Kompania e Lidhur me Veselinoviq Merr Tender 75 Milionësh

Një kompani e kontrolluar nga shteti serb, në mënyrë të fshehur i ka dhënë një kontratë ndërtimi 75 milionë dollarëshe një konsorciumi që ka pak përvojë në ndërtim të rrugëve dhe që është e lidhur me partnerë të lartë të koalicionit qeverisës, përfshirë Partinë Përparimtare Serbe (SNS). 

Në majin e vitit të kaluar gjigandi serb i ndërtimit Energoprojekt Niskogradnja dhe kompania e saj amë heshturazi ia ka dhënë kontratën një konsorciumi të tri kompanive – Nukleus, C&LC and Inkop – për ndërtimin e një sektori të autostradës së Korridorit të 11-të, të financuar nga kinezët që e lidh Beogradin dhe Malin e Zi, sipas dokumenteve zyrtare të cilat i ka në posedim Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN). 

Inkop menaxhohet nga biznismeni kundërthënës serb dhe ish-roje e urës nga Mitrovica, Zvonko Veselinoviq, që aktualisht është në gjykim për akuza tjera që lidhen me ndihmesën dhe nxitjen e shpërdorimit të detyrës zyrtare. Ekziston edhe një urdhër arresti për të në Kosovë në lidhje me një listë të veprave penale, duke përfshirë vrasje të rëndë dhe kontrabandë. 

Zyrtarisht kompania është pronë e motrës së tij, Dushica Maksimoviq.

Veselinoviq ka lidhje të ngushta me partinë në pushtet SNS, sikurse edhe me qeverinë praprake dhe në disa raste publikisht e ka pranuar që ka organizuar ngritjen e barikadave në veri të Kosovës në vitin 2011. 

Pronari i Nukleus, Vladimir Jevtiq, ka qenë më herët zyrtar i partisë “Nova Srbija” (Serbia e Re)– po ashtu pjesë e koalicionit aktual qeverisës. 

Ndërtimi i kësaj pjese të autostradës së Korridorit 11, është financuar nëpërmjet një kredie prej 301 milionë dollarëve nga Banka Eksport-Import e Kinës dhe është duke u ndërtuar nga firma kineze Shandong International Economic and Technical Cooperation Group Ltd. 

Në maj të vitit 2013, Shandong kishte nënkontraktuar rreth gjysmën e punës tek Niskogradnja, pjesë e Energoprojekt Holding, në të cilën Qeveria e Serbisë mban 33 përqind të aksioneve. Nga ana tjetër, Niskogradnja kishte emëruar konsorciumin Nukleus, C & LC dhe Inkop që të marrin pjesë në ndërtimin e 24 kilometra shtrirje të autostradës nga Lajkovaç në Ljig.

BIRN po ashtu siguroi një kopje të kontratës kryesore të ndërtimit të arritur ndërmjet Serbisë dhe Kinës pasi që kishte dërguar një kërkesë duke u bazuar në drejtën e qasjes në informacion. 

Nuk kërkohet tender publik

Shandong ishte përzgjedhur për të ndërtuar autostradën pa tender publik për shkak se marrëveshja ishte rezultat i një marrëveshjeje tjetër ndër-shtetërore midis Serbisë dhe Kinës, e nënshkruar në vitin 2009 nga qeveria e Serbisë, e udhëhequr atëherë nga partia Demokratike që tani është në opozitë. Marrëveshjet ndërshtetërore nuk u nënshtrohen rregullave dhe procedurave të brendshme të zakonshme të prokurimit publik. 

Si rezultat, Shandong ka mundur që të nënkontraktojë Niskogradnjan, po ashtu pa ndonjë mbikqyrje publike. 

Nga ana tjetër, Niskogradnja do të mund të nën-kontraktonte punën në fshehtësi tek konsorciumi serb pa ndjekur procedurat e zakonshme të tenderit publik.

