Parlamenti Europian. Foto: Antigonë Isufi/ Kallxo.com

Votimi për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të KiE: Më shumë përkrahje sesa kundërshti

Edhe një copë mozaiku i ka mbetur hartës së Këshillit të Europës (KiE) për ta përfshirë në të shtetin më të ri në Europë. E, nëse Kosova anëtarësohet në këtë organizatë ndërkombëtare lajmi do të bëhet i ditur në njërën nga ditët para 20 majit.

Rruga deri te vendimi përfundimtar tashmë është shtruar. Kjo pasi që raporti i raportueses, Dora Bakyannis që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në KiE, arriti të marrë votat e mjaftueshme, si më 16 prill në Asamblenë Parlamentare, ashtu edhe më 27 mars nga Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci.

Salla kryesore e Parlamentit Europian nuk ishte e mbushur plot në pasditen e vonë të 16 prillit, megjithatë u arrite të sigurohen votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare, nga të cilat Kosovës i duheshin 2/3 e votave, për të dalë triumfuese nga salla prej të cilës dalin vendime shumë të rëndësishme në fushën e të drejtave të njeriut.

Përderisa në njërën anë ndodhej delegacioni i Kuvendit të Kosovës në krye me Saranda Bogujevcin, që pritnin lajmin e mirë, në anën tjetër qëndronte delegacioni i Serbisë që assesi nuk mund ta pranonin që Kosova t’i marrte votat e duhura për t’u anëtarësuar në KiE.

Nga 171 delegatët që morën pjesë në votim, 131 votuan për, 29 kundër dhe 11 abstenuan, në mesin e shumë debateve me pajtueshmëri e kundërshti. Por, pa dyshim edhe duke u bazuar nga votat edhe nga ajo çka u tha brenda asaj salle ngjyrë të kaltër të mbyllur, Kosova pati më shumë përkrahës sesa kundërshtues.

Pas miratimit të raportit të Bakoyannis, e cila u shpreh shumë optimiste për anëtarësimin e Kosovës pa asnjë parakusht të vetëm shtesë, Presidenti i Asamblesë, Theodoros Rousopoulos, me një fjalë e dha lajmin e madh për Kosovën: “U adaptua”. E tha këtë pasi në monitorin kryesor u shfaq numri i madh i votave që mori Kosova.

Asnjë nga amendamentet e propozuara nga Serbia në të cilat Kosova paraqitej si territor i Serbisë dhe shihej si parakusht formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk u miratua. Këto amandamente nuk u miratuan fillimisht as nga Komiteti për Politikë e as në Asamblenë Parlamentare, pavarësisht që këmbëngulja e delegatëve të Serbisë ishte e madhe.

Kryesorja ishte fundi. Votimi ishte çelësi. “Topi” tashmë ka kaluar te ministrat e Jashtëm të Këshillit të Europës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja e 47-të e KiE-së.

Kush i dha krah Kosovës?

Kosova mori përkrahje nga shumica e delegatëve, bile pati edhe zëra që me ngulm kërkonin që shteti që shpalli pavarësinë me 17 shkurt 2008 dhe e kaloi një luftë të përgjakshme duhet ta ketë vendin brenda kësaj organizate.

Qëndrimet më të fuqishme ishin nga tre deputetë të vendeve mosnjohëse të Republikës së Kosovës.

Deputeti ukrainas Oleksiy Goacharenko gjatë fjalës së tij revoltuese për një çast foli edhe shqip, duke thënë se “Kosova është Evropë”, ani pse shteti i tij ende nuk e njeh Kosovën.

“Serbisë dua t’i them: Ne deshëm të ecim me Serbinë si demokraci, por ju kurrë s’do të ndërtoni Perandori Serbe. S’ka më vend për Perandori” – tha deputeti i cili më parë kishte nisur një rezolutë për njohjen e Kosovës nga vendi i tij- Ukraina.

Edhe pse shteti i tij nuk e njeh Kosovën, Iulian Bulai, deputet nga Rumania, tha se e përkrah anëtarësimin e Kosovës duke përmendur vuajtjet e luftës në të cilat ka kaluar ky vend.

Bulai ishte këmbëngulës sa që foli më shumë se një herë duke kundërshtuar edhe deputeten serbe për amanadamentet që propozonte.

Të marrësh një vendim të tillë është shumë i rëndësishëm për një vend që ka kaluar vuajtje të luftës. Kosova është gati dhe e meriton të hyjë në Këshillin e Europës. Ne nuk duhet të shkojmë në rrugën e njëjtë që të krijojmë një Republika Srpska në Kosovë”- tha Bulai.

Edhe deputetja spanjolle, Nerea Ahedo, foli fuqishëm në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në KiE.

“Ne e mbështetëm edhe pavarësinë e Kosovës. Kosova dëshiron të bëhet anëtare dhe raporti thotë me të drejtë se anëtarësimi i tyre e forcon në të drejtat e anëtarëve. Ne e mbështesim këtë raport”- tha ajo.

Dora Bakoyannis në fjaën hyrëse kërkuar para delegatëve në seancën e Asamblesë Parlamentare të votohet PRO që Kosova të bëhet pjesë e kësaj organizate ndërkombëtare.

“Është opinioni im që Asambleja Parlamentare duhet ta ftojë Kosovën të bëhet pjesë e Këshillit të Europës”- tha Bakoyannis para delegatëve në Asamblenë Parlamentare.

Bakoyannis tha që nëse do të obligohej nga Komiteti i Ministrave që të thoshte opinionin e saj mbi shtetësinë, kurrë nuk do ta merrte këtë raport, dhe “do të rreshtohesha me qëndrimin aktual të Greqisë”.

Knut Abraham, deputet gjerman e përgëzoi raportin e Bakoyannis-in për Kosovën duke i vënë edhe epitete si i “mrekullueshëm” e “mbresëlënës”.

