Që nga 12 marsi i këtij viti kapiteni i Policisë së Kosovës po hetohet për dhunë në familje, prokuroria hesht për veprimet e ndërmarra

Riza Murati, drejtori i Drejtorisë Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore i Policisë së Kosovës ka një vendim që ia ndalon t’i afrohet bashkëshortes së tij L. M. prej 50 metrash në vende publike dhe 100 metra në vendbanimin e së njëjtës. Gjithashtu i ndalohet që të komunikojë me L.M. në mënyrë të drejtëpërdrejtë, përmes personave të tretë, ta shqetësojë, manipulojë, ofendojë bashkëshorten e tij. 

KALLXO.com ka siguruar vendimin që ka lëshuar Gjykata e Prishtinës për L.M., e cila më 12.03.2024 përmes Zyrës për Mbrojtjen dhe Ndihmë të Viktimave ka kërkuar urdhër mbrojtje. 

Kjo për faktin se e njëjta e ka raportuar Riza Muratin për dhunë në familje, dhunë psikike, madje edhe fizike në të kaluarën. 

Në një bisedë përmes telefonit me ekipin e KALLXO.com (e cila është realizuar më 09.04.2024), viktima L.M. kishte rrëfyer në detaje ngjarjet që thotë se kishin nisur që nga lindja e djalit të parë, i cili ende është i mitur, 16-vjeçar.

“Problemet me të kanë nisur që nga djali kur kam lind, kur e kam bë fëmijën e parë, kur nuk kemi pasë fëmijë nuk kemi pasë kurrë probleme, i ka fsheh këto veti negative. Momentin që e kam bë djalin iu ka dokë sikur më lidhi mu sepse më ka pa që jam shumë e përkushtume ndaj fëmijëve”- thotë L.M.

Ajo shpjegon se vazhdimisht ka pasur dhunë psikike nga bashkëshorti i saj. 

“I kam pasur 17 vjet martesë, që 16 vite unë kam pasë dhunë fizike dhe psikologjike. Ndoshta një vit nuk ka shku unë kam pasë dhunë fizike e psikologjike, e ka gjetë a te nana a te motra, a vet diçka pa e gjetë një arsye me të rreh nuk e ka lanë. Tani u kthejke që kishe po ta blej një dhuratë, po të dërgoj dikund, e kjo nuk ma ka hekë të qajtmen e shenjat që i kam pasë prej tij”- shpjegon tutje L.M. 

“Një pakënaqësi e familjes së tij ka ardhë edhe më ka rrehë”- shton ajo. 

“Kam pasur shenja në pjesën e ballit, të enjtura, të nxira, të mavijosura, qaq shumë më ka rrehë sa që nuk më ka lanë as te mjeku me u trajtu sepse u tutke mos po e raportoj”- shton tutje e njëjta. 

L.M. rrëfen se ai e kishte kërcënuar që në rast se e raporton edhe do ta vrasë, deri sa shton se bashkëshorti i kishte thënë se nuk ka kush çka i bën për shkak se ka një pozicion të lartë. 

“Gjithë më ka thanë: “Kot e raporton, unë kam pozitë, veç e hup të drejtën me pa djalin tënd se s’mundesh me m’ba kurrgjë, se dosja jote shkon në arkiv”. Më ka thanë që ka mundësi që edhe ankesën nëse e bëj më vjen në dorë unë e grij dhe ta dërgoj në shportë të bërllokut me foto”- tregon tutje ajo. 

“Veç një urdhër mbrojtje e kam, kurrgjë tjetër, ai lëviz lirshëm me armë, pa asnjë pengesë. E kam raportu për dhunë në familje, kurrkush kurrgjë s’ka ndërmarrë”- shton tutje ajo. 

L.M. gjatë bisedës tregon se disa herë ka arritur që të fotografojë shenjat nga dhuna e bashkëshortit por që i njëjti i kishte gjetur telefonin dhe i kishte fshirë ato. 

“Ma ka gjetë telefonin, i ka marrë, i ka fshi dhe më ka thanë a ia ke dërgu najkujt dhe unë nuk kam guxu dhe masi u siguru e ka marrë edhe e ka thy telefonin dhe më ka thanë nuk ke nevojë me bo fotografi kur t’dush të reja shenja unë t’i bëj”- rrëfen ajo. 

Pas këtyre dëshmive, KALLXO.com nisi të kërkojë të dhëna nga institucionet përgjegjëse për trajtimin e këtij rasti.

