Barka ‘Insterstellar’ e Shkamb Koshit, Budva, Mali i Zi. Foto: Shkamb Koshi

Në tokën pa det, kosovari ndërton barka oqeanike

Edhe pse asnjë pjesë e Kosovës nuk prek vijën bregdetare, realiteti gjeografik nuk e ka penguar një të ri kosovar të ndërtojë barka peshkimi profesionale që kalojnë oqeanin – që shiten deri në SHBA.

Mungesa e prekjes së Kosovës në ujë të kripur nuk i ka shkatërruar ëndrrat detare të Shkamb Koshit. Ky i ri nga Gjakova pasionin e tij për peshkimin e ka kthyer në profesion – ndërtimi i barkave oqeanike.

Pak kilometra në periferi të Prizrenit, Petrovë, ai ka ngritur vendpunishten e tij në të cilën ndërton barka me fibra të karbonit, të emërtuara Interstellar dhe pjesë estetike për gjigantët e veturave Alfa Romeo, Fiat, Lamborghini dhe Ferrari.

Shkamb Koshi. Foto: Antigonë Isufi/ BIRN

Përderisa 34 vjeçari po punon në përfundimin e barkës së dytë që veçse është shitur për të prekur brigjet e Miamit, Interstellari i parë ka zënë vend në Budva, Mal të Zi. 

Në anën tjetër vazhdon prodhimi i pjesëve estetike të veturave të cilat shiten në Japoni, Amerikë, Angli e deri në Kenia, Madagaskar e Guatemala.

 

“Po me duket që mu ka ba pjesë e trupit tim”

Ka gati 6 muaj prej kur Shkambi dhe ekipi i tij po punojnë për të përfunduar barkën më të shpejtë në kategorinë e saj e cila do të zbarkoj në Miami, SHBA.

Atij ende i duken pak, por pohon se rreth 400 orë të jetës i ka kaluar duke punuar natë e ditë që ta perfeksionoj punën e tyre e cila do ta tejkaloj oqeanin.

Barkën e parë e kishin përfunduar për 9 muaj, ndërsa planifikon që për barkat tjera ta shkurtojnë kohën në 1 muaj e gjysmë.

“Unë i kam ba eshnat në këtë barkë. Gati po me doket që mu ka ba pjesë e trupit tim,” shprehet Koshi në një intervistë për Prishtina Insight.

Barka e parë e Shkamb Koshit, Budva, Mali i Zi. Foto: Shkamb Koshi

Punën me barka, Koshi e ka filluar para dy vitesh. Edhe pse problem për të gjetur punëtorë për industrinë e marinës, ai ka marrë iniciativën që t’i mësoj vetë punëtorët me kulturën e detit.

“Kjo është vizitëkarta jonë, në sensin që nuk ka model saktësisht i veçantë, por mënyra e përpunimit që është ndryshe prej tjerve,” shprehet Koshi.

Interstellar nuk janë barka luksoze të cilat mund t’i përdorësh për shëtitje luksi. Por, barkë teknike e cila sipas Shkambit ka një hapësirë të shfrytëzuar mirë, me karrige të përshatshme, dhoma hermetike dhe detaje tjera, e cila është e ndërtuar specifikisht për peshkim e udhëtime të largëta për të ‘luftuar’ me peshq të mëdhenj.

“Unë e kam një andërr. Është një vend në Miami më i famshmi, grykë që lidh lagunat që lidhen me detin dhe aty kalojnë jahtet ma të shtrenjta, rreth 100 milionë euro. Janë disa youtubers që bëjnë video. Andërr e kam me pa barkën time duke kaluar andej,” shpalosi ai dëshirën e tij.

Synimi për tregun amerikan

Barka në të cilën Shkambi dhe ekipi i tij janë duke punuar është e gjatë 9 metra e gjysmë, me karrige të ushtrisë, amortizatorë  “dhe me pajisje me gjërat ma të shtrenjta.” 

Sipas tij, barkat Interstellar kanë kategori e barkave që ende nuk ndërtohen në Evropë.

Ai thotë që këtë kategori e kanë shpikur amerikanët për detërat më të vrazhda dhe oqeanet. Kjo është arsyeja pse po synojnë më shumë tregun e Amerikës, por edhe të Australisë.

Barka e dytë sipas tij është më tërheqëse për shkak të teknologjisë së të prodhimit, përmes së cilës kanë arritur qëndrueshmërinë 9 herë më të mirë se konkurrenca prej ma të mirave, dhe tri herë më e lehtë.

“Këto produkte shiten si buka në Amerikë e për këtë arsye u shitë në Miami,” thotë Koshi.

Emri “Interstellar” u propozua nga një nga profesorët e tij të kursit që i mësoi atij menaxhimin.

“Ai më tha se prodhuesit e tjerë i quajnë këto barka yje. Yjet e barkave – mbi yjet – ndëryjore”, citoi ai të thoshte profesori.

Barka e parë e Shkamb Koshit, Budva, Mali i Zi. Foto: Shkamb Koshi

Marrë parasysh që të hysh në det është rrezikim i jetës, ai po garantohet që njerëzit që shkojnë 300 km larg,  veç të zënë peshq të jenë të sigurt në të gjitha aspektet. 