Dokumentet e rrjedhura zbulojnë që kontrata kap vlerën e 75 milionë dollarëve dhe kap vlerën, siç thojnë sindikatat e punëtorëve rrugorë, të buxhetit të shtetit për mirëmbajtjen e e tërë rrjetit rrugor të Serbisë për një vit. 

Përderisa dhënia e kontratës tek konsorciumi pa tender publik nuk paraqet shkelje në vetvete të rregullave serbe, kjo padyshim që ka ngritur pyetje për ndershmërinë e marrëveshjes kur të merret parasysh që vetëm njëra nga tri kompanitë në konsorcium ka përvojë paraprake në këtë lloj të punëve. As Nukleus, kompania udhëheqëse e konsorciumit, dhe as Inkop nuk kanë përvojë të theksuar në ndërtimin e autostradave. 

Aktivistë për transparencë dhe politikanë të opozitës pretendojnë që këto lloje të marrëveshjeve krijojnë hapësirë për praktika korruptive pikërisht për shkak të mungesës së mbikqyrjes së shpenzimeve publike në projekte të mëdha infrastrukturore. 

Vendimi për t’i dhënë kontratën një konsorciumi që përfshin kompani të menaxhuara nga Veselinoviq është shumë i diskutueshëm, thotë ish-kryeministri Zoran Zhivkoviq.

“Zvonko Veselinoviq është i përkëdheluri i regjimit aktual. Në fakt jo vetëm i regjimit aktual, por edhe atij të kaluarit,” tha ai.  

“Çdo marrëveshje ndëqeveritare krijon kushte të përkryera për korrupsion sepse ato shmangin të gjitha rregullat e tregut të lirë”. 

Zhivkoviq shkon deri aty sa pretendon që është një “sekret publik” që kompanitë e huaja të përfshira në projekte të mëdha të infrastrukturës janë të “detyruara që të nënkontraktojnë kompani të caktuara”. 

“Kjo ka rezultuar në ndërtime me çmime më të larta se ato në treg e që zgjasin aq shumë sa që këto projekte janë me proporcione biblike…e njëjta gjë po ndodh edhe tani, kur kompanitë e huaja detyrohen të punojnë me njerëz që janë të afërt me autoritetet e të cilët në raste të caktuara ishin përdorur për kryerjen e punëve të pista apo edhe ngritjes së barrikadave”, pohoi ai.

Shandong ka refuzuar që të komentojë për mënyrën se si kontrata i ishte dhënë konsorciumit, apo për lidhjet politike të grupit me partitë në pushtet. 

Zvonko Veselinoviq ka pranuar që të takohet me BIRN-in por nuk ka dashur që të citohet sepse, siç tha ai, një gjë e tillë i ndalohet nga procesi gjyqësor që është duke vazhduar në Serbi për akuzat për ndihmë dhe nxitje të shpërdorim të pozitës zyrtare – që nuk ka të bëjë me kontratën e Korridorit të 11-të. 

Pak përvojë në ndërtim 

Inkop, e menaxhuar nga Veselinovi, sipas një deklarate të dhënë nga vetë ai në vitin 2014 në një gjykatë të Beogradit, zyrtartisht ka qenë e listuar si e specializuar në ‘transport rrugor të mallrave’. Kompania e ndryshoi këtë në ‘ndërtim të rrugëve dhe autostradave’ pas plotë katër muajve pasi që i ishte dhënë kontrata për Korridorin e 11-të si pjesë e konsorciumit.  

Motra e tij e mori Inkop-in falas nga Katarina Milanoviq nga Lazarevac me 26 shkurt të vitit 2013. 

Nukleus, me pronar ish zyrtarin e partisë Serbia e Re, Jevtiq, u regjistrua si e specializuar në ‘ndërtim të rrugëve dhe autostradave’ në shtator të vitit 2014, po ashtu katër muaj pasi që konscoriumi fitoi marrëveshjen për Korridorin e 11-të. Para kësaj kohe, ajo ishte e listuar si kompani e specializuar në ‘tregti me shumicë’.

