A e synon Vjosa Osmani edhe një mandat si presidente e Kosovës?
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për “Kallxo Përnime”, ka thënë se ende nuk ka vendosur nëse do të kandidojë për mandatin e dytë si presidente.
“Ende nuk e kam vendosur një gjë të tillë të them shumë sinqerisht sepse ka shumë faktorë që duhet me u shqyrtu. Si do të rrjedhë uji, lumi i politikës, është shumë herët ta themi tash për vitin 2026”- u përgjigj Osmani.
Ajo tha se është duke e bërë punën me qëllimet me të mira në interes të qytetarëve të Kosovës.
Osmani tutje tha se në kohën kur kishte votuar kundër mocionit për rrëzimin e Qeverisë Kurti 1, ka dalë në mbrojtje te parimeve që u ka premtuar qytetarëve dhe se nuk ka pasur marrëveshje me Kurtin për ketë çështje.
“Në vitin 2020 kur u rrëzua atëherë Qeveria Kurti 1, unë kam dalë në mbrojtje të parimeve që i kam premtu para qytetarëve të Kosovës, dhe kam votu kundër rrëzimit të Qeverisë, kundër asaj metodologjie shumë të shëmtuar që u organizu prapa shpine, pa e mendu në asnjë moment se çka do të ndodhë me mua, as nuk e kam mendu a do të më përjashtojnë partia në të cilën isha. Nuk kam pasë asnjë marrëveshje me Kurtin, as askënd tjetër”- ka thënë Osmani.
Por, a do të vazhdojë Vjosa Osmani të jetë në politikë pas pozitës si presidente?
“Nuk më heqin qafe edhe aq lehtë”- u përgjigj shkurt ajo.
Vjosa Osmani-Sadriu ishte ushtruese e detyrës së presidentes për 137 ditë dhe për më pak se dy javë pas dorëzimit të kësaj pozite, më 4 prill 2021, ajo mori bekimin e shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës për t’u bërë presidente me mandat të plotë kushtetues prej pesë vjetësh.
Vjosa Osmani ka qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, deri kur u shkarkua nga pozitat udhëheqëse në këtë parti në qershor të vitit 2020.
Osmani kishte qenë një nga 3 deputetët e LDK-së që nuk e kishte votuar Qeverinë me kryeministër Avdullah Hotin më 03.06.2020.
Në zgjedhjet e mbajtura më 14.02.2021, duke qenë në listën e Lëvizjes Vetëvendosje si partnere e koalicionit nga Lista “Guxo”, Vjosa Osmani është votuar nga 300 mijë e 756 qytetarë të Kosovës.