Presidenca planifikon të ndahet nga Kuvendi, synon të zhvendoset në “Prishtinën e Re”
Prej kur janë krijuar institucionet e Kosovës pas luftës, Kuvendi dhe Presidenca ndajnë të njëjtin objekt në qendër të kryeqytetit, me hyrje e oborr të njëjtë, ndonëse “zot” i godinës është vetëm Kuvendi. Dhe, sa herë që vijnë delegacione ndërkombëtare në Presidencë, pritjet bëhen në hyrjen e institucionit legjislativ. Megjithëse, ndër vite janë shfaqur ide dhe plane për ta ndarë institucionin përfaqësues të shtetit nga objekti i ‘tempullit të demokracisë’, deri më tani nuk është arritur të bëhet një ndarje e tillë.
Tani, kur kanë mbetur pak më shumë se nëntë muaj deri në përfundim të mandatit pesëvjeçar të presidentes Vjosa Osmani në krye të shtetit, Presidenca ka shprehur interesin për ndërtimin e objektit presidencial. Zyra e Presidentes, veçse ka nisur procedurat tenderuese për Planin e fizibilitetit nëse lagjja “Prishtina e Re”, që ndodhet në skaj të kryeqytetit, do të ishte një vend i përshtatshëm për një godinë të Presidencës – që në bazë të idesë fillestare të shpalosur në dosjen e tenderit do të përfshinte një hapësirë të bollshme me shumë salla, dhoma dhe hapësira të tjera brenda saj.
Njoftimi për kontratë për hartimin e Planit të fizibilitetit për ndërtimin e objektit të Presidencës është bërë më 11.07.2025, e që afati për dorëzim përfundoi më 24.07.2025 në orën 14:00, për të vazhduar më pas me hapjen e tenderit pikërisht në të njëjtën ditë. Tre operatorë ekonomikë kanë ofertuar: kompania “IPE-PROING Sh.p.k”, me çmimin 17, 500 euro; “ALB- Architect Sh.p.k” me ofertë 19, 900 euro dhe “Grupi i Operatorëve Ekonomikë FST Engineering Sh.p.k; AL -Engineering Sh.p.k dhe GJEO PROJEKT Sh.p.k” me ofertën më të ulët 16, 697 euro.
25 mijë euro është vlera e parashikuar nga Presidenca për Planin e fizibilitetit. Afati i paraparë për përfundimin e projektit të studimit të fizibilitetit është 3 muaj.
Një plan për zhvendosjen e Presidencës në objektin e Ministrisë së Kulturës e kishte hartuar ish-presidenti Hashim Thaçi, por ai mbeti në gjysmë pas dorëheqjes së Thaçit me ngritjen e aktakuzës nga Dhomat e Specializuara. Një gjë të tillë nuk e kishte pranuar Vjosa Osmani pas ardhjes në krye të shtetit.
Pas dorëheqjes së Thaçit, nga 05.11.2020, Vjosa Osmani ka qenë ushtruese e detyrës së Presidentit, deri në rizgjedhjen e saj më pas në mandatin e saj të rregullt nga 04.04.2021.
Mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon më 04.04.2025. Në po të njëjtën datë, në vitin 2021- me 71 vota për- në rundin e tretë të votimit, Osmani mori besimin e Kuvendit të Kosovës për të qenë në krye të shtetit për një mandat gjysmëdekadësh. Edhe pse është pyetur mbi tri herë në kohë të ndryshme se a mëton të kandidojë sërish, ajo nuk ka thënë as “Po” e as “Jo”.
Sidoqoftë, kërkesë për t’u zhvendosur në Ministrinë e Kulturës kishte bërë edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga. Mirëpo, në Qeverinë e asaj kohe, kjo kërkesë ishte dorëzuar më 2014, por për shkak të kostos së madhe Presidenca ishte tërhequr.
Në kohën kur në krye të vendit ishte Ibrahim Rugova, shumicën e takimeve ai i zhvillonte në “rezidencën presidenciale” në lagjen Velania në Prishtinë, aty ku aktualisht jeton familja e tij.
Ideja fillestare e Presidencës
Presidenca mëton që godina e re të jetë një hapësirë madhështore që mes tjerash të përfshijë: Sallën e Ballos, Suitën e Gjumit, Bibliotekën Presidenciale, Dhomën e Kredencialeve- me një fjalë të jetë në rangun e presidencave ndërkombëtare.