Shandong kishte kërkuar aprovimin e vendimit  të Niskogradnjas për t’ia dhënë marrëveshjen konsorciumit nga Koridori Srbije – kompania shtetërore serbe përgjegjëse për rrjetin rrugor të Serbisë.  Koridori Srbije e miratoi kërkesën e Shandong mbi bazën që njëra nga kompanitë e konsorciumit, C&LC, ishte zyrtarisht e listuar si e specializuar në ndërtimin e rrugëve. 

Në fakt, C&LC paraprakisht kishte listuar ‘transportin rrugor’ si aktivitetin e vet kryesor të biznesit, duke u regjistruar si ndërtues të rrugëve vetëm në tetor 2013 – shtatë muaj para nënshkrimit të kontratës 75 milionë dollarëshe me Niskogradnja. 

Sipas website të C&LC, e vetmja përvojë paraprakë që ajo ka kufizohet në ndërtimin e rrugës Suboticë-Beograd në vitin 2010 dhe një segment të autostratës Pirot-Dimitrovgrad e ndërtuar në vitin 2012. 

Drejtori i C&LC, Mirko Jevtoviq ka refuzuar t’i përgjigjet thirrjeve të BIRN për të dhënë komente rreth natyrës së saktë të kontratave për autostrada, të listuara si përvojë paraprake në ndërtimin e rrugëve nga kompania e tij. 

Specifikacionet e punës të përshkruara në kontratë, theksojnë që konsorciumi do të jetë përgjegjës për “punët paraprake, punët në tokë, drenazhin, mbrojtjen nga pjerrtësitë, vendosjen e shtresave nën bazë, strukturën, urat dhe kalimet (vendkalimet dhe shkëputjet) si dhe përshtatjen me rregullativat e ujit”.

Megjithatë, Niskogradnja ceket që i mban të gjitha përgjegjësite e inxhinierisë..

Dmitar Gjuroviq, udhëheqësi i operatorit shtetëror të rrugëve Koridori Srbije që ka aprovuar kërkesën e Shandong për ta përkrahur vendimin e Niskogradnja për të nënkontraktuar konsorciumin Nukleus/Inkop/C&LC, i ka thënë BIRN-it që ka qenë një listë e kufizuar kriteresh që duhej të merreshin parasysh gjatë marrjes së vendimit për ta aprovuar një nënkontraktor apo jo.  

“Për ne është i rëndësishëm fakti që së paku njëra nga kompanitë është e regjistruar për ndërtim rrugësh” tha ai. “Ne nuk kemi nevojë ta dijmë se kush është pronar i cilës kompani. Sipas ligjit, ne jemi të obliguar të shikojmë nëse nënkontraktorët i përmbushin të gjitha kërkesat.” 

Lidhjet politike të Jevtiqit 

Vladimir Jevtiq, pronari i Nukleus, deri në vitin 2013 ka shërbyer si anëtar i Këshillit Komunal në Lazarevac pasi që ishte zgjedhur në këtë pozitë si kandidat zyrtar i partisë Serbia e Re. 

Kontrata për ndërtim në mes që qeverisë Serbe dhe asaj Kineze ishte nënshkruar pas disa muajsh nga udhëheqësi i kësaj partie që atëbotë ishte edhe ministër i ndërtimit, Velimir Iliq.

Vetëm pak kohë para nënshkrimit të kësaj kontrate, Jevtiqi kishte blerë 28 parcela toke në afërsi të vendit ku ishte propozuar të kalonte rruga e autostradës së Korridorit 11, nga e cila tani ai po gërmon material ndërtimor për rrugë. 

Kjo blerje i ka mundësuar atij që t’i zvogëlojë shpenzimet dhe ta vendosë atë në pozitë më të favorshme për ta marrë kontratën. 

