Zyrtarë shtetërorë në afera të dhunës në familje

Shumë prej rasteve të dhunës në familje kanë mbetur dhe mbeten të izoluara e sidomos në këtë kohë pandemie ku gjurmët e dhunës po fshihen më lehtë.

Të shumtë janë zyrtarë që dyshohet se përfshinë në raste të dhunës së ushtruar ndaj familjarëve të tyre.

KALLXO.com nuk ka arritur që të sigurojë një listë të saktë të zyrtarëve të institucioneve të Kosovës të cilët janë të përfshirë si të dyshuar në rastet e dhunës në familje.

Por, në anën tjetër në raportime të shumta KALLXO.com ka treguar se të përfshirë në dhunë në familje kanë qenë policë, pjesëtarë të FSK-së, prokurorë, që kanë kërcënuar gratë e vëllezërve.

Majori Ramadan Ahmeti në një intervistë për KALLXO.com ka treguar se rastet e dhunës në familje kanë rritje gradualisht ndër vite ndërsa shtoi se edhe pandemia ka qenë një faktor që ka ndikuar në rritje.

“Profesionalisht mundem me thënë që në këtë periudhë ka rritje të numrit të rasteve të dhunës në familje. Nëse bazohemi në periudha në dy tri vitet edhe tash rritja është tu shku gradualisht. Edhe pandemia ka qenë problem sepse njerëzit kanë qenë të izoluar dhe problemet kanë ndodhur për arsye të ndryshme. Por, nëse i referohemi anës tjetër shihet një trend në vazhdimësi i rritjes”, tha majori Ahmeti.

Ahmeti tregon se vetëm këtë vit janë shënuar pesë viktima të dhunës në familje.

“Fatkeqësisht këtë vit shifrat që nxora janë pesë raste, që rastet e dhunës në familje kanë përfundu me viktima dhe një rast ka qenë në tentativë”, shtoi Ahmeti.

Në anën tjetër, vetë institucioni i cili trajton rastet e dhunës në familje, zyrtarët policorë, janë përfshirë disa herë në këto raste si të dyshuar.

Gjatë këtij muaji kemi dëgjuar e lexuar se si një zyrtar policor ka rrahur babanë e tij, e një tjetër ka kapur nga fyti bashkëshorten dhe e ka dëbuar nga shtëpia.

Raste të ngjashme vetëm në këtë periudhë të këtij viti sipas statistikave të Inspektoratit Policor të Kosovës janë regjistruar pesë të tilla.

Pesë zyrtarë policorë dyshohet se kanë rrahur e sulmuar familjarët e tyre ndërsa masat e ndërmarra për ta kanë qenë suspendimet.

“Vetëm për vitin 2020 në Inspektoratin Policor të Kosovës janë të regjistruar pesë raste të dhunës në familje ku të dyshuar kanë qenë punonjësit e Policisë së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për KALLXO.com.

Krahasuar me tri vitet e kaluara, KALLXO.com ka kërkuar nga IPK shifra të cilat tregojnë se sa zyrtarë policorë kanë qenë të dyshuar për dhunë në familje.

“Inspektorati Policor i Kosovës bazuar në mandatin ligjor ka trajtuar rastet e dhunës në familje ku si të dyshuar kanë qenë punonjësit e Policisë së Kosovës , të shprehura në statistika në vitet e fundit i gjeni si në vijim me numër të rasteve të trajtuara, në vitin 2017 kanë qenë tri raste, në vitin 2018 asnjë rast i regjistruar, në vitin 2019 dhjetë raste dhe në vitin 2020 pesë raste”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Në lidhje me përfshirjen e zyrtarëve policorë në raste të tilla, majori Ramadan Ahmeti thotë se dëmtohet imazhi i Policisë.

“Imazhi dëmtohet për çfarëdo veprimi që një zyrtar i uniformuar vepron në kuadër të jetës personale, private. Por mendoj se më shumë dëmtohet nëse nuk reagohet, nëse këto mbulohen, apo injorohen dhe nuk merren me to. Meqë e kemi IPK çdoherë njoftohet në lidhje me rastet të tilla kur involvohen zyrtarët, mund të them se dëmtohet imazhi por procedurat vazhdojnë njëjtë”, shtoi ai.

Për zyrtarët policorë që neglizhojnë rastet, majori Ahmeti thotë se kjo është vepër penale.

“Çdo rast që neglizhohet nga zyrtarët policor, është vepër penale, mos mbledhjes së provave, mënjanimi i ndihmës së viktimës, e më pas merret edhe IPK pastaj”, shtoi ai.

Në ditët e para të këtij muaji, pra gusht, KALLXO.com raportoi se si një rreshter i Policisë së Kosovës ishte një nga të dyshuarit në një rast të dhunës në familje.

Rreshteri dyshohej se kishte rrahur babanë e tij pas një mosmarrëveshjeje familjare.

I njëjti është suspenduar, por nuk ishte arrestuar pasi Prokuroria e Shtetit kishte vendosur që të njëjtin për këtë vepër penale ta hetonte në procedurë të rregullt, pra në liri.

Rreshteri i policisë që dyshohet se e rrahu babanë, lihet i lirë

Më 4 gusht, pra një ditë pas rastit të përmendur më lart, ishte regjistruar një rast tjetër ku i përfshirë ka qenë një zyrtar policor i Gjilanit.

I njëjti, sipas burimeve të KALLXO.com, dyshohej se kishte kapur nga fyti bashkëshorten e tij dhe e kishte dëbuar nga shtëpia, e krejt kjo ngjarje ndodhi pasi vëllai i policit i kishte rrahur këtij të fundit bashkëshorten.

Polici është arrestuar ndërsa është suspenduar me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës.

Skandal: Dyshime se Polici i Kosovës e kapi për fyti dhe e dëboi gruan pasi ajo u rrah nga kunati

Në maj të këtij viti KALLXO.com ka raportuar se një zyrtar policor nga Hajvalia është arrestuar nën dyshimin se kishte rrahur bashkëshorten e tij.

Prishtinë, arrestohet polici i dyshuar për dhunë në familje

Edhe në qershor pati raportim nga KALLXO.com për një zyrtar policor i cili kishte rrahur bashkëshorten e tij.

https://kallxo.com/lajm/lipjan-arrestohet-polici-dyshohet-se-rrahu-bashkeshorten-e-tij/

Përveç këtyre raportimeve të këtij viti, KALLXO.com kishte raportuar se në dhjetor të vitit të kaluar, një major i Forcave të Sigurisë së Kosovës ishte arrestuar nën dyshimin se kishte rrahur gruan e tij.

https://kallxo.com/lajm/majori-i-fsk-se-dyshohet-se-rrahu-gruan-e-femijet/

Madje në këtë rast, skandali kishte ndodhur në seancën për caktimin e masës së sigurisë për të njëjtin pjesëtar të FSK-së.

Në seancën e caktimit të masës së sigurisë, gjyqtari kishte ftuar që të japë deklaratë edhe viktimën e dhunës në familje, gruan e majorit.

https://kallxo.com/lajm/majori-i-fsk-se-dyshohet-se-rrahu-gruan-e-femijet/

Vitin e kaluar gjithashtu KALLXO.com kishte raportuar se një ish- prokuror në Prokurorinë e Gjakovës ishte suspenduar nga puna pasi që i njëjti dyshohej se kishte kërcënuar kunatën e tij (bashkëshorten e vëllait).

Të tilla raportime ka publikuar vazhdimisht KALLXO.com.

Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e medieve dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE-së,  K2.0, CEL apo QKSGJ.