“Shpirtrat” e Baletit të Kosovës ju Ftojnë në Kopshtin e Tyre (TV)

Muzika në bodrumin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ishte e vetmja gjë që dëgjohej pasditen e së enjtes në këtë institucion. Te dera, një punëtor i teatrit të drejtonte te “shpirtrat”.

Ata mbajtën provat e fundit tri orë para se të dalin para publikut. Kanë pesë javë që ushtrojnë sesi të sillen si shpirtra. Nuk kanë kohë për të bërë asgjë tjetër, derisa drejtuesja e tyre i fton për ca çokollata dhe verë, të cilën kanë të drejtë ta pinë vetëm pasi të përfundojë krejt prova.
 
Premiera e “shpirtrave” filloi pak minuta pas orës 20:00.

“Kopshti i shpirtrave” titullohet shfaqja e parë e këtij viti e trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës, e dhënë premierë të enjten mbrëma në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Në premierë shfaqja ka mbledhur publik të shumtë, ndërsa autorët shpresojnë numër të njëjtë të shikuesve edhe në reprizën e së premtes. Shfaqja nuk planifikohet të jepet më gjatë këtij muaji, por do të fillojë të shfaqet përsëri në muajin prill.
 
“Kopshti i shpirtrave” fillon me performancën e një grupi balerinash të veshura me fustane të bardha, e me maska në fytyrë.

Njëjtë janë të veshur edhe balerinët që hynë në skenë më vonë. Por fustanet e tyre kanë ngjyrë të zezë. Ky është edhe konflikti i parë vizual në shfaqje, i cili shpërfaqet edhe në lojën e tyre në “kopshtin e përbashkët”.

Me koreografi të maqedonases Risima Risimkin, shfaqja e Baletit të Kosovës sjell një performancë, e cila mbi të gjitha është një kërkim mbi raportet njerëzore nëpërmjet gjuhës trupore.
 
Rutina e “shpirtrave” prodhon konflikt, ndërsa kur rutina thyhet, gjithçka shndërrohet në spektakël baleti.

“Shpirtrat” e Baletit të Kosovës kanë krijuar një “kopsht” në të cilin gjinitë, racat dhe gjeneratat janë në kërkim të lidhjes së tyre që në fakt çon në humbjen e kësaj lidhjeje.

“Është një shfaqje për femrat e meshkujt dhe lidhjen e tyre. Pra ka të bëjë më shpirtrat të cilët nuk kanë gjini. Por gjatë zhvillimit të shfaqjes mund ta kuptojmë sesa është abstrakte lidhja mes gjinive, racave apo gjeneratave”, tha Risikim, e cila drejton Akademinë e Vallëzimit në Shkup dhe njihet si një ndër koreografet më të njohura në skenën bashkëkohore të baletit në Maqedoni.

Ajo e cilëson sfidë realizimin e kësaj shfaqjeje, e cila është krijuar duke u bazuar në një ide origjinale të saj, por që kjo ide ka evoluar gjatë procesit të provave

“Shfaqja është abstrakte, sepse unë nuk bëj shfaqje konceptuale. Mendoj se baleti ka të bëjë me vizuelizimin e një ideje. Kam tentuar të bëj diçka kontemporane, duke u bazuar në njohuritë klasike të balerinëve”, thotë Risikim.

Baleti Kombëtar i Kosovës pret që me këtë shfaqje të udhëtojë drejt vendlindjes së koreografes, teksa ka plane që brenda vitit të japë edhe premiera të tjera ndërkombëtare.

“Në qershor e kemi një premierë botërore në Napoli të Italisë dhe në tetor kemi shfaqje e cila do të bëhet me një koreograf austriak. Shfaqjen e katërt nuk e kemi përcaktuar ende, por i kemi disa ide”, tha Ahmet Brahimaj, drejtor i Baletit të Kosovës.

E deri atëherë “shpirtrat” e balerinëve kosovarë ju ftojnë në “kopshtin” e tyre, nga ku gjithsesi do të dilni të kënaqur.