“Ti paramendo ne nuk kemi det edhe duhet me prodhu një produkt me njerëz që nuk e kanë pa detin,” thotë ndërmarrësi duke treguar që përveç punës është duke i mësuar punëtorët edhe me kulturën detare.

Sipas tij gjithçka që i duhet një personi që të punoj në barkë është me dashtë manulitetin, me qenë i fascionuar me punën që bënë dhe me pas vullnetin me i futë në funksion duart.

“Secili duhet me u nisë prej pikës që kjo që ti po ia nisë, është fillimi i diçkaje të madhe. Mbas 20 vjete ti ki me fol për këtë barkë. Unë kam pas fatin me qenë këtu,” rrëfen ai.

Si katër vjeçar, Shkambi kishte migruar në Itali, shtet në të cilin kishte përfunduar shkollimin dhe kishte nisur karrierën e tij. Dashuria ndaj veturave kishte bërë që në moshën 21 vjeç të ndërprej studimet për makineri e të kthehet në Kosovë.

Mbas 13 vitesh me biznesin e tij e ka vendosur Kosovën në hartën e botës.

Barka e parë e Shkamb Koshit, Budva, Mali i Zi. Foto: Shkamb Koshi

Koshi thotë që askush nuk e ka mësuar atë që të merret me këtë zanat. Por vazhdimisht duke provuar për 15 vite “ka dështu, u kall, u shkri, ka deviju çka ka lidhje,” e ka arritur këtë sukses.

“Sekreti im është: Mos u bazo në ata që ta imponojnë tjerët, gjej mënyrat e tua. Nëse mendon që ka ndonjë mënyrë tjetër dhe ka përparësitë e saj, provoje,” inkurajoi ai.

 

Kostot e punës e bëjnë më të mirë punën në Kosovë

Duke punuar disa punë në të njëjtën kohë jashtë profesionit të tij para 13 vitesh kishte hapur biznesin e tij për ndërtimin e pjesëve estetike për vetura.

Gjithçka kishte nisur nga pasioni ndaj veturave sportive, prej të cilave kishte filluar në ndërtim të barkave. Tash nuk e ka larg mendsh të planifikoj edhe ndërtimin e droneve të cilat mund t’i vozis vetë njeriu.

“Në Itali thashë është e pamundshme se fuqia punëtore është shumë e shtrenjtë. T’u pa që 90 për qind krejt punë dore edhe kostoja rritet. Kështu që ma mirë në Kosovë,” tregon ai.

Afër tetë vite ka punuar punë të ndryshme: kamarier, udhëheqës në një restaurant për martesa, në diskotekë e krejt paret e kursyera i ka investuar në prova për biznesin e  tij.

“Nuk ka qenë e vështirë me depërtu derisa jam kanë i bindur prej fillimit që duhet me dhez një ditë. I vetmi send është që kam thënë ose bëhet brenda një viti. Më janë deshtë 7-8-9 vite në minus, për me pa të parin plus,” tregon ai.

Tash kompania Koshi Group e ndarë në dy pjesë, për vetura dhe barka, kjo e para prodhon pjesë estetike të punuara me fibra të karbonit për Alfa Romeo, Fiat, Lamborghini dhe Ferrari.

Alfa Romeo Gulia, Prizren, Kosovë. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

“Ambicia ka qenë shumë e madhe per një 21 vjeçar. Po shyqyr nuk kam qenë shumë i pjekur se isha ndal dy-tri herë me mendu. I hina trup  e duroj sa duroj dhe në fund ia ka vlejt,” tregon Koshi.

Koshi thotë që shumë shtëpi automobilistike ia kanë kopjuar pjesët estetike për vetura që ai i ka vizatuar, por nuk i ka paditur për shkak se se ka pa si një gjë të mirë që kompanitë botëtore frymëzohen nga puna e tij.

“Një kompani aq e madhe me gjithë ata inxhinerë e marrin në konsideratë një pjesë time. Po e shoh si dëshmi të punës së mirë,” thotë ai.

Sipas tij, një eksperiment të tillë me vullnet dhe me punë secili mund ta bëj në garazhin e  tij. Nuk është se ka parë diçka më shumë në Itali që ta sjell në Kosovë, ‘internetin e kemi të gjithë, mundet secili me provu vet.’

Koshi thotë që si me prodhimin e pjesëve estetike si me barka mjafton që individi të provoj aftësitë e tij deri kur mund të mbërrij. Por jo të kufizohet brenda atyre që vetëm i janë mësuar gjatë gjithë jetës nga të tjerët.

Problemi më i madh e sidomos për ata që prodhojnë barka, thotë që është fakti që nuk hulumtojnë më thellë por bazohen në vetëm atë që ekziston në treg.

“Krejt këto testimet i bëjmë personalisht vetë. Nuk është që e kam thirrë dikë me i thënë kryma qita, bëma qita, por krejt vet,” shtoi ai.

Shkambi inkurajon të gjithë të rinjtë që të provojnë gjëra të reja pavarësisht dështimeve, në fund dështimet e njëpasnjëshme do kthehen në sukses.

Ky artikull fillimisht është publikuar në Prishtina Insight.