Në dosjen e tenderit është kërkuar që të bëhet prezantim i një mostre ideore për pamjen arkitektonike të objektit, duke u bazuar në praktika nga rezidenca të shteteve të tjera.
Kosova është e vetmja që nuk ka rezidencë presidenciale, anipse është shtet që nga viti 2008.
Në dokumentacionin e përgatitur nga Presidenca, thuhet se qëllimi i këtij projekti është të analizojë aspektet teknike, ato të sigurisë, ekonomike, mjedisore dhe funksionale të realizueshmërisë së ndërtimit të objektit të Presidencës, në përputhje me nevojat institucionale, standardet moderne të ndërtimit dhe vizionin urbanistik të lagjes “Prishtina e Re”.
Mirëpo, as në dosje e as në përgjigje për KALLXO.com, Presidenca nuk ka bërë të ditur se nëse është përcaktuar ndonjë ngastër në këtë lagje. Kjo lagje është një nga më të rejat në Prishtinë e cila ka pësuar një zhvillim të hovshëm në pesë vitet e fundit.
Në vitin 2019, kur kryeministër ishte Ramush Haradinaj dhe kryetar i Prishtinës ishte Shpend Ahmeti, të dy kishin nënshkruar marrëveshje për ndërtimin e “Prishtinës së Re”. Atëkohë, Shpend Ahmeti kishte thënë se ky plan pritet të zgjasë 10-20 vite derisa të përfundojë dhe se në këtë pjesë duhet të kalojnë institucionet e Kosovës.
Kurse, Haradinaj atëkohë kishte thënë se në lagjen “Prishtina e re”, 64 hektarë janë pronë komunale, 136 hektarë janë pronë shoqërore dhe 117 hektarë janë të Qeverisë.
Sidoqoftë, Presidenca ka kërkuar që studimi i fizibilitetit duhet të përmbajë informacion të plotë dhe të detajuar, dhe të paraqesë konceptin e ndërtimit të objektit të Presidencës.
Operatori ekonomik, sipas Presidencës duhet të përgatisë një dokument profesional që përfshin: analizë të lokacionit dhe planifikimit hapësinor, vlerësim i lokacionit të propozuar dhe infrastrukturës ekzistuese; dhe propozim për shfrytëzim racional të hapësirës për “objektin qendror”, “hapësira përcjellëse të objektit qendror dhe administrativ” dhe, “zona të gjelbërta, kënde për sport, shtigje për ecje, ambiente të hapura.”
Çfarë parashihet të ketë brenda rezidencës presidenciale?
Presidenca ka kërkuar që në Planin e fizibilitetit të bëhet një analizë e aspekteve teknike, të sigurisë, ekonomike, mjedisore dhe funksionale të realizueshmërisë së konceptit të organizimit funksional të objektit qendror dhe atyre përcjellës.
Strukturimi i zonave funksionale, që parashihen të përfshihen, sipas dosjes së tenderit janë: hapësira e punës së Presidentit/es; hapësira për ceremonial (salla e pritjes, dhoma e kredencialeve, salla për media, etj.), hapësira të punës për stafin e kabinetit dhe administratës; hapësira rezidenciale; hapësirat të dedikuara për siguri, logjistikë, transport, protokoll dhe teknologji; hapësira për mikpritje diplomatike, punë në distancë dhe multifunksionalitet; hapësira për stafin mbështetës, administrativ dhe operativ; hapësira të veçanta të punës që ndërlidhen me mbrojtje, siguri dhe aspekte tjera; dhe, hapësira për rekreacion, sport dhe kulturë.
Ndërsa pika e tretë, që ka kërkuar Presidenca është ofrim i idesë fillestare për dukjen e objektit te Presidencës, që përfshijnë Krahun Presidencial ku përfshihet Salla e Madhe e Pritjeve / Salla e Ballove; Holli Ceremonial / Foaerja e Madhe; Dhoma e Kredencialeve; Dhoma Tête-à-Tête (takime dy-palëshe); Salla për Media / Dhoma për Deklarata për Media; dhe, Biblioteka Presidenciale.
Pjesa tjetër është Krahu i Punës apo Presidencial ku ideja është që të përfshihen: Zyra Ceremoniale e Presidentit/es; Zyra Private e Presidentit/es; Zyra e Shefit/es së Stafit; Zyra Zv. Shefit/es së Stafit; dhe, Zyrat e Këshilltarëve të Lartë (x5).
