Foto: Kuvendi i Kosovës

‘Hile’ politike mes Thaçit dhe ekipit negociator të Ahmetit e Limajt

Presidenti Hashim Thaçi nuk ka treguar ndonjë vullnet që t’i japë ekipit negociator të Kosovës të dhëna rreth takimeve të tij në Bruksel me homologun serb, Aleksandar Vuçiq, më shumë se që u jep gazetarëve gjatë deklaratave e intervistave të tij të shpeshta të muajve të fundit.

Ekipi i bashkëdrejtuar nga kryetari i Partisë Social Demokrate, Shpend Ahmeti, dhe zëvendës kryeministri Fatmir Limaj, ka kërkuar javën e kaluar nga Presidenti dokumentacionin e negociatave që ky i fundit ka zhvilluar, në disa seri, në Bruksel me Vuçiqin, nën ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini.

Ahmeti, javën e kaluar, i kishte kërkuar Thaçit që këtë dokumentacion t’ia ofrojë deri të premten.

Por kur doli këtë javë para gazetarëve, Ahmeti e zbuti qëndrimin e tij, duke thënë se nuk ka kërkuar dokumentacionin por vetëm informatë rreth temave të trajtuara në dialog.

Madje në takimin e së hënës të thirrur nga kryeparlamentari Veseli me ekipin negociator, presidenti Thaçi nuk mori pjesë fare.

Në lidhje me datën se kur presidenti do ta kryej këtë ‘obligim’ KALLXO.com ka kontaktuar zyrën e presidentit mirëpo këta të fundit nuk kanë dhënë informacione.

Ekipi arsyeton ‘vonesën’ e presidentit

Për ta arsyetuar mungesën e presidentit në takimin e së hënës dhe për ta arsyetuar mosdhënien e dokumenteve nga ana e tij , është përkujdesur kryesuesi e ekipit negociator, Shpend Ahmeti i cili ka thënë që kjo kërkesë është paraqitur si ‘bastisje’ e Presidentit.

“Kërkesën e kemi dorëzuar te Presidenti. Mendoj që mediat e kanë paraqitur gjoja se do të shkojmë ta bastisim Zyrën e Presidentit për të kërkuar se çfarë dokumenti ka, ne kemi dërguar një kërkesë për t’i thënë, ne po shkojmë në Bruksel, ne po dorëzojmë platformë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, na dorëzo të gjithë dokumentacionin në mënyrë që edhe ne të mos dukemi naivë”, ka thënë Ahmeti pas takimit të ekipit negociator.

Sipas Ahmetit, nuk ka pasur ndonjë refuzim, madje në takimin e parë që e kanë pasur, ai tha se Presidenti ia ka treguar të gjitha temat e hapura.

Përveç Ahmetit, për mosdorëzimin e dokumenteve është deklaruar edhe bashkëkryesuesi tjetër i delegacionit, Fatmir Limaj, i cili pas takimit të djeshëm të ekipit negociator u shpreh optimist që presidenti nuk do ti ‘injorojë’ kërkesat e delegacionit.

‘Injorimi’ i presidentit ndaj ekipit negociator, veprim i pritshëm

Sipas njohësit të çështjeve politike, Artan Muhaxhirit, tentativa e ekipit negociator për të imponuar transparencë në këtë proces do të hasë në bllokadë.

“Anëtarët e këtij ekipi duhet të jenë realistë sa i përket fuqisë politike që e përfaqësojnë dhe të sillen në përputhje pragmatiste me të. Nëse synojnë që përnjëherë ta imponojnë ndonjë ndryshim të madh në raport me qasjen e deritashme – e cila gjatë gjithë këtyre viteve është përshkruar me mungesë të transparencës nga të gjitha palët – do të hasin në bllokada substanciale”, tha ai për KALLXO.com.

Në anën tjetër, Imer Mushkolaj, njohës i çështjeve politike në vend tha për KALLXO.com se nuk beson në ekzistencën e dokumentacionit për dialogun e tanishëm.

