Djem të rinj qëndrojnë përpara rrënojave të shtëpisë së Adem Jasharit në Prekaz, e shkatërruar nga forcat serbe në mars të vitit 1998. Foto: Joakim Roos
"Lufta kishte përfunduar, ata ende fshiheshin në mal": Fotografi suedez kujton raportimin gjatë luftës në Kosovë
Fotografi suedez Joakim Roos, i cili raportoi nga pjesë të ndryshme të Kosovës gjatë luftës 1998–1999, ka ndarë momentet më të paharrueshme nga puna e tij. Ai planifikon të publikojë një libër që përmban gjithë materialet që ka mbledhur, me synimin për t’u rilidhur me njerëzit që i ka takuar.
Joakim Roos ende ruan një regjistrim nga njëra prej vizitave të tij të para në Kosovë në vitin 1998 — një takim me një grua të moshuar në fshatin Abri e Epërme të Drenasit, në zi për humbjen e gjithçkaje.
Në një intervistë për BIRN, fotografi suedez kujton se gruaja i kishte thënë “forcat serbe mi vranë dy vëllezër dhe dy mbesa në atë udhëkryq”, teksa fshinte lotët me një shami.
“Njëzet e dy arkivole kanë dalë nga familja ime” – kujton Roos t’i kishte thënë ajo.
Roos kujton se e moshuara jetonte në rrënojat e shtëpisë, në një bodrum ku ruante patate, pasi shtëpia i ishte shkatërruar.
“Çfarë u kemi bërë ne?” kishte thënë ajo. “Pse vijnë prej aq larg për të na vrarë këtu? Ne nuk shkuam t’i vrasim atje.”
Fjalët e saj ende jehonin në kujtesën e Roos: “E masakruan një fëmijë të vogël, ende me biberon në gojë — fëmija i vëllait tim. Gjithçka ka vdekur. Çka ka mbetur janë shtëpi të djegura dhe bosh. Shtëpitë nuk janë terroristë, fëmijët nuk janë terroristë, lopët nuk janë terroristë,” kishte thënë ajo.
Nga nëntori deri në dhjetor të vitit 1998, Roos udhëtoi nëpër rajonin e Drenicës, duke dokumentuar jetën dhe shkatërrimin në fshatra si Braboniq, Polac, Çirez, Baks, Prekaz, Rezallë, Likoc dhe Abri e Epërme. Ai gjithashtu dokumentoi ikjen masive të shqiptarëve të Kosovës në kampet e refugjatëve në Bllacë të Maqedonisë së Veriut.
Roos punonte për gazetën Göteborgs-Posten, ku edhe publikoi “Shpirti i humbur i Kosovës” dhe “Një javë terrori në Drenicë”.
Udhëtimi i tij i parë në rajon ishte në nëntor 1998, kur fluturoi për në Beograd, mori një autobus për Mitrovicë dhe qëndroi te familja Berani, që më herët kishin qenë refugjatë në Suedi. Djali i tyre, Fuadi, vepronte si përkthyes i Roos, deri kur u vra gjatë luftës.
Ndalesë për t’u kthyer

Në mars 1999, kur filluan bombardimet e NATO-s kundër ushtrisë jugosllave, Roos tentoi të kthehej në Kosovë, por iu mohua viza nga ambasada jugosllave në Stokholm.
“Isha në listën e zezë të Millosheviqit” – shpjegoi ai.
I vendosur, ai shkoi në Shkup, më pas udhëtoi përgjatë rrugëve të refugjatëve për në Bllacë, Tetovë dhe më vonë në Kukës e Morinë të Shqipërisë.
Përfundimisht, ai u kthye në Shkup, ku ishte dëshmitar i kaosit dhe dëshpërimit në “tokën e askujt” në kampin e refugjatëve në Bllacë, ku ishin strehuar qindra mijëra shqiptarë të Kosovës.
“Lufta ka mbaruar”