Pjesa e tretë, sipas Presidencës është “C” apo Krahu i Këshilltarëve Politikë ku përfshihen: Zyra për Këshilltar/e (x10); Dhoma e Përbashkët për Koordinim të Këshilltarëve Politikë – për mbledhje të brendshme dhe shqyrtim dokumentesh.
Pjesa “D”, sipas Presidencës janë siç i kanë quajtur ato Hapësirat Plotësuese të Punës ku përfshihen Dhoma për Koordinim të Kabinetit; Dhoma e Sigurisë Kombëtare / Dhoma e Situatave; Zyra e Protokollit; Dhoma për Mikpritje Diplomatike; dhe, Dhoma për Përkthim dhe Interpretim.
Ndërkaq, pjesa “E” e ideuar si Krahu Rezidencial, sipas idesë fillestare të Presidencës përfshin: Suita e Gjumit të Presidentit/es; Dhoma Private e Familjes për Qëndrim të Përbashkët; Dhoma Private për Ushqim / Darkë Familjare; Dhoma Private e Studimit / Leximit; Kopshti dhe Oborri Privat; dhe, Dhoma për Mysafir (x5).
Në pjesën “F”, i ideuar si Krahu Administrativ, sipas Presidencës do të përfshinte: Zyrat për Nëpunësit Civilë, përfshirë: Zyra e Sekretarit të Zyres së Presidentit/es; Departamenti i Komunikimit; për Buxhet dhe Financa; Departamenti Ligjor; Departamenti për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Politika të Mbrojtjes dhe Sigurisë; Departamenti i Protokollit; Departamenti për Shërbime të Përbashkëta (Arkiv, Logjistikë, Transport, Teknologji Informative, Shërbime Gjuhësore); dhe, Departamenti i Prokurimit.
Përveç këtyre, Këshilli Konsultativ për Komunitete; Zyrat për Presidentet që ju ka përfunduar mandati; Qendra për Ekselencë (Center of Excellence); dhe, Salla e takimeve.
Pjesa “G”, e ideuar si Krahu Operacional dhe Mbështetës, sipas dosjes, do të përfhsinte Komandën e Sigurisë dhe Dhomën për Mbikëqyrje; Kompleksin e Kuzhinës Presidenciale; Korridoret e Shërbimeve dhe Salla për Stafin; Zyra të Stafit Mbështetës (x3); dhe, Dhomat për Larje Rrobash, Depo, Garazha dhe hapësira tjera për shërbime teknike.
Kurse, pjesa e fundit “H” e quajtur Hapësira Opsionale / Multifunksionale, që do të përfshinte Dhomën e Diasporës; Dhomën për Rini dhe Brifingje Rinore; dhe, Këndi për Fëmijë.
Përmes Planit të Fizibilitetit, Presidenca poashtu ka kërkuar analizë të aspekteve arkitektonike, të sigurisë dhe të energjisë, duke përfshirë prezantimin e një mostre ideore për pamjen arkitektonike të objektit, duke u bazuar në praktika nga rezidenca të shteteve të tjera; propozimin për përdorim të energjive alternative dhe aplikimin e modeleve të avancuara të eficiencës energjetike;
Ndër të tjera, është kërkuar planifikimi i qasjes infrastrukturore, përfshirë rrugët, qasjen për këmbësorë, sigurinë në hyrje etj, vendosjen e pikave vrojtuese të sigurisë dhe zonave të kontrollit të hyrjen; dhe, sigurimi i burimeve të pavarura dhe të qëndrueshme për energji dhe ujë.
Kurse krejt ne fund, është kërkuar që të adresohen çështje të tjera të veçanta që mund të rezultojnë nga konsultimet me palët përkatëse ose gjatë fazës së planifikimit.
Disa nga pallatet presidenciale më të bukura në Europe datojnë nga shekujt e kaluar. Për shembull, presidenti francez që atje ka pushtet ekzekutiv është i vendosur në ndërtesën neoklasike që daton nga viti 1722, Pallati Elysee. Edhe në Itali, selia zyrtare e Presidentit është e vendosur në një ndërtesë madhështore në Romë e quajtur Palazzo del Quirinale që daton nga shekulli XVI.
Presidenca në Kosovë ka një rol ceremonial dhe përfaqësues, por ka kompetenca të rëndësishme kushtetuese dhe politike. Që nga viti 1992 deri më tani Kosova ka pasur gjithsej gjashtë presidentë, duke nisur nga Ibrahim Rugova deri më tani Vjosa Osmani.