Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Veturë në vlerë rreth 35 mijë euro shkon në Kushtetuese

Veturë e markës “Skoda Superb 2.0 TDI”, jo më vjetër se e 2021-ës, e thënë ndryshe e prodhuar sivjet, në vlerë rreth 35 mijë euro, pritet të parkohet në oborrin e Gjykatës Kushtetues të Kosovës. Pasi për blerjen e kësaj veture, Kushtetuesja ka nënshkruar kontratë pas përfundimit të procedurave tenderuese.

Më datën 5 të muajit që shkoi, në platformën elektronike për prokurim publik në Kosovë “e-prokurimi”, u publikua thirrja për kontratë për furnizim me automjet zyrtar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Në mes të kërkesave të këtij tenderi, është se vetura nuk duhet të jetë më e vjetër se e vitit 2021.

Për këtë tender, nëpërmjet të cilit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës planifikoi të blinte një veturë, parashikoi kontratë në vlerë deri 35 mijë euro.

E hapur, ishte lloji i procedurës që Gjykata përdori, me kriter për dhënie të kontratës ‘çmimi më i ulët’. Mjetet për këtë aktivitet ishin siguruar nga buxheti i konsoliduar i Kosovës.

Mesi i muaji tetor 2021, ishte edhe afati i caktuar kur, operatorët ekonomik të interesuar mund të ofertonin për këtë tender.

Ditën e djeshme, në “e-prokurimi” u publikua njoftimi për dhënie të kontratës, të cilin njoftim Kushtetuesja e përgatiti një ditë para publikimit. Nëpërmjet njoftimit merret vesh se vetëm një tender është pranuar nga Gjykata Kushtetuese.

Kompania “PORSCHE KOSOVA” Sh.P.K, me vlerë të përgjithshme të kontratës 34,880 euro ofertoi për këtë tender.

Kontrata në mes të kompanisë së sipërpërmendur dhe Gjykatës Kushtetues u nënshkrua dje, më datë 2 nëntor 2021.

Sipas kontratës, që gjeti KALLXO.com, Gjykata Kushtetuese bleu atuomjet zyrtar “Skoda Superb 2.0 TDI”, me vlerë 34,880 euro.

Tutje tek kushtet e veçanta përmendet se koha e ekzekutimit duhet të jetë brenda 30 ditëve, ndërsa sërviset e rregullta duhet të kryhen sipas nevojave, në çdo 10,000 km [kilometra] të kaluara ku përfshihen katër servise të rregullta si: vajin e motorit, filtrin e naftës, filtrin e vajit, filtrin e ajrit dhe filtrin i klimës.

 

 

Shpenzimet për makina, nga Gjykata Kushtetuese pritet të ndodhin edhe në vitin e ardhshëm.

Projektligjin për Buxhetin e Kosovës për vitin 2022, thuhet se shpenzimet e ndodhura në makina e vetura deri në 2021-ën kapin vlerën e 334,430.00 euro, ndërsa si vazhdimësi e vitit 2021, buxhetohen 65,000 euro të tjera.

Ndryshe, KALLXO.com ka raportuar edhe për blerjen e telefonave të mençur. Dy muaj më parë, Gjykata Kushtetuese kishte ndarë gati 10 mijë euro për blerjen e 10 telefonave të mençur.

Gjykata Kushtetuese ndau gati 10 mijë euro për blerjen e 10 telefonave të mençur