Jetviq ka mohuar kategorikisht që të ketë përfituar nga lidhjet politike apo që të ketë fituar avantazh nga informatat e brendshme rreth kontratës së autostradës. Ai insiston që ta ketë blerë vendin si rrjedhojë e “sensit të tij biznesor”. 

“Ka qenë vlerësim i imi i pavarur që kjo tokë do të jetë e nevojshme për të ndërtuar autostradën”, i tha ai BIRN-it. “Vetëm kështu ne kemi mundur të japim ofertën më të mirë [te Niskogradnja], ngase këtu e kemi pusin e zhavorit dhe kemi mundur të ofrojmë çmim më të lirë.”

Jetviq i ka thënë BIRN-it që Inkop është bërë pjesë e konsorciumit ngase “Zvonko është shoku im”.

Duke iu përgjigjur shqetësimeve të ngritura për mungesën e përvojës në ndërtim të autostradave, Jevtiq ka deklaruar: “Ju duhet të vini në vendpunishte. Ne jemi duke punuar ditë e natë dhe puna është duke shkuar sipas marrëveshjes. Ne jemi duke bërë një punë të shkëlqyer këtu.”

Në përgjigjen e kërkesës së BIRN për komente, zyra e partisë Serbia e Re dhe anëtari i saj dhe ministri pa portofol, Velimir Iliq, insiston që gjatë kohës sa ka qenë minister për ndërtim në qeverinë e kaluar, nuk i ka dhënë “informata të brendshme” Jevtiqit për ndërtimin e propozuar të autostradës. 

Zëdhënësi i Iliqit në një deklaratë me shkrim ka thënë që: “Vladimir Iliq është një ish-anëtar i (partisë) Serbia e Re dhe Ministri Iliq nuk mban asnjë kontakt me zotëriun në fjalë.”

Udhëheqësi i kompanisë Niskogradnja Holding është Dragan Veljiq, një zyrtar nga partia në qeveri SNS e i cili po ashtu është i regjistruar si drejtor ligjor i kompanisë shtetërore të energjisë elektrike – EPS. 

Duke e pasur parasysh që dhënia e kontratës mbetet e fshehtë ngase ka qenë marrëveshje ndër-qeveritare, nuk është e qartë nëse kompani të tjera kanë ofertuar apo nëse janë ftuar që ofertojnë për të qenë nënkontraktor në Niskogradnja. 

Niskogradnja ka refuzuar kërkesën e BIRN për një intervistë apo për koment për mënyrën e dhënies së kontratës, për lidhjet e konsorciumit me partitë politike apo lidhjet e veta me SNS-në. 

Akuzat kundër Veselinoviqit

Veselinovic ka qenë subjekt i kallëzimeve penale në shumë raste në Serbi dhe në Kosovë. 

Momentalisht ai është në gjykim në qytetin serb në Pirot për ndihmesë dhe nxitje të shpërdorimit të detyrës zyrtare gjatë asaj që besohet të ketë qenë furnizim i paligjshëm me zhavor në vlerë prej 340 mijë dollarë amerikanë për kompaninë Austriake të ndërtimit – Alpine Bau, për ndërtimin e Korridorit 10. 

Sipas aktakuzës së siguruar nga BIRN, Veselinoviq akuzohet t’i ketë dhënë para, kamionë dhe pajisje një kompanie tjetër, Mak 037 që është pronë e një partneri të tij në biznes, Goran Makragiq, që supozohet të jenë përdorur në vitin 2011 për të transportuar zhavorrin e nxjerrur në mënyrë të paligjshme.

Zhavori është përdorur për ndërtimin e Korridorit 10 – autostradën europiane që lidh Nishin me kufirin Bullgar – e që dyshohet të jetë nxjerrë në mënyrë të paligjshme Mak 037.

Inkop po ashtu i ka dhënë kompanisë Mak 037 kamionë me qera për të transportuar materialin por ata nuk dyshohen për ndonjë parregullësi.

Drejtori i Inkop, Milan Miletiq, figuron si dëshmitar i rastit dhe si një nga personat, pasuria e të cilit është bastisur nga policia duke kërkuar dëshmi kundër të akuzuarit. Veselinoviq ka mohuar të kryer ndonjë keqpërdorim. 

Mak 037 nuk kishte patur ndonjë përvojë paraprake në ndërtim të rrugëve, në regjistër nuk e kishte të paraparë aktivitetin me gurore apo ndërtim autostradash dhe akuzohet se kishte dështuar në sigurimin e lejeve të nevojshme për nxjerrje të zhavorit. 

Makragiq po ashtu është në gjykim në Pirot. Ai akuzohet për shpërdorim të detyrës zyrtare por i mohon të gjitha akuzat. 

Në një rast të veçantë, në vitin 2012, Veselinoviq ishte urdhëruar që të dalë para Gjykatës Speciale në Beograd, në lidhje me dyshimet e ngritura nga Prokurori Special i Serbisë që ai kishte marrë kamionë të vjedhur që ishin dhënë me qera nga Hypo Alpe Adria Leasing për kompaninë. 

Euro-kop që e ka bazën në Rashkë është në pronësi të partnerit të Veselinoviqit, Dragan Curqiq. 

Në vitin 2010, Curqiq kishte ndaluar së paguari për 32 mjetet e transportit të marra me qera nga Hypo dhe kështu ishte ndërprerë kontrata. Megjithatë, në vend që veturat të ktheheshin, sipas pretendimeve të Prokurorisë, Curqiq ia kishte dhënë ato Veselinoviqit si mënyrë e pagesës së borxhit që ai kishte në para ndaj tij. 

Veselinoviq dyshohet t’i ketë marrë mjetet e transportit në veri të Kosovës dhe i kishte përdorur ato për punë ndërtimore, duke përfshirë edhe transportimin e materialit për autostradën Prishtinë-Tiranë. Pëderisa më vonë, Veselinoviqi ishte liruar nga të gjitha akuzat, në anën tjetër Curqiq ishte shpallur fajtor për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe ishte dënuar me dy vjet burgim.  

BIRN ka kuptuar që Prokurori do ta apelojë vendimin e pafajësisë për Veselinoviqin në momentin që Gjykatësi do ta lëshojë vendimin me shkrim dhe justifikimin për lirimin e tij nga akuzat. 

Sipas Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, ekziston një urdhërarrest aktiv për Veselinoviqin në Kosovë. 

 “Rasti i Zvonko Veselinoviqit është kompetencë ekskluzive e prokurorëve të EULEX-it. Urdhërarresti është ende në fuqi” i ka thënë BIRN-it, Shyqeri Syla, kryeprokurori i Mitrovicës. 

Zyra e Prokurorit në Mitrovicë ka deklaruar që EULEX-i është duke hetuar për të parë nëse (Zvonko) Veselinoviqi dhe vëllau i tij Zharko kanë pasur ndonjë lidhje me një seri krimesh të cilat kanë rrezikuar personelin e Kombeve të Bashkuara e që kanë të bëjnë me kontrabandim mallrash e deri te vrasja e rëndë. 

Megjithë urdhërarrestin, Zvonko Veselinoviq  është shpesh në Kosovë, duke e kaluar lirshëm kufirin e kontrolluar nga policia e EULEX-it, ajo serbe dhe e Kosovës.

Veselinoviqi dhe SNS-ja

Politikanë të opozitës dhe dy zyrtarë të lartë të SNS-sëqë dëshirojnë të mbesin anonimë i kanë thënë BIRN-it që Zvonko Veselinoviqi është i lidhur ngushtë me partinë e tyre. 

Sipas politikanëve të opozitës, lidhjet e afërtë të Veselinoviqit me SNS-në janë konfirmuar në komunën e Mionikës, dhe atë në dhjetor të vitit 2014, kur Inkop kishte kryer punë ndërtimore që sipas tyre i kanë ndihmuar SNS-së në fushatën për zgjedhjet lokale.    

