Ura e fshatit Gumnasellë

Ura e fshatit Gumnasellë

Ura dhe disa rrugë në fshatin Gumnasellë të Lipjanit, mbetën pothuajse të pakalueshme

Ndonëse Komuna e Lipjanit kishte realizuar investime në infrastrukturë edhe në fshatin Gumnasellë, rrugët në disa lokalitete në këtë fshat, për vite më radhë vazhdojnë të jenë në gjendje jo të mirë dhe vështirë të kalueshme për banorët, e sidomos në kohë reshjesh.

Në gjendje të keqe dhe e pakalueshme është edhe ura e këtij fshati e cila lidhë tokat bujqësore me pjesën tjetër. Për punimin e tokave matanë urës, bujqit detyrohen t’i bëjnë rreth 5 kilometra rrugë kah fshati Llugaxhi.

Zotimet nga Komuna e Lipjanit janë që problemi me rrugët dhe urën në fshatin Gumnasellë, do të zgjidhen brenda këtij viti.

Besim Seferi kryetar i fshatit Gumnasellë, për KALLXO.com ka thënë se janë disa rrugë të pashtruara, ndërsa po presin që komuna të intervenoj.

“Kjo që po shihet kjo rruga këtu i ka 375 metra. Nuk është vetëm kjo rrugë por ka edhe rrugë të tjera këtu në fshat. Na ka premtu kryetari që ka me u kry ne prill, dhe besoj që atë që e ka premtu duhet me realizu”- thotë Seferi.

Rruga e Trimave
‘Rruga e Trimave’

Rruga e Trimave

Rruga e Trimave
‘Rruga e Trimave’

Seferi thotë se ka rreth 8 vite që kjo rrugë është në këtë gjendje. Ai shton se kërkesa për rregullimin e rrugës kanë bërë edhe të tjerët, para se ai të bëhej kryetar i fshatit.

“Unë tash e kam marrë kryetarin, motmot e gjysmë, dy vjet nuk i ka. Është kanë kryetari tjetër, ka bërë edhe ai kërkesa, kanë bërë edhe këta, por deri sot siç po shihet kështu është. Nuk është realizu”- tregon Seferi.

I pyetur se a marrin pjesë banorët e fshatit në dëgjimet publike, për t’i ngritur këto shqetësime, Seferi tregon se jo vetëm ai por edhe bashkëfshatarët e tij marrin pjesë dhe janë përmend këto probleme, tash janë në pritje për shkak se ju është premtuar se do të ju shtrohet rruga.

Në këtë rrugë sipas Seferit, banorët kanë probleme edhe me kanalizim, gjatë stinës së verës, kanalizimi del në sipërfaqe dhe kundërmon erë të keqe.

Në gjendje jo të mirë është edhe rruga që sipas kryetarit të fshatit njihet si rruga ‘Evgjet Shaqiri’. Kjo rrugë ka dalje në rrugën kryesore të fshatit.

Rruga Evgjet Shaqiri
Rruga Evgjet Shaqiri.

KALLXO.com po ashtu evidenton se e pa rregulluar ka mbetur edhe rruga që sipas Seferit njihet si rruga ‘Nuhi Emini’. Seferi tregon se këtë rrugë, me zhavor e kanë shtruar vetë banorët e lagjes.

Rruga Nuhi Emini
Rruga Nuhi Emini.

Ura e pakalueshme

Një tjetër problem me të cilin ballafaqohen banorët e fshatit Gumnasellë është ura e cila gjendet tek varrezat e fshatit.

Ura që lidh toka bujqësore me pjesën tjetër të fshatit, ka kohë që është shembur dhe është e pa kalueshme.

Mehmet Halimi, banor i fshatit i cili merret me bujqësi, tregon për KALLXO.com se kanë tokë matanë ure, e cila është rreth 200 metra larg varrezave të fshatit, ndërsa për punimin e tokës ai detyrohet të bëj rreth 5 kilometra rrugë kah fshati Llugaxhi për të mbërritur tek prona e tij.

“Na si bujq që jem na ka lon keq, se nuk ka grurë, misër, sanë, edhe livadhet na lidhin qanej, po duhet me i i ra kah fshati Llugaxhia, me i kapërcy do rrugë hala ma të këqija vetëm se nuk ka rekë atje, a tu e pas urën. Ura nuk ka shumë punë aty”- thotë ai.

Ura e fshatit Gumnasellë
Ura e fshatit Gumnasellë
Tokat matane ures
Tokat matane ures

Halimi thotë se kërkesa ju është drejtu kryetarit të fshatit, i cili e ka paraqit në komunë.

Edhe banorë tjerë të këtij fshati thonë se gjendja në të cilën ndodhet ura, po u krijon probleme në punët e tyre.

Lidhur me këto ankesa të banorëve, KALLXO,com ka kontaktuar me drejtorin e Infrastrukturës në Komunën e Lipjanit, Sead Aliu.

Drejtori Aliu thotë se është ndarë buxheti dhe brenda këtij vitit do të rregullohen rrugët dhe ura

“Jemi në dijeni për këto kërkesa, kemi nda buxhet për këto rrugica dhe për urë, gjatë ditëve në vazhdim do të vazhdojmë me procedura të tenderimit dhe pastaj të vazhdojmë me implimentim të projektit, vlen të cekët se ky projekt do të përfundon gjate vitit 2025”- thotë drejtori Aliu.