“Nuk besoj në ekzistencën e atij dokumentacioni, ai ‘dokumentacion’ nuk do të dorëzohet asnjëherë ndoshta mund të ju sqarojë gojarisht se cilat kanë qenë temat e takimeve që i ka pasur me Presidentin e Serbisë por nuk pres që të dorëzojë dokumentacion. Deri sa nuk ekziston një platformë e bisedimeve, deri sa nuk ekziston një agjendë e bisedimeve, nuk di për çfarë dokumentacioni bëhet fjalë”, tha Mushkolaj.

Tutje Mushkolaj ka komentuar edhe deklaratat në të cilat Shpend Ahmeti arsyeton mosdorëzimin e dokumenteve nga presidenti Thaçi.

“Deklaratat që i ka dhënë Shpend Ahmeti për kinse dorëzimin e materialeve më shumë e ka bërë si konsum politik për të treguar që ky ekip negociator e kontrollon Presidentin por nuk besoj se do të ndodhë dorëzimi i çfarëdo dokumentacioni por do të mjaftohen ose do të thonë se Presidenti i ka njoftuar në pika të shkurta gojarisht për çështjet që janë diskutuar eventualisht me Vuçiqin në Bruksel”, tha ai.

Ndërsa analisti Muhaxhiri thotë përfaqësimi i Kosovës në dialog është personalizuar nga Presidenti i vendit Hashim Thaçi, prandaj edhe mosdorëzimi ana e tij ësh5të vendim i pritshëm.

“Presidenti Thaçi e ka personalizuar përfaqësimin institucional kosovar në dialog, prandaj është e pritshme që të tentojë ta ruajë primatin edhe në periudhën përfundimtare, ndonëse pas themelimit të Ekipit Negociator dhe votimit të pritshëm të Ligjit për Dialogun, edhe ai do të duhet të bëjë kompromise për mënyrën e vendimmarrjes dhe përfaqësimit”, tha Muhaxhiri duke shtuar se një konflikt potencial mes Presidentit Thaçi dhe Ekipit Negociator do të ishte jashtëzakonisht i dëmshëm për interesat e Kosovës.

PDK ja nuk e do faktorizimin e Shpend Ahmetit në dialog

Analisti Muhaxhiri ka folur edhe për rolin e Shpend Ahmetit në këtë ekip negociator, për të cilin ka thënë që PDK-ja përpiqet të mos lejojë faktorizimin e tij.

“PDK-ja e ka të qartë që Shpend Ahmeti është politikan me pikëpamje të kundërta politike dhe aleat i gjasshëm i kundërshtarëve të saj në spektrin partiak, prandaj do të përpiqet të mos e lejojë faktorizimin e tij të madh në procesin e dialogut. Mirëpo, për këto intenca do të duhet të ballafaqohet edhe me aleatët tanë ndërkombëtarë, pasi Ahmeti dhe PSD-ja aktualisht vlerësohen për konstruktivitet dhe e kanë përkrahjen e madhe të tyre”, theksoi Muhaxhiri.

Sipas tij, politikanët kosovarë janë të mirënjohur për mungesë të gatishmërisë për konsensus dhe momentet e rralla të pajtueshmërive më të gjera vijnë pas presioneve të mëdha ndërkombëtare.

Ndërsa, sipas Imer Mushkolajt, ekipi negociator dhe Presidenti do të funksionojnë ndarazi.

Ai sheh vetëm rol vëzhgues të ekipit negociator të Ahmetit e Limajt në këtë proces.

“Formalisht mund ta takojë, mund të diskutojnë por edhe presidenti Thaçi i ka përgjegjësitë e veta dhe ekipi negociator i ka përgjegjësitë e veta, kështu që unë më shumë e shoh si punë të ndarë si angazhim të veçantë të Presidentit dhe të veçantë të ekipit negociator sesa punë të përbashkët. Ekipi negociator do të jetë më shumë për monitorimin e procesit sesa përnjëmend do të ketë me kë të negociojë diçka në këtë formë, ndërkaq duke e marrë parasysh që niveli është mes dy presidentësh atëherë Thaçi do ta mbajë barrën kryesore të procesit”, tha Mushkolaj.