“Ai kishte qenë në Mionikë disa herë gjatë fushatës, me disa prej njerëzve të tij dhe me vetura sportive. Ai ishte aty gjatë ditës së zgjedhjeve”, tha Milan Gavriloviq, udhëheqësi i degës lokale të Partisë Demokratike. 

“Vetëm pak para zgjedhjve, kamionët e Inkop-it kishin mbushur rrugët me zhavor në marrëveshje me SNS-në që udhëhiqte këtë komunë gjatë asaj kohe. Ata e përdorën këtë gjatë fushatës. Aktivistët e tyre u pajtuan se ku t’i rregullojnë rrugët dhe pas tyre po vinin kamionët e Inkop-it.” 

Një shërbyes civil i Mionikës që ka folur në kushte anonimiteti ka konfirmuar po ashtu që kamionët e Inkop-it po punonin në rrugët e komunës gjatë fushatës. 

Politikani i SNS-së, Boban Jakovleviqi, që ishte udhëheqësi i komunës së Mionikës gjatë fushatës, thotë se ai nuk kishte dijeni që kamionët e Inkop-it ishin në Mionikë. 

“Njerëzit do të thonë gjithçka. Mos i dëgjoni ata,” tha Jakovljeviq për BIRN. 

SNS kishte fituar mbi 60% të votave në zgjedhjet lokale. 

Nënkryetjara e SNS-së dhe e Qeverisë së Serbisë, Zorana Mihajloviq, i tha BIRN-it që ajo nuk e di nëse Veselinoviqi është në ndonjë mënyrë i lidhur me partinë e saj. 

“Sa i përket Zvonko Veselinoviqit, me të vërtetë unë nuk e di se kush është ai. Nuk e di nëse ka ndonjë lidhje me SNS-në, nëse është anëtar apo jo. SNS-ja është parti e hapur dhe gjithsecili ka të drejtë të bëhet anëtar,“ tha ajo. 

Sidoqoftë, familja e Veselinoviqit ka pranuar përkrahje të nivelit të lartë nga SNS-ja. 

Vëllai i Veselinoviqit, Zharko, që ka qenë i përfshirë në biznesin familjar të derivateve gjatë asaj kohe, ishte arrestuar me akuza për vrasje në tentativë dhe për armëmbajtje pa leje në vitin 2013 dhe ishte dërguar në mbajtje nga EULEX.  

Disa muaj pas kësaj, Qeveria e Serbisë – që udhëhiqej nga njerëz të koalicionit të tanishëm qeverisës – e kishin aranzhuar lirimin e tij me kusht, bashkë me tre serbë të tjerë të cilët ishin arrestuar për vepra të tjera penale, pasi që kishin dhënë garancionet shtetërore se ata nuk do të iknin. 

Garancioni shtetëror ishte nënshkruar nga Aleksandar Vuciq, kryetari i tanishëm SNS-së dhe Zëvendës-Kryeministri i atëhershëm.

Zharko ishte liruar nga EULEX në shkurt të vitit 2014 dhe ishte vendosur në arrest shtëpiak për gjashtë muajt e ardhshëm. Më vonë ai ishte dënuar me 12 muaj burgim pasiqë gjykatësi i EULEX i kishte hedhur poshtë akuzat për vrasje, mirëpo e kishte shpallur atë fajtor për pengim të një hetimi special policor në kontrabandimin e naftës në veri të Kosovës. 

Zharko nuk ishte dërguar në burg ngase gjykatësi kishte vendosur që ai tashmë e kishte kryer dënimin e plotë gjatë mbajtjes në EULEX dhe gjatë periudhës së arrestit shtëpiak. 

