Ndërmarrja Publike “Telekomi i Kosovës”, Foto: Valon Fana, KALLXO.com.

Telekomi i Kosovës: Kemi qenë subjekt i një procedure gjyqësore shkelje serioze procedurale

Gjykata e shkallës së dytë ka nxjerr një aktvendim ku ka kthyer në pikën zero rastin mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë Dardafon (Z-Mobile).

Të gjitha paratë që ishin përmbaruar, Ndërmarrjes Publike Qendrore, Telekomi i Kosovës ka thënë se do të kërkojë t’i rikthehen.

Tutje, Telekomi i Kosovës pretendon se procesi gjyqësor ishte përcjellë me shkelje serioze.

“Vendimin e Gjykatës së Apelit e shohim si një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së ligjshmërisë në lidhje me kërkesat legjitime të Telekomit të Kosovës Sh.A.. Telekomi i Kosovës Sh.A. i siguron të gjithë se do të shfrytëzojë të gjitha mjetet juridike në dispozicion, me qëllim të sqarimit të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Sipas Telekomit, shkeljet që ishin evituar nga Gjykata Kushtetuese, u vërtetuan nga Gjykata e Apelit.

“Vendimi i Apelit është në linjë me konstatimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës se kemi të bëjmë me shkelje serioze dhe të rënda kushtetuese në dëm të Telekomit të Kosovës Sh.A., në procesin e procedurës përmbarimore, të cilat shkelje përfshijnë Urdhrin Përmbarimor P.nr.491/19, të datës 15.07.2019”, thekson njopfitmi.

Tutje, Telekomi tha se paratë që ishin në përmbarim e sipër, do të ndërpriten deri në një vendim tjetër përfundimtar.

“Anulimi i Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, PPP. nr. 1486/19 të datës 06.07.2020 nënkupton që pagesat e deritashme nga ana e Telekomit Sh.A. janë bërë pa bazë ligjore dhe këto pagesa do të ndërpriten deri në një vendim meritor të gjykatës, së bashku me përllogaritjen e saktë dhe korrekte të vlerës, e cila do të përcaktohet në vijim në Gjykatën Themelore”, thuhet tutje në njoftimin e Telekomit të Kosovës.

Gjykata e Apelit e kthen në pikën zero rastin e Telekomit dhe “Z-Mobile”

Historia e rastit

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon.net LLC” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim. Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh.

Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie. Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G.

E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.

Në maj të vitit 2017 Telekomi i Kosovës dhe operatori “Z-Mobile” kishin njoftuar  se kishin arritur marrëveshje lidhur me vendimin e Arbitrazhit, i cili e obligonte Telekomin t’i paguante rreth 30 milionë euro dëmshpërblim operatorit “Z-Mobile”.

Gjykata vendos në favor të Z-Mobile, lejon përmbarimin milionësh ndaj Telekomit

www.kallxo.com