burojnë nga 2013, dhe shkalla e zbatimit. Ekzistojnë dy versione për shkallën e zbatimit, Serbia akuzon Kosovën se nuk i ka zbatuar marrëveshjen, ankohet tek palët e tjera, ne e kemi verzionin tonë se sa janë zbatuar”, ka thënë kryeministri.

KALLXO.com raportoi më herët për reagimin e të parit të PSD-së, Shpend Ahmeti, për takimin e mbajtur në Berlin, të cilin Ahmeti e ka quajtur të fshehtë dhe të pa pranueshëm.

“Takimi i mbajtur në Berlin në mes të Avni Arifit dhe Marko Gjuriqit, si vazhdim i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ashtu i fshehtë dhe pa kurrfarë paralajmërimi e konsultimi është i papranueshëm dhe shumë i dëmshëm për zhvillimet politike në Kosovë e në dialogun me Serbinë”, ka shkruar Ahmeti

“Përmes Rezolutës për Dialogun që themelon Delegacionin shtetëror dhe Ligjit për Delegacionin që ia sanksionon këtij të fundit të kompetencat dhe përgjegjësitë, deputetët e Kuvendit të Republikës janë përcaktuar për tjetër format të dialogut vendimmarrja për të cilin i takon Kuvendit. Ky mekanizëm për herë të parë ka sjellur në Kosovë vendimmarrje demokratike, transparente, e legjitime për sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, si dhe ka krijuar mekanizëm për konsensus politik e shoqëror. Takimet e tilla të fshehta bien ndesh me të gjitha parimet fondamentale që përfaqëson Delegacioni: pra është takim jo transparent, larg syve të deputetëve e publikut, pa kurrfarë legjitimiteti”, ka shkruar tutje Ahmeti.

Ahmeti ka shkruar se takimi i cili është mbajtur është në kundërshtim të plotë me takimet udhërrëfyese të Platformës shtetërore për Dialogun

“Kuvendi po ashtu ka miratuar Platformën shtetërore për Dialogun e cila ravijëzon qartë parimet udhërrëfyese të Kosovës në dialog. Aty në mënyrë të qartë dhe eksplicite është saktësuar se nuk ka dialog teknik e politike, e aq më pak vazhdimësi e atij lloj dialogu që e kemi pasur deri tash. Kështu që ky takim, dhe temat eventuale që qenkan diskutuar në të, janë në kundërshtim të plotë me parimet udhërrëfyese të Platformës”, ka shkruar Ahmeti.

Sipas Ahmetit, PDS ka pasur qëllim që dialogu me Serbinë për herë të parë të merr një dimension të racionalitetit politik e legjitimitetit demokratik dhe të bazohet në dokumente e takime transparente.

“Prandaj edhe kemi propozuar që Kuvendi duhet ta drejtojë atë. Prandaj edhe i kemi marrë seriozisht Rezolutën, Ligjin e Platformën. Sepse mendojmë se kjo është rruga e vetme se si mbrohet interesi i Kosovës, dhe se si mundësohet përbashkimi mes forcash politike e organizatash shoqërore për një çështje kaq të rëndësishme. E qartë: me talljen e jo seriozitetin e të tjerëve, me protagonizmin e papërgjegjësinë e krerëve institucional, nuk kemi arritur gjë e e kemi pësuar shumë. Nuk ka kurrfarë kuptimi që të vazhdojmë njëjtë”, ka përfunduar Ahmeti.