Vëllezërit Veselinoviq janë shpeshherë të përmendur në publik jo vetëm si persona të afërm me Qeverinë e tanishme të Serbisë e ato të kaluarat, por edhe si persona që kanë fuqi të vendosin apo të heqin barrikadat dhe të nxisin trazira në veri të Kosovës. 

Megjithatë, pas dhunës në pikën kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë në Jarinë në korrik të vitit 2011, komuniteti ndërkombëtar e kishte rritur presionin mbi Qeverinë e Serbisë për arrestimin e Zvonko Veselinoviqit. Për pasojë, atëbotë qeveria e Serbisë e udhëhequr nga Partia Demokratike ishte distancuar nga Veselinoviqi 

Aleksandar Vuçiq, atëherë nënkryetar i SNS-së, e kishte përkrahur publikisht Veselinoviqin në tetor të vitit 2011, duke deklaruar që nëse do të arrestohej ai, atëherë do të duhej të arrestoheshin edhe Borislav Stefanoviq, kryenegociatiori i atëhershëm serb në dialogun me Kosovën nga Partia Demokratike dhe Goran Bogdanoviq, ministri i atëhershëm për Kosovën. 

Sipas Vuciqit, kriminalizimi i Veselinoviqit ishte e barabartë me kriminalizimin e të gjithë serbëve të Kosovës. Mediat në Beograd e kanë cituar Vuçiqin të ketë thënë më 8 tetor 2011 që Veselinoviqi nuk po ndiqej vetëm nga komuniteti ndërkombëtar por ishte shndërruar në cak edhe të strukturave vendore të sigurisë dhe Stefanoviqit. 

“Nëse autoritetet serbe do të tentojnë të arrestojnë Veselinoviqin, atëherë do të kenë probleme serioze, ngase unë kam marrë informata të sigurta që ne do t’ia komunikojmë publikut. Nëse ata e arrestojnë Veselinoviqin, atëherë edhe Borislav Stefanoviq dhe Goran Bogdanoviq do të shkojnë në burg,” kishte thënë Vuçiqi atëherë. 

Shqetësimet për transparencë 

Përfaqësuesit qeveritarë dhe sektori i OJQ-ve kanë këndvështrime të kundërta rreth ndershmërisë dhe vlerës së kontratave të bëra në kuadër të marrëveshjeve ndërshtetërore. 

Grupi avokues Transparency Serbia ka kundërshtuar fuqimisht nënkontraktimin e punës te konsorciumi pa mbikqyrje publike. 

“Situata me Korridorin 11 është vetëm edhe një nga shembujt që tregon se sa e rëndësishme është që të zbatohen ligjet vendore të prokurimit publik që kanë kushte strikte për përzgjedhjen e nënkontraktorëve. Kjo ka ngritur disa shqetësime serioze,” ka thënë Nemanja Nenadiq, drejtori i grupit.

Megjithatë, nënkryetari i SNS-së dhe Ministrja për Ndërtim, Transport dhe Infrastrukturë, Zorana Mihajloviq insiston që verifikimi i nënkontraktorëve është përgjegjësi e kompanisë shtetërore të rrugëve Koridori Srbije dhe ka theksuar që qëllimi i marrëveshjeve ndërshtetërore është arritja e marrëveshjes më të mirë. 

“Këto nuk janë pyetje për ministrinë time”, tha ajo. “Ministria nuk ka asnjë përgjegjësi në përzgjedhjen e nënkontraktorit. Koridori Srbije e ka për obligim ta kontrollojë atë”. 

“Korridori 11 nuk është shembulli i vetëm i marrëveshjeve ndërshtetërore. Ne e kemi edhe Korridorin 11. Është e thjeshtë – ne e kemi zgjedhur opsionin më të favorshëm dhe e kemi bërë atë [përmes marrëveshjes ndërshtetërore]. Vetëm keni parasysh që një pjesë e marrëveshjes për Korridorin 11 është arritur nga qeveritë e kaluara”, shtoi Mihajloviq. 