Kur trupat e NATO-s hynë në Kosovë në qershor 1999, pas fushatës tremujore të bombardimeve dhe tërheqjes së forcave policore e ushtarake serbe, Roos u kthye sërish. Ai kujton një moment emocional kur një familje që fshihej në mal, nuk e dinte se lufta kishte mbaruar.
Familja Hasani, që jetonte afër fshatit Braboniq, ishte bërë e afërt me Roos nga vizitat e shumta që ai bënte.
“Aterova në Shkup dhe u nisa për Mitrovicë. Ushtria Jugosllave ishte ende afër stacionit të autobusëve. Vetëm disa qindra metra më tutje, KFOR-i francez po ngrinte një postbllok.”
“Isha bërë shumë i afërt me familjen Hasani, që jetonte aty. Një shtëpi afër rrugës kryesore ishte djegur nga JNA-ja (Ushtria Popullore e Jugosllavisë). Pasi u larguan, e dogjën — bashkë me shumë shtëpi të tjera përgjatë rrugës për në Mitrovicë.”
“Nën plastmasë, e gjithë familja Hasani fshihej. Kishin jetuar në mal për tre muaj dhe nuk e dinin se lufta kishte përfunduar” – shton ai.
Ai kujton si mbetën të tronditur kur e panë.
“Joakim, çka po bën këtu? Është luftë! Gjuajnë çdo ditë!”
“U thashë se lufta kishte përfunduar, por nuk më besonin,” shtoi ai, duke kujtuar se Rama Hasani i tregoi radion e tij (me bateri të harxhuara). “Ia dhashë të miat nga blici i aparatit. Ai u ul me radion në vesh, pastaj papritmas bërtiti, ‘Lufta ka mbaruar!” – theksoi Roos.
“Dua të rilidhem me njerëzit nga fotografitë e mia”

Roos është kthyer në Kosovë disa herë pas luftës — në janar 2000, mars 2001, nëntor 2006, gusht 2013 dhe shtator 2014.
Tani, fotografi 59-vjeçar planifikon të publikojë një libër me fotografitë dhe tregimet nga Kosova, për t’u rilidhur me njerëzit që i ka fotografuar.
“Është e rëndësishme për mua të di kush janë njerëzit në fotografitë e mia” – tha ai.
“Ndonjëherë gjërat ndodhnin shumë shpejt për t’ua marrë emrat, por i mbaj mend shumicën. Dua t’i publikoj këto fotografi me shpresën që dikush e njeh veten — ose dikë të dashur — që të mund të rilidhem” – përfundoi ai.

Që nga qershori i vitit 2024, kushdo që dëshiron të mësojë më shumë për luftën në Kosovë mund ta bëjë këtë përmes arkivave të reporterëve të luftës në ekspozitën Reporting House në Prishtinë.
BIRN Kosova, në bashkëpunim me Paper Gallery dhe Bienalen e Prishtinës, ka hapur The Reporting House — një muze dhe hapësirë ekspozuese në Prishtinë që përkujton historinë e Kosovës, me fokus në vitet 1990. Muzeu përfshin gjithçka, nga rezistenca paqësore deri te konflikti i armatosur dhe lufta, duke kulmuar me çlirimin e Kosovës.
Ekspozita paraqet orë të tëra materialesh të dixhitalizuara nga mediat ndërkombëtare nga viti 1992 deri më 1999, përfshirë raporte televizive, fotografi dhe artikuj të shtypur. Kontribues të njohur janë gazetarët e BBC-së Jeremy Boëen dhe Ben Broën, fotografi i Magnum-it Thomas Dëorzak, dhe fotoreporterët nga Kosova Ilaz Bylykbashi dhe Hazir Reka.
Deri në fund të vitit 2024, Reporting House ka pritur mbi 5,600 vizitorë nga e gjithë bota.
Ky artikull fillimisht është publikuar në gazetën Prishtina Insight.