Planifikimi i keq rrezikon tenderin për ndërtimin e Ambulancës në Ferizaj

Për shkak të mos-komunikimi të drejtorive të komunës e Ferizajt, kjo komunë është duke u ballafaquar në Gjykatën e Tenderëve për projektin e ndërtimit të Qendrës së Mjekësisë Familjare në fshatin Prelez të Ferizajt.

Tenderi me vlerë 132 mijë e 78 euro u anulua 2 muaj pasi që ishte hapur, pasi prona e paraparë për ndërtimin e QMF-së në fshatin Prelez ishte destinuar për krejt diçka tjetër: afarizëm, tregti-industri.

Në arsyetimin e anulimit të tenderit nga drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale thuhet se ka pranuar një kërkesë drejtoria e Urbanizmit pasi parcela e destinuar për ndërtim nuk mund të pajiset me kushte ndërtimore.

Tenderi ishte anuluar pas pranimit të ofertave. E njoftimi për anulim është publikuar së bashku me ofertat që kanë pranuar nga 4 operatorët ekonomik.

Grupi i Operatorëve Ekonomik i kryesuar nga “G & A Consulting” kishte dorëzuar ofertën më të lirë në vlerë 119 mijë e 500 euro. Konsorciumi “Vali Invest & Al-ber” kishin ofertuar 129 mijë e 968 euro, Mercom Company kishte ofertuar 127 mijë e 483 euro dhe “Ar-Diti” kishte ofertuar 129 mijë e 810 euro.

Drejtoria e Urbanizmit dhe Mjedisit, 2 muaj më vonë e kishte njoftuar Komunën se kjo pronë është e destinuar për Afarizëm, Tregti dhe Industri.

“Ju njoftojmë se ngastra kadastrale 228-1, ZK Prelez i Muhaxherëve është e përfshirë me Planin Zhvillimor Komunal 2017-2025 dhe është e desnituar për: Afarizëm Tregti-Industri”, thuhet në informatën që Njësia e Planifikimit ua dërgon Komunës.

Ndonëse kishin kaluar 3 vite që Plani Zhvillimor ishte në fuqi, Komuna prapë nuk kishte pasur informacione dhe kështu kishte vazhduar me procedurat.

“Duke u bazuar në njoftimin mbi vendimin e Autoritetit Kontraktues është anuluar ky aktivitet i prokurimit sepse njësia kërkuese gjegjësisht Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale me datën 30.11.2020 ka kërkuar nga Zyra e Prokurimit të anuloj këtë aktivitet të prokurimit sepse sipas shkresës nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Mjedisit sipas dokumentacionit administrativ dhe atij urban ngastra kadastrale 228-1 të ZK, Prelez i Muhaxherëve nuk është e përfshirë në Planin Zhvillimor Komunal për Ndërtim të qendrës së mjekësisë familjare  por është e  destinuar për Afarizëm Tregi-Industri”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Ferizajt.

Grupi i operatorëve ekonomik, që sipas dokumenteve kishte ofertuar më çmimin më të ulët, iu është drejtuar Gjykatës së Tenderëve me ankesë për shkak të vendimit të Komunës për të anuluar tenderin.

Organi Shqyrtues i Prokurimit, më datën 24 nëntor 2020, ka nxjerrë vendim në të cilën e ka obliguar Komunën që të mos e anuloj tenderin, por ta kthej në rivlerësim.

Në arsyetimin e vendimit të OSHP-së thuhet se Drejtoria e Shëndetësisë ka qene e obliguar që këtë objekt ta pajisë me kushte ndërtimore sipas Planit Zhvillimor Komunal.

“Paneli Shqyrtues sqaron se njësia kërkuese e Komunës së Ferizajt në bazë të Planit Zhvillimor Komunal i cili ka qenë në fuqi me rastin e inicimit të këtij aktiviteti të prokurimit, ka qenë i obliguar që këtë objekt sipas Nenit 21 të të PZHK ta pajis me kushte ndërtimore: Kushtet ndërtimore janë kushtet të cilat shërbejnë si bazë për hartimin e dokumentacionit ndërtimor për çdo parcelë kadastrale”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Në vendimin e OSHP-së sqarohet se Drejtoria e Shëndetësisë kishte bërë kërkesë për marrjen e Kushteve ndërtimore për ndërtimin e QMF-së në fshatin Prelez para inicimit të tenderit.

Pas kësaj kërkese, Drejtoria e Urbanizmit e kishte njoftuar se parcela e paraparë nga ana e Komunës për ndërtimin e QMF-së, është i përfshirë në Planin Zhvillimor Komunal 2017-2025 dhe është e destinuar për Afarizëm Tregti-Industri.

