Pas hulumtimit të KALLXO.com, Komuna e Lipjanit rregullon urën dhe rrugicat në fshatin Gumnasellë

Pas publikimit të hulumtimit të KALLXO.com mbi gjendjen e rënduar të infrastrukturës në disa pjesë të fshatit Gumnasellë të Lipjanit, ku ura ishte rrënuar e ishte bërë pothuajse e pakalueshme dhe banorët detyroheshin të bënin kilometra të tërë për të arritur në tokat e tyre, Komuna e Lipjanit ka ndërmarrë veprime konkrete për zgjidhjen e problemit. Komuna ka rregulluar edhe disa rrugica të cilat po ashtu ishin pothuajse të pakalueshme e për të cilat kishte raportuar KALLXO.com.

Rreth tetë muaj më parë [12.04.2025] banorë të Gumnasellës treguan për KALLXO.com për vështirësi të mëdha në lëvizje dhe qasje në tokat e tyre bujqësore, por edhe për problemin me ujërat e zeza, ndërsa autoritetet komunale kishin premtuar se investimet do të realizoheshin brenda vitit 2025.

Sot, situata ka ndryshuar dukshëm. Komuna ka rregulluar urën, duke rikthyer lidhjen funksionale mes banorëve dhe tokave të tyre. Po ashtu, është vendosur sistemi i kanalizimit, duke i dhënë këtyre banorëve të fshatit një infrastrukturë bazike shumë të nevojshme që mungonte prej vitesh.

Ura në fshatin Gumnasellë/ foto: KALLXO.com
Ura në fshatin Gumnasellë/ foto: KALLXO.com
Ura në fshatin Gumnasellë/ foto: KALLXO.com
Ura në fshatin Gumnasellë/ foto: KALLXO.com

Rruga gjithashtu është shtruar dhe tashmë është e kalueshme. Aktualisht pritet faza e fundit e projektit – asfaltimi i saj.

Dhe kjo u bë pas publikimi të hulumtimit të KALLXO.com, i cili nxori në pah problemet me të cilat ballafaqohen banorët në këto pjesë të fshatit dhe adresoi problemin në Komunë që të reagojë në dobi të komunitetit.

: Rruga “Rruga e Trimave” në fshatin Gumnasellë/ foto: KALLXO.com
Rruga “Rruga e Trimave” në fshatin Gumnasellë/ foto: KALLXO.com
Rruga “Rruga e Trimave” në fshatin Gumnasellë/ foto: KALLXO.com
Rruga “Rruga e Trimave” në fshatin Gumnasellë, rregullimi kanalizimit/ foto: KALLXO.com

Besim Seferi, kryetar i fshatit Gumnasellë, tha se kryetari i Komunës e ka mbajtur premtimin.

“Sa i përket këtyre rrugëve që i ka premtu kryetari, këto vetëm se i ka realizu gati, edhe me ndihmën e juaj, që keni intervenu edhe ju [KALLXO.com]. Faleminderit prej juve! Këto gati në përfundim janë, zhavorri thuajse ka përfundu, tash vetëm pritet asfaltimi” – tha Seferi.

Besim Seferi, kryetar i fshatit Gumnasellë/foto: KALLXO.com

Sipas tij, edhe problemi me kanalizimin është zgjidhur në rrugën “Rruga e Trimave“, e cila ka qenë në gjendje të vështirë.

Seferi shton se nga koha e vizitës së KALLXO.com, Komuna ka bërë lëvizje në këtë aspekt, është rregulluar kanalizimi, janë vendosur pusetat, është bërë vendosja e zhavorrit dhe ngjeshja ndërsa pritet të bëhet edhe asfaltimi.

Janë rregulluar edhe rrugët të tjera.

Rruga “Evgjet Shaqiri” në fshatin Gumnasellë/ foto: KALLXO.com
Rruga “Evgjet Shaqiri” në fshatin Gumnasellë/ foto: KALLXO.com
Rruga “Nuhi Emini” në fshatin Gumnasellë/ foto: KALLXO.com

Seferi shton se edhe ura thuajse është përfunduar, vetëm në rast se nevojitet vendosja e zhavorrit.

Për gjendjen e urës dhe disa rrugicave në këtë fshat, KALLXO.com kishte shkruar më parë, duke theksuar shqetësimet e banorëve dhe nevojën urgjente për ndërhyrje infrastrukturore.

Ura dhe disa rrugë në fshatin Gumnasellë të Lipjanit, mbetën pothuajse të pakalueshme