Zonja e Mrekullive dhe Misterit

Vetëm disa dhjetëra persona jetojnë sot në Letnicë, një fshat i vogël në juglindje të Kosovës që dominohet nga një kishë katolike, e bukur dhe e larme. Fshati piktoresk dikur popullohej kryesisht me kroatë, por shumica prej tyre e kanë braktisur këtë kënd të varfër të ish-Jugosllavisë gjatë luftërave të viteve 90’të.

Ndonëse ata nuk jetojnë më aty, mijëra rikthehen për çdo vit në këtë pikë takimi për ta festuar ngritjen e shpirtit të Zonjës së Madhe në qiell, që mbahet gjatë mesit të muajit gusht. Shumë pelegrinë arrijnë në fshat, po jo të gjithë janë katolikë. Në mesin e fanatikëve ka  besimtarë krishterë ortodoksë dhe madje edhe myslimanë.

Kryepeshkopi i kishës katolike në Kosovë, Dom Gjergji i tha Gazetës Jeta në Kosovë se fshati ka marrë një pjesë të madhe të famës falë emrit të shquar të Agnesë Gonxhe Bojaxhiut, e njohur më mirë sot si Nëna Terezë, e cila ishte pelegrin këtu gjatë viteve 1920’ta. Murgesha e lumturuar e cila kaloi pjesën më të madhe të jetës së saj në Indi kishte lindur në Shkup të Maqedonisë, në periudhën kur ky qytet ishte nën Perandorinë Osmane.

“Në vitin 1928, kur ajo ishte vetëm 17 vjeç, vizitoi Letnicën dhe gjatë kësaj kohe teksa bëri pelegrinazhet bashkë me prindërit e saj vendosi të bëhej misionare dhe t’ia përkushtojë jetën bamirësisë”, shtoi ai. Zonja e Shenjtë, qendra e atraksionit për pelegrinët e Letnicës, është një statujë e zezë druri, që besohet se është gdhendur më shumë se 400 vjet më parë, në stilin e Mikelanxhelos.

Të shumtë janë ata që thonë se kanë parë lot duke dalë nga syri i statujës, gjatë ditëve të festës, ndërsa të tjerë pohojnë se kanë përjetuar mrekulli shërimi. Çiftet që e kanë të pamundur mbarsjen, edhe myslimane edhe të krishtere, e vizitojnë zonjën e shenjtë për të marrë bekimin e saj për të pasur fëmijë.

Disa udhëtojnë distanca të gjata këmbëzbathur ndërsa të tjerë nëpër duar ose në gojë mbajnë gurë me vete, ashtu siç kishin bërë paraardhësit e tyre, ndër shekuj.

Jovanka Pavic, një pelegrinë në moshën pesëdhjetëvjeçare, ishte një nga banoret e dikurshme kroate që jetonin në Kosovë e cila u kthye për hir të festës, edhe pse kishte ardhur me të mbathura edhe pa ndonjë gurë me vete.

Pavic kishte jetuar në Janjevë, vendbanimi më i madh me komunitet kroat në Kosovë.  Ajo i tregoi Gazetës JnK se çdo vit në gusht udhëton nga Zagrebi në Letnicë.

E ulur në oborrin kishtar, ajo fliste me shoqet e saja për jetën e tyre të mëhershme në Kosovë.

“E kemi pasur traditë që çdo vit ta vizitojmë kishën e Letnicës gjatë mesit të muajit gusht dhe ta festojmë ngritjen e shpirtit të pavdekshëm të Virgjëreshës në parajsë”, shtoi ajo. Ajo shtoi se për sa gjatë që do të jetë gjallë, ka për t’u rikthyer në Letnicë. 

Duke pjekur në skarë një gic të njomë me një shishe birrë të Pejës në dorë, Ivan Kostic, dikur një bujk nga Janjeva i cili tash po ashtu jeton në Kroaci, tha se kishte ardhur bashkë me familjen e tij pesëanëtarëshe.

Fshati i vogël, sot ka vetëm dhjetë shtëpi të banuara, por shumë banorë të mëhershëm rikthehen në shtëpitë e tyre të dikurshme gjatë kësaj feste. Është më shumë se 700 vjet i vjetër, i themeluar nga emigrantët nga Dubrovniku dhe rajoni i Kotorit të cilët u vendosën në Kosovë për të punuar në minierat malore.

 

 

Nuk janë kroatët të vetmit që rikthehen në Letnicë. Shumë të tjerë vijnë gjithashtu, duke e rritur numrin nga dhjetëra në mijëra, dhe kështu duke vendosur tenda dhe strehimore të përkohshme nëpër oborrin kishtar dhe luginat përreth.

Shumë tezga të cilat ofrojnë ushqim ballkanas në skarë, vendosen jashtë kishës.

Në ora 7 në mbrëmje, ditën e diel,  14 gusht, të gjithë mysafirët në oborrin kishtar dhe në luginat përreth, morën drejtimin kah kisha për të marrë pjesë në meshën e fundit para ditës së shenjtë. Pas meshës, e udhëhequr nga Dodë Gjergji në gjuhën kroate dhe shqipe, dyert e kishës ngelën të hapura tërë natën që besimtarët të mund të luten. Mijëra persona u mblodhën pas meshës kishtare, për të ndezur nga një qiri në emër të anëtarëve të familjes që nuk ishin më me ta, dhe për mirëqenie e begati në familjet e tyre.

Në atë turmë ishte edhe Agron Gici, një djalë rom, 16 vjeçar nga Gjilani, i veshur në të zeza. Ai ishte duke u lutur për shpirtrat e prindërve të tij të cilit kishin humbur jetën gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.

Ditën tjetër, Dom Kristë Gjergji, famullitar në kishën e Letnicës, bashkë me peshkopë dhe priftërinj nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Kroacia, udhëhoqën ceremoninë kryesore.

Më shumë se 3,000 persona morën pjesë në meshën qendrore, duke përfshirë edhe gjeneralët e oficerët e lartë të forcave të KFOR’it në Kosovë, për hir të të cilëve disa nga lutjet u lexuan edhe në gjuhën anglezen, frënge, italiane, portugeze dhe gjermane. Gjatë ceremonisë, statuja u shëtit nëpër turmat e njerëzve, të cilët vënë para për të marrë në shkëmbim bekimin e Zonjës së Bekuar në Qiell.

Me pëshpëritjet e përbashkëta “dëgjoje o Zot lutjen time”, ata që veç ishin rrëfyer tek prifti zunë radhët për të marrë bekimin. 
Pas lutjes “O Jezusi im na i fal mëkatet tona, shpëtona prej flakës së ferrit, e çoj në parajsë të gjitha shpirtrat”, Zoje Nokaj, një amvise nga Gjakova tha se nga kjo ceremoni ajo gjithmonë gjen bekim dhe mbështetje të plotë shpirtërore. Si shumë të tjerë, edhe ajo ka për t’u rikthyer në Letnicë gushtin e ardhshëm.