“Mirëpo njësia kërkuese (Drejtoria e Shëndetësisë) nuk ka vepruar në bazë të PZHU-së (Planit Zhvillimor Urban) dhe ka bërë kërkesën për fillim të aktivitetit të prokurimit, në bazë të se cilës është bërë Njoftimi për Kontratë, si dhe është bërë hapja e ofertave”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Komuna kishte vendosur të hap tenderin për ndërtim të kësaj Ambulancë ndonëse dokumentacionit që e kanë përcaktuar se lokacioni i paraparë për ndërtim ishte i destinuar për afarizëm e kishte pasur në sirtiarët e saj.

Mirëpo, vetëm pasi kishte pranuar ofertat e operatorëve ekonomik për këtë tender, Komuna kishte vendosur që ta anuloj tenderin, duke u thirr në Planin Zhvillimor Komunal 2017-2025.

Këtë vendim të Zyrës së Prokurimit, nuk e ka pranuar OSHP.

“Paneli Shqyrtues pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe sqarimeve të ekspertit, vjen në përfundim se anulimi i këtij aktiviteti të prokurimit është bërë në kundërshtim me nenin 62 të Ligjit të Prokurimit Publik”, thuhet tutje në vendimin e OSHP-së.

Por, Komuna e Ferizajt këtë vendim të OSHP-së nuk e ka zbatuar në plotëni, pasi serish ka vendosur që të anulojë tenderin duke u thirr në arsyetimin e njëjtë.

Operatori ekonomik “G & A Consulting” që kishte dorëzuar ofertën më të lirë në vlerë 119 mijë e 500 euro sërish është ankuar në OSHP dhe kjo e fundit serish ka vendosur në favor të biznesit duke konstatuar se komuna ka bërë shkelje të Ligjit të Prokurimit.

Sipas vendimit të OSHP-së, Komuna e Ferizajt nuk mund të anuloj tenderin, siç kishte bërë fillimit, por duhet ta kthejë rivlerësim dhe t’i vlerësojë ofertat që ka pranuar nga operatorët ekonomikë.

Poashtu, Gjykata e Tenderëve i ka kërkuar Komunës që me rastin e ri-vlerësimit, t’i dërgohen Kuvendit Komunal edhe kërkesa për ndërrim të destinacionit për ndërtimin e QMF-së.

Këtë e kanë konfirmuar edhe nga Komuna e Ferizajt.

“Në bazë të vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit është kërkuar nga Autoriteti Kontraktues- Komuna Ferizaj që me rastin e ri-vlerësimit Njësia kërkuese në këtë rast Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të bëjë kërkesë Kuvendit të Komunës të bëjë ndërrimin  e kësaj ngastre kadastrale me rastin e hartimit  të Hartës Zonale për këtë zonë me destinim për shëndetësi”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

“Drejtoria e Shëndetësisë është duke punuar në këtë drejtim dhe zyra e prokurimit posa të marrë dritën e gjelbër nga Drejtoria e Shëndetësisë do të  ndërmarr hapat e mëtutjeshëm duke u bazuar në ligjin e prokurimit publik si dhe në vendimin e panelit shqyrtues të prokurimit.”

Paneli shqyrtues i Prokurimit në vendimin e fundit i ka elaboruar edhe nenet e ligjit për financat publike dhe nenet tjera që e obligojnë komunën që të sigurojë gjitha zotimet para se të hap një tender. Për më tepër, OSHP-ja ka thënë se Komuna e Ferizajt është dashur që tenderin për ndërtimin e Ambullancës të fut në buxhetin e vitit 2021.

“Me vet faktin se ka pasur një procedurë të hapur të prokurimit me të cilën nuk ka arritur që në vitin 2020 ta përfundoj me nëshkrim të kontratës, automatikisht AK ka qenë e obliguar që projektin në fjalë ta parasheh në vitin e ri fiskal (përjashtimisht në ato raste kur AK e vlerëson se projekti i filluar është pa interes për autoritetin kontraktues), andaj në këto rrethana AK është dashur që të veproj në pajtim me dispozitat e neneve të caktuara si më lart dhe projekti në fjalë të planifikohet edhe për vitet në vazhdim”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

OSHP-ja në vendimin e lëshuar thotë se operatorët ekonomik nuk duhet të pagujnë për keq-planifikimin e komunave.

“Paneli shqyrtues konstaton se nëse Komuna e Ferizajt nuk e ka planifikuar mirë projektin në fjalë apo ka keq-menaxhuar projektin atëherë këtë keq-menaxhim nuk mund ta bartin operatorët ekonomik të përgjegjshëm”, thuhet në vendimin e OSHP-së.