Kompania amerikane pritet ta mbrojë Kosovën në Arbitrazh kundrejt Blerim Devollit, “Iute Credit” dhe “Contour Global”

Kompania amerikane “Squire Patton Boggs (US) LLP”, pritet ta mbrojë Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Kompania do ta mbrojë Kosovën kundrejt padisë së Blerim Devolit, “Iute Credit”, dhe “Contour”. Për përfaqësimin ligjor, për këto tri pjesë të tenderit, Ministria e Drejtësisë ka negociuar kontrata gjithsej 1 milionë e 575 mijë euro.

Javën që shkoi, Ministria e Drejtësisë bëri të ditur se ka përzgjedhur kompaninë e cila pritet ta përfaqësojë Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Ky aktivitet i prokurimit kishte të bënte për tri pjesë apo llote.

“Përzgjedhja e një firme ligjore ndërkombëtare për përfaqësimin e Republikës së Kosovës në arbitrazh ndërkombëtar – 3 llote”, thuhej në njoftim.

Për mbrojtjen ligjore të Kosovës në arbitrazh, për këtë tender, Ministria e Drejtësisë ka parashikuar të nënshkruaj kontratë deri 4,100,000 euro.

Në këtë aktivitet të prokurimit, Ministria përdori procedurën e negociuar me kriter të dhënies së kontratës, tenderit ekonomikisht më të favorshëm.

Sipas njoftimit, për këtë tender ishin pranuar 12 oferta, ndërsa dikasteri qeveritar i drejtësisë ka përzgjedhur kompaninë “Squire Patton Boggs (US) LLP” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për kontratë.

Për lotin e parë, që sipas Ministrisë ka të bëjë me padinë e Blerim Devollit, është negociuar që kontrata të ketë vlerë të përgjithshme 575 mijë euro.

Për lotin dy, kundrejt padisë së ‘Iutecredit”, kompania amerikane do ta mbrojë Kosovën përmes kontratës me vlerë të përgjithshme 525 mijë euro.

Ndërsa për lotin tre të këtij tenderi, e që ka të bëjë me padinë e kompanisë “Contour”, përfaqësimi i Kosovës në arbitrazh, për këtë pjesë, ka vlerë të përgjithshme të kontratës 475 mijë euro.

Sipas të dhënave të publikuara, Squire Patton Boggs (US) LLP, është një kompani ndërkombëtare ligjore me gjithsej 45 zyre në 20 shtete. Ajo u formua në vitin 2014 nga firmat ligjore shumëkombëshe Squire Sanders me Patton Boggs me qendër në Washington D.C.

Në sajtin zyrtar të kompanisë e cila pritet ta përfaqësoj Kosovën në Arbitrazh, përmendet se kompania “Squire Patton Boggs (US) LLP”, ka arritur të fitoj rastin në një mosmarrëveshje investive në vlerë 380 milionë euro nga një investor privat gjerman. Duke detyruar kështu paditësin të paguaj mbi 2 milionë dollarë për tarifat dhe shpenzimet e shkaktuara për mbrojtje.

Në muajin gusht të vitit 2020, KALLXO.com raportoi se një tjetër çështje ndërmjet Telekomit të Kosovës dhe kompanisë ‘Dardafon.net L.L.C.’ ka përfunduar në Gjykatën e Arbitrazhit. Këtë herë kompania ‘Dardafon.net L.L.C.’ po i kërkon 50 milionë euro nga Telekomi i Kosovës.

90% të aksioneve të kompanisë ‘Dardafon.net L.L.C.’ janë në pronësi të Blerim Devollit, ndërsa kompania “K-com group l.l.c.” i ka në pronësi pjesën tjetër të aksioneve. Kapitali i kësaj kompanie është vetëm 150 mijë euro.

“Iute Credit”

Institucioni Mikrofinanciar “Iute Credit”, të cilit i është marrë licenca nga Banka Qendrore e Kosovës, e kishte dërguar Kosovën në në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë, për çfarë KALLXO.com ka raportuar edhe më parë.

“Pasi që Banka Qendrore e Kosovës nuk ka dhënë një shpjegim ose zgjidhje në lidhje me heqjen e papritur dhe të paligjshme të licencës nga Iute Credit Kosova, kompania mëmë ka paraqitur një kërkesë për arbitrazh në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë”, thuhet në njoftimin e Iute Credit.

Drejtori i përgjithshëm i IuteCredit Europe, Tarmo Sild kishte thënë se Ligji mbi Investimet e Huaja saktëson qartë se e lejon një investitor të huaj që është trajtuar padrejtësisht, në vend që të përdorë mjete juridike vendore, të ndjekë arbitrazhin.

“Contour Global”

Në muajin dhjetor, Ministria e Ekonomisë kishte njoftuar se ka pranuar njoftim nga Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar (International Centre for Settlement of Investment Disputes) dhe janë njoftuar për hapjen e kontestit me kompaninë “Contour Global”.

“Më datë 24.05.2020 ka qenë e paraparë që të bëhet mbyllja financiare e projektit Termocentrali “Kosova e Re”. Kjo nuk është arritur në kohë dhe pas dështimit të disa tentativave për zgjidhje të kontestit me marrëveshje, kërkesa për arbitrazh është parashtruar në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar nga investitori Contour Global”, thuhet në njoftim.

Tutje është thënë se Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, në bashkëpunim me Avokaturën e Shtetit kanë marrë masa që ky proces të ndiqet dhe çështja të mbrohet në mënyrën më të mirë të mundshme.