Velimir Iliq, paraardhësi i Mihajloviqit, theksoi që vendimi nëse kontratat do të bëhen duke u bazuar në marrëveshje ndërshtetërore merret nga e gjithë qeveria. 

Zyra e tij ka lëshuar një deklaratë që thotë: “Këto kontrata janë në interes të Serbisë dhe qytetarëve të saj, duke i pasur parasysh kushtet e favorshme për ndërtimin e autostradave në Serbi, të ofruara nga Banka Kineze Export-Import. Këto marrëveshje në mes të dy shteteve përveç që nuk kanë rrezik të korrupsionit, ato kanë një efekt shumë pozitiv në marrëdhëniet dy-palëshe në mes të Serbisë dhe Kinës.”

Grupe të tjera janë të shqetësuar që mungesa e mbikqyrjes qytetare po u lejon kompanive me pak përvojë që të fitojnë kontrata të majme. 

Sonja Vukanoviq, udhëheqëse e Sindikatës së Punëtorëve Rrugorë, tha që anëtarët e saj janë të zemëruar me faktin që kompanitë pa përvojë fitojnë kontrata në vend të kompanive që kanë krijuar një përvojë të gjatë. 

Ajo theksoi që kjo kontratë është e barasvlefshme me të gjithë buxhetin vjetor të Serbisë për mirëmbajtje të rrugëve, që do të ndahej në mes të 24 kompanive rrugore me 8,000 punonjës. 

“Këta 8,000 punonjës duhet të jetojnë dhe të mbijetojnë gjithë vitin me këto para. Në këtë punë konkrete, këto para i janë dhënë kompanive që kanë shumë pak ose nuk kanë fare punëtorë e të cilat vetëm së fundmi e kanë shtuar si aktivitetet shtrimin e rrugëve. 

“Ka diçka që nuk shkon si duhet këtu”, tha Vukanoviq.

Korridori 11 

Korridori 11 është një nga projektet më të mëdha infrastrukturore të Serbisë, që do ta lidhë Beogradin me portin e Adriatikut në Bar, Mal të Zi. 

Megjithëse nuk është zyrtarisht një rrugë e caktuar nga BE-ja si rrugë ndërkombëtare, autostrada e ka marrë këtë titull të madh duke reflektuar rëndësinë që ka për Beogradin. 

Projekti është i ndarë në dy seksione me hua të marra nga Kina dhe nga Azerbejxhani, si pjesë të marrëveshjeve të veçanta ndër-shtetërore. 

Seksioni i mbështetur nga kinezët ka një hua prej 301 milionë dollarësh nga banka kineze Export – Import Bank of China. Sipas kushteve të marrëveshjes ndër-qeveritare që e rregullojnë huanë, kompania kineze Shandong International Economic dhe Technical Cooperation Group Ltd është duke i kryer punët ndërtimore. 

Seksioni prej 12.5 kilometrash nga Ubi në Lajkovac është ndërtuar nga konsorciumi i kompanive serbe, Putevi Uzice dhe Planum që ka kushtuar 6.4 milionë dollarë amerikanë për kilometër. Ky seksion është financuar drejtpërsëdrejti nga buxheti i Serbisë. 

Seksioni prej 50.2 kilometrash në mes të Obrenovacit dhe Ubit si dhe Lajkovacit dhe Ljigut janë duke u ndërtuar nga Shandongu me nënkontraktorët vendorë. Këto seksione po financohen nga huaja kineze – që referohet si “kredia kineze” në një shumë prej 6.2 milionë dollarë amerikanë për kilometër. 

40.4 kilometrat e fundit nga Ljigu në Preljinë janë financuar nga një hua nga Republika e Azerbejxhanit që ka si kontraktor kryesor Azvirtin, një kompani ndërtimore nga Azerbejxhani. Kjo është pjesa më e shtrenjtë e Korridorit 11, që kushton 8.4 milionë dollarë amerikanë për kilometër.