Iute Credit

"Iute Credit" e dërgon Kosovën në Arbitrazh

Institucioni mikrofinanciar “Iute Credit”, të cilit i është marrë licenca nga Banka Qendrore e Kosovës, e ka dërguar Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë.

“Pasi që Banka Qendrore e Kosovës nuk ka dhënë një shpjegim ose zgjidhje në lidhje me heqjen e papritur dhe të paligjshme të licencës nga Iute Credit Kosova, kompania mëmë ka paraqitur një kërkesë për arbitrazh në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë”, thuhet në njoftimin e Iute Credit.

Drejtori i Përgjithshëm i IuteCredit Europe, Tarmo Sild thotë se Ligji mbi Investimet e Huaja saktëson qartë se e lejon një investitor të huaj që është trajtuar padrejtësisht, në vend që të përdorë mjete juridike vendore, të ndjekë arbitrazhin.

“Ne kemi përjetuar dhe konkluduar deri tani, se në Kosovë nuk mund të mbështetet në një proces gjyqësor vendor ose administratë publike transparente, që bazohet në sundimin e ligjit. Kjo është arsyeja pse ne kemi zgjedhur rrugën që është më efikase për të korrigjuar situatën, ku Banka Qendrore e Kosovës ka revokuar papritur dhe në mënyrë të paligjshme licencën e biznesit nga filiali ynë në Kosovë, dhe për të vazhduar në arbitrazhin ndërkombëtar”, tha Sild.

“Sigurisht që do të preferonim që Banka Qendrore e Kosovës të mos e kishte ekzekutuar këtë vendim të kundërligjshëm në radhë të parë. Por sot, shkaku ynë kryesor për të vazhduar në arbitrazhin ndërkombëtar është për shkak të dëmtimit që i është bërë reputacionit tonë dhe pasurive tona”, shpjegoi Sild.

Sild tha se kjo ishte një shkelje e detyrimeve të Kosovës sipas Ligjit të saj për Investime të Huaja ndërsa nuk kishte asnjë arsye të vlefshme për këtë veprim.

Sipas IuteCredit Europe, duke revokuar licencën e biznesit, Kosova ka shkelur disa detyrime sipas Ligjit për Investime të Huaja, siç është detyrimi për të trajtuar “Iute Credit” me një trajtim të drejtë dhe të barabartë sipas neneve 3, 5, dhe 7.

“Neni 3 paragrafi 1 – detyrimin për të siguruar mbrojtje dhe siguri të plotë për IuteCredit sipas nenit 3 paragrafi 2 – detyrimet për të mos ndërhyrë ose dëmtuar investimin e Iute Credit sipas nenit 3 paragrafi 4 – detyrimin për të përmbushur detyrimet e Republikës së Kosovës të krijuara me ligj ose akte të tjera ligjore, sipas nenit 5 paragrafi 1, dhe detyrimin për të mos shpronësuar investimet e Iute Credit pa kompensim të menjëhershëm, adekuat dhe efektiv sipas nenit 7”, thuhet në njoftimin e Iute Credit.

Drejtori i Përgjithshëm i IuteCredit Europe, Tarmo Sild ka thënë se shuma e cila do të kërkohet si kompensim, do të përcaktohet në Arbitrazh.

“Sot, IuteCredit është vendosur në një pozitë jashtëzakonisht të padrejtë në Kosovë dhe për këtë arsye ka pësuar humbje që duhet të kompensohen. Shuma specifike do të përcaktohet në këtë arbitrazh”, deklaroi Sild.

IuteCredit është institucion mikrofinanciare me origjinë Estoneze që përqendrohet kryesisht në kreditë me këste, përfshirë kreditë e makinave.

Kompania operon në Moldavi, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Bullgari dhe Bosnje dhe Hercegovinë.

Bordi ekzekutiv i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), më 6 dhjetor 2019 ka marrë vendim për mbylljen e institucionit financiar jo bankar “Monego” dhe institucionit mikrofinanciar “Iute Credit”.

Këtë e kishte bërë të ditur guvernatori i BQK së, Fehmi Mehmeti në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

“Bordi i BQK-së duke u bazu në kompetenca ka vendosur që të revokojë regjistrimin dhe të inicojë procedurat e likuidimit për institucionin mikrofinanciar “Iute Credit” dhe institucionin financiar jo bankar “Monego”. Gjatë këtyre viteve kanë devijuar nga planet e biznesit”, ka thënë Mehmeti.

Mehmeti ka thënë se në kohën kur këto dy institucione, “Monego” dhe “Iute Credit” kishin aplikuar për licencë në BQK, kishin dorëzuar një plan biznesi nga i cili këto vite ato kanë devijuar vazhdimisht.

Devijimi më shqetësues sipas Mehmetit është norma e lartë e interesit që këto institucione kanë aplikuar në kredi të cilat kanë qenë shumë më të larta nga ato që i kishin paraparë.

“Gjatë këtyre viteve të operimit të tyre në Kosovës këto institucione në vazhdimësi kanë devijuar nga këto plane të biznesit duke i sjell tregut diçka tjetër nga ajo që kishin premtuar. Devijimi më shqetësues ka të bëj me normën e interesit që këto institucione kanë aplikuar në kredi të cilat kanë rezultu të jenë shumëfish më të larta në krahasim me normat që këto institucione kishin paraparë në planin e tyre të biznesit, dhe me mesataren e normave të tjera të interesit në Kosovë”, ka deklaruar Mehmeti.