(Ilustrim) - Një nga mbledhjet e Qeverisë së Kosovës në janar të vitit 2024 - Foto: ZKM

Transparenca e limituar e qeverisë për agjendën e mbledhjeve

Mungesa e publikimit me kohë e rendit të ditës dhe vendimeve të planifikuara për miratim, po e shoqëron në vazhdimësi punën e Qeveria e Kosovës, duke ngritur pikëpyetje serioze për nivelin e transparencës dhe llogaridhënies publike.

Në shumë raste, gazetarët ftohen të marrin pjesë në mbledhjet e qeverisë pa pasur paraprakisht informacion të qartë për çështjet që do të trajtohen. Rendi i ditës shpesh nuk publikohet me kohë në faqen zyrtare, ndërsa vendimet bëhen publike vetëm pasi miratohen, pa një paralajmërim apo shpjegim paraprak për ndikimin e tyre.

Sipas Imer Mushkolajt, drejtor i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK), kjo praktikë është e papranueshme në një shoqëri demokratike.

“Qeveria duhet të jetë e përgjegjshme përballë qytetarëve për vendimet që merr dhe për punën e vet në tërësi. Rendi i ditës i mbledhjeve të qeverisë duhet të jetë transparent dhe i publikuar me kohë. Është e papranueshme që gazetarët të marrin pjesë në mbledhjen e qeverisë pa pasur informacion se çfarë do të trajtohet aty”- thotë Mushkolaj.

Sipas tij, kjo qasje reflekton mungesë serioziteti në raport me mediat dhe publikun.

“Kjo qasje e qeverisë tregon joseriozitetin në raport me mediat dhe qytetarët por njëkohësisht është shenjë e punës jostransparente dhe papërgjegjësisë për llogaridhënie publike. Vendimet që merr qeveria ndikojnë direkt në jetën e qytetarëve, andaj ata duhet të jenë të informuar me kohë, nëpërmjet mediave, për çfarëdo që ndodh.”

Gazetarët “në terr”

Për redaksitë, mungesa e rendit të ditës krijon vështirësi konkrete në raportim. Gazetarët shpesh nuk dinë cilat vendime do të diskutohen, cilët ministra do të deklarohen pas mbledhjes dhe për çfarë tematike duhet të përgatiten.

Leart Hoxha, kryeredaktor në ATV, vlerëson se mënyra e paralajmërimit dhe publikimit të vendimeve mbetet problematike.

“Pa dyshim që është jotransparente në mënyrën se si i paralajmëron edhe i bën publike vendimet. Në anën tjetër, e vërteta është që kur të miratohen vendimet ato nuk fshehen. Mundet me qenë edhe pasojë e veç mungesës së profesionalizmit të zyrës për komunikim publik. Mirëpo cilado që është – edhe nëse është veç mungesë profesionalizmi – e bën që me qenë transparent kabineti. Nëse ka tendencë që mos me u dhënë informatat për publik, atëherë është mungesë e transparencës edhe është më e rëndë si situatë.”

Sipas Hoxhës, pasojat ndihen drejtpërdrejt në punën e gazetarëve që mbulojnë ekzekutivin.

“Sa i përket gazetarëve mendoj që krejt mediat janë në pikë të hallit kur i mbulojnë mbledhjet e qeverisë, pjesërisht për shkak se ministritë nuk kthejnë përgjigje në pyetje me shkrim që i marrin më pas, për shkak që nuk e dinë rendin e ditës. Për më tepër, nuk e dinë cili prej ministrave ka me dalë në konferencë atë ditë, që kjo është ndoshta arsyeja pse pyetjet që bëhen nuk kanë të bëjnë direkt me mbledhjen e asaj dite ose, në të kundërtën, vendimet e asaj dite nuk sfidohen aty për aty. Për pasojat e tyre raportohet edhe hetohet më vonë nga gazetarët.”

Transparencë formale, por jo paraprake

Edhe pse vendimet e miratuara zakonisht publikohen pas mbledhjeve, mungesa e transparencës paraprake e kufizon mundësinë për debat publik dhe përgatitje profesionale të mediave.

Ekspertët e mediave theksojnë se transparenca nuk nënkupton vetëm publikimin e dokumenteve pasi ato të jenë miratuar, por edhe njoftimin me kohë për çështjet që do të diskutohen. Rendi i ditës i publikuar paraprakisht u mundëson gazetarëve të kërkojnë sqarime, të përgatisin analiza dhe të mbajnë përgjegjës vendimmarrësit në momentin e marrjes së vendimit.

Në mungesë të kësaj praktike, mbledhjet e Qeverisë shpesh reduktohen në një formalitet informativ, ku gazetarët raportojnë për vendime tashmë të miratuara, pa pasur mundësi reale për t’i sfiduar apo problematizuar ato në kohë reale.

Në një sistem demokratik, ku vendimet e ekzekutivit ndikojnë drejtpërdrejt në ekonomi, politika sociale, arsim e shëndetësi, transparenca e plotë dhe e hershme mbetet një element kyç i llogaridhënies publike. Mungesa e publikimit të rregullt të agjendave të mbledhjeve e vendos këtë standard në pikëpyetje dhe e zhvendos debatin publik gjithmonë pas faktit.