“Mbështetje e fort dhe e bazuar në fakte. Kosovarët meritojnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut që ua ofron KiE”- tha Abraham në seancën plenare.

E, Arben Gashi, deputeti nga Kosova që ishte pjesë e delegacionit kosovar në Strasburg tha se kjo çështje nuk ka të bëjë veç me anëtarësim, por edhe me njohje, solidaritet dhe parime themelore- si pjesë e Evropës.

“Anëtarësimi i ynë në KiE, është çështje imperativi moral për të gjithë që besojnë në sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe demokraci”- u shpreh ai.

Politikani nga Shqipëria, Lulëzim Basha gjatë fjalës së tij e përmendi edhe sulmin në Banjskë, të cilin e quajti një skenar të Serbisë, të ngjashëm me atë që ndodhi në Krime, me qëllim që të aneksohej veriu i Kosovës.

“Kosova nuk gëzon të gjitha përfitimet, siç është mbrojtja nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, për qytetarët e saj dhe minoritetet. Çështja është a do të lejojmë qytetarët e Kosovës që t’i bashkohen këtyre përfitimeve apo jo”- tha Basha.

Ndërsa, deputetja austriake, Petra Bayr, u shpreh pro, dhe tha se me anëtarësimin e Kosovës në KiE, do të përfitojnë të gjithë qytetarët e saj. Megjithatë, Bayr u shpreh se Kosova duhet ende të punojë për të drejtat e njeriut.

Përkrahjen e saj e shprehu edhe deputetja irlandeze, Fiona O’Loughlin, duke thënë se qytetarëve të Kosovës u mungon një mjet themelor për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Ndonëse disa deputetë italianë paraprakisht propozuan që para votimit për në KiE, të vendoset si parakusht themelimi i Asociacionit, Piero Fassino delegat nga Italia, tha se të drejtat e pakicës serbe mund të mbrohen më mirë nëse Kosova është pjesë e Këshillit.

Në amendamentin nga Italia të propozuar nga deputetët: Elisabeta Gardini, Marco Scurria, Doenica Spinelli, Ester Mieli, Fabio Pietrella, Lucrecia Mantovani, Maria Chrisrina Caretta dhe Zsolt  Nemeth nga Hungaria shkruante që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të shfaqet dukshëm në shqyrtimin e ardhshëm në Komitetin e Ministrave.

Kush ngriti zërin kundër?

Siç pritej dhe siç ishin bërë paralajmërimet, delegacioni serb këmbënguli që të votohen amendamentet e tyre, por asnjëri prej tyre nuk i mori votat e kërkuara.

Biljana Pantiç Pila nga Serbia kritikoi raportin e deputetes greke duke thënë se çështja e themelimit të Asociacionit të Komunave të Kosovës nuk mund të anashkalohet.

“Ju keni vendosur të shkelni ligjin ndërkombëtar. Nëse lejoni të ashtuquajturën Kosovë të anëtarësohet në Këshillin e Europës pa themelimin e Asociacionit, atëherë Asociacioni nuk do të themelohet asnjëherë”- tha ajo.

Edhe Maja Vukiçeviq, deputete e Malit të Zi, e cila vjen nga partia pro-serbe tha se për serbët Kosova është pjesë e Serbisë, andaj edhe ajo ishte kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE. Kundër Kosovës ajo kishte votuar edhe në takimin e 27 marsit në Paris.

“Për neve serbët, Kosova është pjesë e Serbisë. Mendimi im është që nuk e ndihmojnë dialogun duke e pranuar Kosovën në Këshillin e Europës. Fakti është shumica e OKB-së nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, dhe as pesë vende s’e njeh Kosovën. Marrë parasysh këto nuk mund të themi se nuk është territor i pakontestuar. Duhet të dihet si u fitua ky territor” – tha ajo.

Edhe Branislav Borenoviq nga Bosnja dhe Hercegovina i cili votoi kundër në fazën e parë u rreshtua kundër anëtarësimit.

“Duke vendosur në agjendë pranimin e të ashtuquajturës Kosovës po dëshmojmë kolapsimin e të drejtës ndërkombëtare, në zemër të Europës”- tha ai.

Ndryshe nga Bakoyannks, deputeti tjetër nga Greqia në Asamblenë Parlamentare por nga të majtët europianë, Alexis Tsipras kërkoi që të themelohet Asociacioni.

“Sot e kemi Kosovën në tavolinë. Mbi këtë bazë Kosova paska vendosur për Manastirin e Deçanit. Por kjo nuk është e mjaftueshme për të mbështetur aplikimin. Kosova ka pasur eskalime të shumta. Disa për shkak të Beogradit, por disa edhe për shkak të vendimeve të Prishtinës”- tha ai.

Kundërshtim tjetër erdhi përsëri nga po një vend tjetër fqinj i Ballkanit Perëndimor, nga deputeti i Hungarisë.

Zsolt Nemeth tha se është kundër raportit që u prezantua të raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, për anëtarësimin e Kosovës në KE.

Nemeth ka dhënë tri arsye për këtë kundërshti, duke theksuar se Kosova nuk i ka përmbushur zotimet, duke përmendur edhe mosthemelimin e Asociacionit.

“Janë tri arsye pse nuk e mbështesim raportin. E para, Kosova nuk ka përmbushur zotimet, Asociacioni. E dyta është Serbia. Mohimi i interesave të Serbisë rrezikon stabilitetin” – ka thënë ai.

Për më tepër, opinioni që u miratua në dy faza kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2012 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe rreth Kosovës. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5.

Kosova ka aplikuar më 12 maj 2022, për anëtarësim në Këshillin e Evropës, me dorëzimin e aplikacionit nga zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla.