Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Mbi 300 mijë euro për ekspertë ligjorë e financiarë për mbrojtje në Arbitrazh në rastin e "Z-Mobile" dhe "Iute Credit"

Ministria e Drejtësisë pritet të angazhojë zyra nga Mali i Zi dhe Anglia në vlerë prej 300,900 euro për të kryer ekspertiza ligjore, financiare e ekonomike, për mbrojtje ndaj padisë së Blerim Devollit dhe “Iute Credit”.

Avokati Rados Lolo Kastratoviq me ekspertiza ligjore dhe operatori ekonomik “Alvarez & Marsal Disputes and Investigations LLP” nga Anglia me ekspertizë financiare dhe ekomomike pritet t’i ofrojnë shërbime kompanisë “Patton Boggs” e cila po e përfaqëson Kosovën në Arbitrazh.

Përzgjedhja nga Ministria e Drejtësisë është bërë përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.

Zyrat ligjore, financiare dhe ekonomike (bankare), do të ofrojnë shërbime, duke përgatitur raporte/ekspertiza nga lëmi përkatëse për nevojat e mbrojtjes në përfaqësim, për Avokaturën Shtetërore të Republikës së Kosovës në procedurën e Arbitrazhit Ndërkombëtar, që është duke u përfaqësuar nga firma “Patton Boggs”, për gjatë kohëzgjatjes së të gjithë procedurës në tribunal.

Sipas njoftimit, “Advokat Rados Lolo Kastratoviq” nga Podgorica e Malit të Zi, me vlerë të përgjithshme të kontratës 17,700 euro pritet të ofroj shërbime të ekspertizave ligjore në rastin e Devollit,

KALLXO.com gjeti se avokat Kastratoviq është pjesë e Odës së Avokatëve të Malit të Zi.

Për ekspertizën financiare në rastin “Iute Credit”, Ministria e Drejtësisë ka rekomanduar për kontratë kompaninë “Alvarez & Marsal Disputes and Investigations LLP” nga Anglia. Vlera e përgjithshme e së cilës kap shifrën e 141,600 euro.

Përpos ekspertizës financiare, “Alvarez & Marsal Disputes and Investigations LLP” është rekomanduar edhe për ekspertizën ekonomiko – bankare për “Iute Credit” me vlerë të përgjithshme të kontratës prej 141,600 euro. Në total, kjo kompani nga Anglia do të paguhet 283,200 euro.

KALLXO.com gjeti se kompania “A&M”në fjalë operon më shumë se tre dekada, me standard të vendosur për t’iu ndihmuar organizatave në trajtimin e çështjeve komplekse të biznesit, të rrisin performancën operative dhe të maksimizojnë vlerën e palëve të interesuara.

Kjo kompani numëron mbi 5,500 të punësuar, në katër kontinente të botës, për më shumë se 65 zyre, është prezente në më shumë se 25 shtete të botës.

Nënshkrimi i kontratave me operatorët ekonomikë të rekomanduar pritet të bëhet nga fundi i kësaj jave.

Në muajin prill të këtij viti, KALLXO.com, raportoi se kompania amerikane “Squire Patton Boggs (US) LLP”, pritet ta mbrojë Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Kompania do ta mbrojë Kosovën kundrejt padisë së Blerim Devollit, “Iute Credit”, dhe “Contour”. Për përfaqësimin ligjor, për këto tri pjesë të tenderit, Ministria e Drejtësisë kishte negociuar kontrata gjithsej 1 milionë e 575 mijë euro.

Sipas të dhënave të publikuara, Squire Patton Boggs (US) LLP, është një kompani ndërkombëtare ligjore me gjithsej 45 zyre në 20 shtete. Ajo u formua në vitin 2014 nga firmat ligjore shumëkombëshe Squire Sanders me Patton Boggs me qendër në Washington D.C.

Në faqen zyrtare të kompanisë, e cila përfaqëson Kosovën në Arbitrazh, përmendet se kompania “Squire Patton Boggs (US) LLP”, ka arritur të fitojë rastin në një mosmarrëveshje investive në vlerë 380 milionë euro nga një investor privat gjerman. Duke detyruar kështu paditësin të paguajë mbi 2 milionë dollarë për tarifat dhe shpenzimet e shkaktuara për mbrojtje.

Në muajin gusht të vitit 2020, KALLXO.com raportoi se një tjetër çështje ndërmjet “Telekomit” të Kosovës dhe kompanisë “Dardafon.net L.L.C.” ka përfunduar në Gjykatën e Arbitrazhit. Këtë herë kompania “Dardafon.net L.L.C.” po i kërkon 50 milionë euro nga Telekomi i Kosovës.

90% të aksioneve të kompanisë “Dardafon.net L.L.C.” janë në pronësi të Blerim Devollit, ndërsa kompania “K-com group l.l.c.” i ka në pronësi pjesën tjetër të aksioneve. Kapitali i kësaj kompanie është vetëm 150 mijë euro.

Në dhjetor 2019, BQK mbylli “Monego” dhe “Iute Credit”

Në konferencën e datës 6 dhjetor të vitit 2019, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, kishte bërë të ditur për revokimin e licenës për institucionet mikrofinanciare “Monego” dhe “Iute Credit”.

“Sot Bordi i BQK së duke u bazuar në kompetenca ka vendosur që të revokojë regjistrimin për institucionet mikrofinanciare Monego dhe Iute Credit. Gjatë këtyre viteve kanë devijuar nga planet e biznesit”, citohet të ketë thënë Mehmeti.

Për fatin e kredive, Mehmeti kishte thënë se kredimarrësit do t’i kthejnë kreditë tek likudatori.

“Është emëru likuidatori (zyrtari përgjegjës nga BQK), që sot likuidatori ka shku në zyret e këtyre institucioneve që do të bëjnë procesin e likuidimit gjegjësisht kredimarrësit e këtyre institucioneve do t’i kthejnë kreditë te likudatori i cili do të jetë personi përgjegjës për të administruar procesin e likudimit të këtyre institucioneve në fjalë”, kishte thënë guvernatori Mehmeti.

BQK kishte dalë me njoftim se ku duhet t’i paguajnë klientët e “Monego” dhe “Iute Credit”, këstet e tyre.

Me revokimin e licencës, nuk ishte pajtuar kompania “IuteCredit.

Sipas  “IuteCredit” performanca e grupit të saj nuk do të ndikohet nga revokimi i licencës, pasi dega e Kosovës përbën një pjesë të vogël të portofolit të kompanisë.

Për Kryeshefin Ekzekutiv të IuteCredit” Europe, Tarmo Sild, revokimi i licencës ishte i papritur për kompaninë, por ndikimi i tij financiar në grupin “IuteCredit” sipas tij është minimal.

Me datën 20 dhjetor 2019, “IuteCredit” kishte paralajmëruar arbitrazh ndaj Bankës Qendrore të Kosovës.

Institucioni mikrofinaciar “IuteCredit”, në muajin shkurt të vitit të kaluar, e kishte  dërguar Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë.

Në dhjetor, Arbitrazhi ‘trokiti’ në derën e ministrisë

Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, Ministria e Ekonomisë kishte treguar se ka pranuar njoftim nga Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar (International Centre for Settlement of Investment Disputes) dhe janë njoftuar për hapjen e kontestit me kompaninë “Contour Global”.

“Më datë 24.05.2020 ka qenë e paraparë që të bëhet mbyllja financiare e projektit Termocentrali “Kosova e Re”. Kjo nuk është arritur në kohë dhe pas dështimit të disa tentativave për zgjidhje të kontestit me marrëveshje, kërkesa për arbitrazh është parashtruar në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar nga investitori Contour Global”, thuhet në njoftim.

Tutje është thënë se Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, në bashkëpunim me Avokaturën e Shtetit kanë marrë masa që ky proces të ndiqet dhe çështja të mbrohet në mënyrën më të mirë të mundshme.