Takimi i 18 gushtit ndërmjet kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian

Takimi në Bruksel - Çka pritet nga përballja Kurti-Vuçiq?

Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në Bruksel në një takim të nivelit të lartë, i pari ky që prej rritjes së tensioneve në veri të Kosovës që në fund të majit. Fokusi i takimit të liderëve të dy shteteve me ndërmjetësim të BE-së, do të jetë normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve dhe çështjet aktuale.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq, paraprakisht takimit trepalësh, i teti me radhë, do të zhvillojnë takime të ndara me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, duke filluar nga ora 09:00.

Kështu thuhet në agjendën e BE-së, teksa nënvizohet se në fund të takimit Borrell do të ketë një deklaratë për media.

Për dy vite me radhë, u mbajtën tetë takime të nivelit të lartë, të cilat u përcollën kryesisht shmangien dhe menaxhimin e konflikteve, në vend të zgjidhjes si çështje. Një mori marrëveshjesh morën dakordim nga palët, por si të tilla nuk u firmosën nga dy liderët.

Ndonëse, për një këndvështrim takimi i sotëm po konsiderohet si një ndër udhëkryqet më të rëndësishme të procesit të dialogut, për një tjetër, nga ky miting priten fotografitë e zakonshme, të pasuara me deklarata të ndryshme për shtyp nga të dyja palët, të cilat nuk nënkuptojnë asnjë centimetër lëvizjeje.

Analisti politik dhe sociologu, Artan Muhaxhiri thotë se ulja e dy liderëve në tavolinën e bisedimeve, pas disa muaj përplasjesh, paraqet shans madhor për vendimmarrje progresive.

“Ky takim mund të konsiderohet si një ndër udhëkryqet më të rëndësishme të dialogut, sepse vjen në një momentum tejet specifik. Grumbullimi i problemeve të mëdha, ku prijnë Veriu dhe Asociacioni, e ka zbehur entuziazmin e Marrëveshjes së Ohrit, prandaj tash imponohet një lëvizje kualitative përpara”- është shprehur Muhaxhiri në një bisedë me KALLXO.com.

“Presionet ndaj Kosovës dhe Serbisë do të jenë të mëdha, gjë që do të nënkuptojë se gjithashtu të mëdha do të jenë edhe mundësitë për fitore ose humbje politike”- thekson ai.

Ndryshe mendon njohësja e zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, Johanna Deimel, e cila shprehet se nuk pret diçka të re, përveç fotografive të zakonshme dhe deklaratave të ndryshme nga palët.

“Sinqerisht nuk pres asgjë të re atje. Do të shohim fotot e zakonshme, pastaj deklarata të ndryshme për shtyp nga të dyja palët, të cilat nuk nënkuptojnë asnjë centimetër lëvizjeje. Pushimi veror ka përfunduar dhe Aleksandër Vuçiq tashmë po bën “nxemjet” për zgjedhjet e reja në dhjetor. Kjo do të ndikojë po ashtu edhe në zgjedhjet lokale dhe situatën në veri të Kosovës”- vlerëson Deimel për KALLXO.com.

Fokus i takimit është thënë të jetë edhe zbatimi i deklaratës së BE-së të datës 3 qershor në të cilën janë përmendur tre pika si zgjedhjet të mënjehrshme të reja, sigurimin e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës dhe fillimi i punës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe (AKS), me dialogun e lehtësuar nga unioni evropian.

Analisti Muhaxhiri thotë se kërkesat e BE-së janë tejet të qata dhe realiste dhe se vetëm më anë të tyre mund të arrihet shtensionimi i situatës

“Prandaj, vlerësimi i suksesit të takimit do të bëhet me nivelin e kontributeve pozitive të akterëve në raport me arritjen e tyre. Kushdo që identifikohet si fajtor për dështim eventual të kësaj mundësie, sigurisht do të sanksionohet rigorozisht nga SHBA-të dhe BE-ja”- konsideron ai.

Muhaxhiri thekson  se investimet e mëdha ndërkombëtare në dialog, që janë realizuar gjatë gjithë këtyre viteve, së bashku me vizionet gjeostrategjike dhe gjeopolitike për të ardhmen, “nuk do të lejohen të shkojnë dëm për shkak të ideologjive populiste.

Ndërsa analistja Deimel shprehet se themelimi i Asociacionit është obligim i miratuar në vitin 2013 dhe i ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës, teksa shton se kërkesa për fillimin e zbatimit të AKS-së nuk është e re dhe është e drejtë.

