Myzejeni Kokomani 76 vjeç dhe Zyhdi Gallushi 85 vjeç, një çift të moshuarish banorë të lagjes 8 në Durrës, | Foto : Elira Kadriu

Të burgosur në shtëpi; përshtatja me izolimin gjatë COVID-19

Masat shtrënguese të distancimit social të cilat dominuan përditshmërinë gjatë tre muajve të fundit i sfiduan shumë prej nesh të përshtaten me zbrazëtinë e të qenit të burgosur brenda shtëpisë. 

 

Puna e Olta Almetës bie në kontrast të fortë më periudhën që po kalojmë, kur për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri SARS-CoV-2, kufijtë janë mbyllur, fluturimet janë ndaluar dhe për shkak të masave të distancimit social ajo është izoluar në shtëpi.

“Ne, punonjësit e aviacionit e konsiderojmë veten zogj të lirë, ndërsa tani na janë këputur krahët, ndjehemi të burgosur,” shprehet asistentja e fluturimit 27-vjeçare. “Për ne nuk është thjesht punë, është pasion,” shton ajo, duke theksuar se gjatë karantinës ka pasur “luhatje humori dhe ndjenja zbrazëtie.”

Myzejeni Kokomani 76 vjeç dhe Zyhdi Gallushi 85 vjeç, një çift të moshuarish banorë të lagjes 8 në Durrës,  periudhën e izolimit e kanë përballuar duke e vrarë kohën me “kafe dhe telenovela turke.”

“Javët e para nuk kemi dal fare, ushqimet na i ka marrë një fqinje, trokiste dhe kur e dëgjoja që ajo hynte në apartamentin e saj, dilja për ti marrë,” kujton Myzejeni.

“Më 18 prill, herën e parë që u lejuan pensionistët, kam dal për të bërë ca hapa me burrin pasi ai e ka vuajtur më shumë,” theksoi ajo, ndërsa shtoi se “ne gratë jemi mësuar në shtëpi, për më tepër jemi më të forta.”

Situata e pandemisë i nxori shumë prej nesh me forcë nga zona e rehatisë, duke na detyruar të përshtatemi me ndryshimet që sollën masat shtrënguese të distancimit social.

Pas shfaqjes së rasteve të para me COVID-19, në javën e dytë marsit qeveria mbylli shkollat, baret, restorantet, ndaloi aktivitetet kulturore dhe sportive, duke synuar sheshimin e kurbës së pandemisë.

Deri të hënën me 25 maj, në Shqipëri janë infektuar 1004 persona me SARS-CoV-2, nga të cilët 32 pacientë kanë humbur jetën, 795 janë shëruar dhe 177 mbeten raste aktive.

Izolimi nuk ka qenë i lehtë edhe për Mario Celanjin, një 22-vjeçar që studion menaxhim-biznesi në Tiranë, pasi mbyllja e kufirit me Maqedoninë e ka mbajtur larg nga e dashura e tij që banon në Shkup.

“Jetonim një lidhje në distancë që para karantinës por takoheshim rreth dy ose tre herë në muaj, por kjo ishte hera e parë që qëndrojmë kaq gjatë larg njëri-tjetrit,” tha ai.

“Por realisht po e shoh si një test pasi distanca të konfirmon më shumë ndjesitë ndaj partnerit, gjë që në normalitet nuk e ndjen kaq fort,” shtoi Celanji.

Mario shpjegon se gjatë periudhës së gjatë që nuk janë takuar bashkë, dy të rinjtë kanë qenë vazhdimisht në kontakt nëpërmjet aplikacioneve me video. Pavarësisht mungesës që ndjen për njeriun e dashur, ai gjykon se periudha e izolimit është një eksperiencë që do ta shënjojë brezin e tij në vitet që do të vijnë.

“Kemi dëgjuar për Ebolën, për gripin Spanjoll, por të jemi ne ata që do të tregojmë për koronavirusin më jep ndjesinë e të qenit dëshmitar te një periudhe transformuese të mbarë globit,” tha ai. “Ne jemi personazhet për të cilët do të flitet në të ardhmen e afërt,” shtoi 22-vjeçari.

Izolimi gjatë COVID-19 ka qenë një sfidë më vetë edhe për Merlin*, një vajzë transeksuale që e siguron jetesën si punonjëse seksi në Tiranë.

“Bllokimi i lëvizjes e ka bërë të pamundur edhe lëvizjen e klientëve tanë,” shpjegoi ajo. “Për më tepër frika se punonjëset e seksit kanë kontakt me shumë persona e ka ulur edhe kërkesën për punë,” shtoi Merlin.

Duke qenë se nuk kishte punë në Tiranë, karantinën ajo e ka kaluar në qytetin e lindjes pranë familjes.

“Familja ime është mbështetëse ndaj meje, por sërisht nuk mund të jem vetvetja pasi nuk mund të vishem dhe të sillem, ashtu siç dua,” tha ajo, duke shtuar se kjo ka qenë periudha me e gjatë që ka shpenzuar në vendlindje në 8 vitet e fundit.

“Jam ndjerë shumë vulnerabël dhe e frikësuar për të ardhmen, ndjesi që i përjetoj në përditshmëri, por gjatë karantinës i kam përjetuar në doza më të mëdha,” theksoi Merlin.

E shqetësuar për të ardhmen dhe karrierën e saj është edhe Olta Almeta, duke qenë se industria ajrore është një nga sektorët më të prekur të ekonomisë nga COVID-19. Duke qeshur ajo pohon se me uniformën e re ka më shumë shanse të ngjasojë me një infermiere sesa me një asistente fluturimi.

“Mendoj se fillimisht do ketë pak fluturime pasi njerëzit do të jenë të frikësuar dhe do të udhëtojnë vetëm për arsye bazike,” tha ajo. “Do të instalohen rregulla të reja deri në krijimin e vaksinës” parashikoi Olta.

Edhe pse i kanë zbatuar me përpikmëri, Zyhdiu dhe Myzejeni e kanë të vështirë t’i pranojnë rregullat strikte të distancimit social që prej gati tre muajsh i mbajnë larg njerëzve më të dashur. Ato shpresojnë që kufizimeve të pandemisë t’i vij sa më shpejt fundi.

“Ne gëzojmë kur shohim shtëpinë plot, këto ditë që na kanë mbetur duam të përqafojmë nipërit dhe mbesat, fëmijët e tyre, ne për këtë jetojmë,” tha Myzejeni. “Nëse nuk na hyn njeri në derë, të na marrë virusi që tani,” përfundoi ajo.

*Emri është ndryshuar për të ruajtur privatësinë e të intervistuarës.