Ndërmarrja Publike “Telekomi i Kosovës”, Foto: Valon Fana, KALLXO.com.

Telekomi kërkon t’i kthehen 30 milionë euro nga ‘Z-Mobile’

Rreth 30 milionë i ka humbur deri më tani “Telekomi i Kosovës” përball kompanisë private Dradafon (Z-Mobile) në procese gjyqësore.

Por, proceset gjyqësore doli se kishin telashe në procedura.

Për këtë, Telekomi ka kërkuar që paratë që “Z-Mobile” i fitoi t’i kthej mbrapsht.

Madje, kjo ndërmarrje publike kërkoi nga organet e drejtësisë që rreth 30 milionë euro t’i ngrihen kompanisë Dardafon.

“Sot, Telekomi i Kosovës  ka parashtruar kërkesë te Prokurori i Shtetit për marrjen e masave urgjente për pezullimin/ngrirjen e mjeteve në llogaritë e Dardafon.net LLC në lartësi prej mbi 30 milionë euro dhe kthimin e këtyre mjeteve në xhirollogarinë e Telekomit deri në vendosje përfundimtare të drejtë dhe të ligjshme nga Gjykatat e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Telekomit.

“Po ashtu, Telekomi i Kosovës ka kërkuar që nëse shuma e cekur nuk figuron në xhirollogarinë e Dardafon.net LLC, Prokurori i Shtetit të përdorë mekanizmat për të përcjellë lëvizjen e parasë nga xhirollogaria e Dardafon.net LLC dhe t’i gjurmojë dhe ngrijë llogaritë, kudo që kjo shumë është transferuar”, thuhet tutje në njoftimin e Ndërmarrjes Publike Qendrore.

18 mars, Telekomi i Kosovës njoftoi se Gjykata e Apelit ktheu në rigjykim rastin mes kësaj ndërmarrje dhe “Z-Mobile”.

Siç kishte thënë Telekomi, procesi ishte përcjell me “shkelje serioze procedurale dhe materiale, e cila e ka favorizuar Dardafon.net LLC në dëm të Telekomit të Kosovës”.

“Në bazë të kalkulimeve të deritashme, Telekomi i Kosovës ka paguar miliona euro më shumë se sa shuma maksimale që Telekomi i detyrohet Dardafon-it, në bazë të vendimit të Arbitrazhit No.20990/MHM. E shohim të rëndësishme të sqarojmë opinionin se pikërisht për shkak të kësaj përllogaritjeje  arbitrare dhe të pasaktë të borxhit, nga ana e gjykatës, është kthyer në rigjykim e tërë kjo çështje”, thuhet në njoftim.

Në fund, Telekomi i Kosovës ka thënë se do të vazhdoj edhe me procedura të tjera, për ta mbrojtur ndërmarrjen.

Hisotria mes Telekomit dhe “Z-Mobile”

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon.net LLC” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim. Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie. Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G.

E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.

Në maj të vitit 2017 Telekomi i Kosovës dhe operatori “Z-Mobile” kishin njoftuar  se  kishin arritur marrëveshje lidhur me vendimin e Arbitrazhit, i cili e obligonte Telekomin t’i paguante rreth 30 milionë euro dëmshpërblim operatorit “Z-Mobile”.

Gjykata vendos në favor të Z-Mobile, lejon përmbarimin milionësh ndaj Telekomit