“Po, është një detyrë shumë e vështirë, po aq e vështirë sa edhe përfshirja e vërtetë e serbëve në procesin e përgjithshëm politik të Kosovës. Për këtë, përveç të drejtave të garantuara të pjesëmarrjes politike, duhet të ndërmerren hapa konkretë nga qeveria, nga Albin Kurti, ndaj bashkëqytetarëve të tij serbë”- nënvizon Deimel.

Njohësja e çështjeve të Ballkanit Perëndimor thotë se  instrumentalizimi i komuniteti serb në Kosovë nga Vuçiq përfundimisht vjen në kurriz të vetë serbëve.

“Instrumentalizimi i komuniteti serb në Kosovë nga Vuçiq përfundimisht vjen në kurriz të vetë serbëve. Ata kanë në një masë të madhe vetëm një përfaqësim pro forma dhe janë veçanërisht në veri nën gardën e Beogradit dhe/ose grupeve kriminale. Shqetësuese janë gjetjet aktuale të armëve në Zveçan”- tha Deimel.

Në anën tjetër, sociologu Muhaxhiri vlerëson se kryeministri Kurti është përfshirë në dialog me një bagazh totalisht antidialog.

Ai thotë se në kohën kur kreu i ekzekutivit ishte opozitar, e kishte kundërshtuar këtë proces në plotësinë e tij; idenë, formatin, qasjen, zhvillimin dhe pritshmëritë, dhe sipas Muhaxhirit, Kurti tani s’e ka të lehtë t’i përshtatet dinamikave të imponuara.

“Ka synuar ta faktorizojë lidershipin e vet në raport me SHBA-të dhe BE-në, mirëpo këtë nuk e ka bërë në mënyrën më të mirë të mundshme. S’i ka trajtuar me realizëm raportet e pushteteve, veprim që shpeshherë iu ka kthyer bumerang. Qartësisht, aleatët tanë kriter kryesor e kanë inkurajimin dhe vlerësimin maksimal të çdo kontributi për arritjen e rezultateve konkrete në dialogun normalizues. Vazhdimësia negative nuk është opsion afatgjatë”- ka deklaruar Muhaxhiri për KALLXO.com.

Kurse Deimel thotë se Kosova tashmë është objekt i sanksioneve dhe duhet të përmbushë obligimet e planit franko-gjerman dhe sipas saj Kurti duhet të bëjë lëvizje të qarta në këtë drejtim.

“Kosova tashmë është subjekt i sanksioneve dhe duhet të përmbushë obligimet e Marrëveshjes Franko-Gjermane dhe të dialogut. Albin Kurti duhet të bëjë një lëvizje të qarta këtu. Më lejoni të shtoj në lidhje me Serbinë: Stabilokracia, siç e kam quajtur fenomenin, ishte një lajthitje. Në vend që të japë stabilitet, Aleksandër Vuqiç po e kthen përgjithmonë vidën e përshkallëzimit. Kjo më në fund duhet të ketë pasoja”- përfundon analistja Deimel në bisedën e saj me KALLXO.com.

Takimi i 14 shtatorit, është i pari që po realizohet mes Kurtit dhe Vuçiqit prej rritjes së tensioneve në veri, qysh në fund të majit.

Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit u zhvillua më 2 maj të këtij viti.

Situata në veri të Kosovës është tensionuar kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut po hynin në ndërtesat komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.

Për shkak të tensioneve në veri, NATO-ja ka rritur numrin e ushtarëve në kuadër të KFOR-it.

Kryetarët e katër komunave në veri të vendiit u zgjodhën më 23 prill, votime që u bojkotuan nga partitë dhe popullata lokale serbe.

BE dhe SHBA kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ulin tensionet, përderisa palës kosovare i është kërkuar që të mundësojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ndërkaq asaj serbe që të sigurojnë që serbët të marrin pjesë në votime.

Në fund të qershorit, BE- kishte vendosur disa masa për Kosovën për shkak të mosmarrjes së veprimeve për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, hapa të cilët ishin kërkuar në fillim të qershorit nga përfaqësusi i lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Shtensionimi i situatës, zgjedhjet e reja dhe rikthimi në dialog janë tri pikat e përmendura nga ndërkombëtarët si kërkesa për Kosovën dhe Serbinë.

Nga vitit 2011, Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve.

Ndonëse palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.