IuteCredit paralajmëron arbitrazh ndaj BQK-së

Përfaqësues të bankës estoneze IuteCredit paraqitën shqetësimin e tyre ndaj vendimit për mbyllje të kësaj banke nga Banka Qendrore e Kosovës.

Korab Sejdiu, avokat mbrojtës i IuteCredit thotë se është i angazhuar të sfidojë vendimin e BQK-së dhe do analizojë ngjarjet që i kanë paraprirë këtij vendimi.

“Do përdorim mjetet juridike që kemi në dispozicion, gjë që mund të na çojë në konflikt administrativ me departamentin e gjykatës themelore të Prishtinës, do kërkojmë nga gjykata shtyrje të ekzekutimit të vendimit deri në një vendim definitiv nga gjyqësori duke marrë parasysh se ka shkelje të mëdha në marrjen e këtij vendimi, përfshirë pasaktësi faktike. Ka pasur shkelje dhe cenim të drejtave kushtetuese si neni 10,32,36, BQK ka bërë hapin e fundit të parin,” u shpreh Sejdiu.

Më tutje Sejdiu theksoi edhe pasojat që mund t’i ketë Kosova nga arbitrazhi ndërkombëtar.

“Brenda disa ditëve do dërgohet shtyrja e vendimit në gjykatë, ta shpëtojmë IuteCredit nga likuidimi, t’i ruajmë 340 vende pune. Do mund të ketë padi në gjykatën e arbitrazhit me dëme deri 12 milionë euro. Të heqim njollën diplomatike të Kosovës për shtetin që e ka përkrahur që nga fillimi, besoj se këto padrejtësi do rishikohen në gjyqësor”, përfundoi Sejdiu.

Rauno Kinkar, përfaqësues i lartë i IuteCredit tha se kompania IuteCredit ka fituar 14 milionë euro nga operimi këtu.

Më tutje ai tha se ky vendim kishte shokuar përfaqësuesit në pikat qendrore në Estoni dhe se do marrin çdo hap të mundshëm madje edhe të ankohen në gjykatën e arbitrazhit në Washington për ta rikthyer punën.

“Kur vendimi është marrë më 6 dhjetor në ishim të shokuar si të na binte një bombë, vendimi është i paligjshëm dhe ne do marrim çdo hap nga drejtësia këtu e deri në gjykatën e arbitrazhit në Washington DC për milionat e humbura,” shtoi tutje Kinkar.

Më tej ai përmendi edhe faktin që kjo ndikon edhe në marrëdhëniet diplomatike pasi Estonia e ka njohur Kosovën menjëherë në vitin 2008 dhe e ka përkrahur në anëtarësimin e organizatave të ndryshme.

“Kjo është një çështje ndërkombëtare dhe diplomatike. Dua të ju kujtoj se ne kemi  njohur vendin tuaj dhe përkrahur anëtarësimin e në organizata të ndryshme, ministri i punëve të jashtme ka kontaktuar homologun e tij në Kosovë për sqarim të këtij vendim. Kjo nuk është koha për përlarje diplomatike, ne jemi këtu për të gjetur një zgjidhje miqësore në mënyrë që operimet tona  të rikthehen dhe të ndërpritet procesi i likuidimit dhe të shmangen dëmet e aksionarëve të IuteCredit,” përfundoi Kinkar.

Evelin Karter kryesuese e zyrës ligjore të IuteCredit tha se ky vendim nuk ka bazë dhe nuk ka pasur njoftim paraprak, duke shtuar se ata kanë dorëzuar planin BQK-së në vitin 2017 gjatë procesit të aplikimit për licenca.

Ajo më tutje shtoi se e kanë paralajmëruar BQK-në për ndryshimet që do bëjnë dhe se kanë dorëzuar edhe panin e ri më 14 nëntor por nuk kanë marrë përgjigje.

Kurse sa i përket akuzave për aksionarët ajo tha se ato janë të pabaza sepse këta aksionar respektohen kudo ku kanë pika nëpër rajon dhe lajmi se interesi i kamatës  në IuteCredit shkon në 236% është një informacion i gabuar.

Më 6 dhjetor të vitit 2019, IuteCredit Evropa, e morri vendimin nga Banka Qendrore e Kosovës për revokimin e licensës.

Vendimi i BQK-së përcakton se arsyet për revokim janë aksionarët e ICKO-së nuk janë adekuatë dhe se ICKO nuk ka siguruar përdorimin e normave efektive të interesit me planin e biznesit në kohën e dorëzimit të tij në vitin 2017.

Vendim të ngjashëm, BQK e mori edhe ndaj bankës “Monego”.

BQK mbyll ‘Monego’-n dhe ‘Iute Credit’-in