Edhe në dosjen e urdhrit mbrojtës që ka arritur ta sigurojë KALLXO.com thuhet dhe përmenden ofendimet, shantazhe dhe kërcënimet që pretendohet se zyrtari i lartë i Policisë së Kosovës ia ka bërë viktimës, bashkëshortes së tij. 

“Dëgjo prej nesër unë ta ndaloj punën dhe ti je nën urdhrat e babës dhe nanës tem. Tash ka me të mbytë dhe ti nuk guxon asnjë fjalë me thanë”- janë disa nga shprehjet që viktima ka përmendur gjatë intervistimit. 

Në bazë të dosjes, Sheremet Fejza, avokati i kapitenit të Policisë, Riza Murati, ka thënë gjatë seancës për caktimin e urdhrit mbrojtës se e kundërshton kërkesën duke shtuar se klienti i tij nuk ka mundësi të veprojë në këtë mënyrë pasi ai ka një pozitë në Policinë e Kosovës. 

“E kundërshton në tërësi kërkesën për shqiptimin e urdhrit mbrojtës për shkak se pala përgjegjëse është në vendin e punës kapiten në Policinë e Kosovës dhe urdhëheqës në Drejtorinë kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore andaj është e paimagjinueshme që i njëjti të ushtrojë dhunë”- thotë avokati sipas dosjes që ka siguruar KALLXO.com. 

KALLXO.com ka tentuar qe të kontaktojë përmes telefonit edhe me drejtorin Riza por ai fillimisht nuk e hapi telefonin e më pas u bë i paqasshëm. 

KALLXO.com ka kontaktuar me avokatin e Riza Muratit, i cili ka thënë se në aspektin penal nuk e ka përfaqësuar drejtorin andaj nuk ka informacione se çka ka ndodhur në atë pjesë. 

Në lidhje me këtë çështje KALLXO.com ka kërkuar të dhëna edhe nga ana e Inspektoratit Policor të Kosovës pas raportimit të rastit nga ana e viktimës L.M. 

Në një përgjigje me shkrim, IPK ka thënë se lidhur me rastin në fjalë ka komunikim të vazhdueshëm me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë të cilës i janë përcjellë raporte/ deklarata lidhur me këto veprime hetimore.

“IPK në kuadër të veprimeve hetimore, sipas procedurave të parapara ka njoftuar edhe Mbrojtësin e Viktimave të cilët kanë parashtruar kërkesën për Urdhër Mbrojtës në gjykatën kompetente. IPK është e njoftuar lidhur me Urdhrin Mbrojtës nga Gjykata Themelore në Prishtine dhe se ky urdhër është duke u duke u implementuar institucioni përgjegjës”- thuhet në përgjigjen e tyre. 

IPK ka njoftuar se është duke ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me Prokurorinë e Mitrovicës dhe në bazë të gjetjeve të hetimit do të ndërmerren masat e nevojshme.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me kryeprokurorin e Prokurorisë së Mitrovicës, Ismet Ujkani. 

I njëjti përmes telefonit tha se nuk është në ngjarje ndërsa shtoi se përmes zyrës për informim do të informohemi në lidhje me veprimet që janë ndërmarrë për këtë rast. 

KALLXO.com ka kërkuar përgjigje me shkrim nga kjo Prokurori por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Riza Murati nuk është i vetmi nga Policia e Kosovës që pretendohet se ka kryer veprën penale të dhunës në familje në bazë të vendimit të gjykatës për urdhrin mbrojtës. 

Në bazë të një përgjigjeje për KALLXO.com, IPK ka thënë se gjatë viteve 2019-2024 janë dërguar 41 kallëzime penale nëpër prokuroritë e Kosovës për policët që dyshohet se u përfshinë në dhunë në familje. 

Në vitin 2019, IPK ka thënë se ka iniciuar 11 raste për dhunë në familje dhe ka parashtruar 8 kallëzime penale, 3 me raport të veçantë. 

Në vitin 2020 janë iniciuar sipas IPK nëntë raste, tetë janë dërguar kallëzime penale, një me raport të veçantë. Në vitet 2021, 2022, 2023 janë iniciuar 20 raste, 17 kallëzime penale janë dorëzuar nëpër prokuroritë e Kosovës, tri me raporte të vecanta dhe gjatë këtij viti është iniciuar një rast.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për rastet e dhunës në familje ku të dyshuar kanë qenë vetë policët e Kosovës, ata që thirren për të ofruar rend e siguri.

Zyrtarë shtetërorë në afera të dhunës në familje