Objekti për banim social në Kaçanik, Foto: Sahide Brati/KALLXO.com

Objekti për banim social në Kaçanik të Vjetër përfundon në hetime

Ndërtesa për banim social në Kaçanik të Vjetër filloi si projekt në vitin 2017. Ndonëse planifikimi ishte 1 vjeçar që objekti të përfundojë dhe të jetë i banueshëm, pati zvarritje dhe përfundoi në vitin 2023.

Brenda këtij objekti janë 24 banesa, në të cilin, familjet skamnore, planifikohet të vendosen aty.

Bedrije Reka, nga Kaçaniku ka treguar se ajo dhe familja e saj po jetojnë në kushte shumë të vështira. Për këtë ndërtesë ajo tha se nuk ka menduar që mund të vendosen aty.

“Për ndërtesën s’jam interesu, se kam ditë, kam mendu që kjo banesë është për ushtarët e UÇK-së edhe kam thënë nashta dikush që është invalid e gjynah pse m’u lajmëru aty, këtë e kam mendu”- tha Reka.

Ajo ka menduar se si të ia bëjë që të largohet nga kjo shtëpi që këtë dimër mos ta kalojë në të. Pasi tha se shtëpia është vjetëruar.

“Kjo shtëpi i ka tjegullat kush na ka dhanë atë kohë i kemi vendos, tash janë prish krejt, pikon uji, tavani do me i ra, me maru, s’kemi mundësi kurrqysh”- ka thënë Reka.

Ajo ka theksuar nevojën për të pasur një shtëpi apo një banesë dhe ka shtuar se po vuan nga një sëmundje e pashërueshme.

Ajo shpreson që të vendoset në këtë ndërtesë dhe ta zgjidh problemin e banimit.

Shtëpia e Bedrije Rekës, Foto: Sahide Brati/KALLXO.com

Hetimet për objektin për banim social

Nga Zyra për informim në Policinë e Kosovës kanë thënë se është hetuar informata lidhur me dyshime për keqpërdorim të parave publike në këtë projekt.

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka hetuar informatën lidhur me dyshimet për keqpërdorim të parave publike në projektin ‘’Ndërtimi i objektit të banimit social në Kaçanik’’- thanë ata.

Sipas PK-së, kjo informatë është hetuar lidhur me dyshimet për veprën penale “Keqpërdorim i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar”.

“Informata e pranuar për keqpërdorim të parave publike në projektin, ‘’Ndërtimi i Objektit të banimit social në Kaçanik’’ është hetuar lidhur me dyshimet për veprën penale ‘’Keqpërdorim i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar’’ nga neni 414 i KPRK-së”- thuhet në përgjigjen e tyre.

Ata kanë treguar se është dërguar një raport në Prokurorinë kompetente.

“Pas grumbullimit të dëshmive dhe masave të ndërmarra hetimore, në konsultim me prokurorin e rastit/lëndës është dërguar me Raport në Prokurorinë Kompetente”- shtuan nga PK-ja.

Qëndrimet e institucioneve

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në Kaçanik, Sali Malsiu, ka thënë se puna me objektin është në fazën e fundit.

“Është caktuar komisioni për pranimin teknik, dhe është në përfundim të pranimit”- ka thënë ai.

Drejtori ka treguar se akoma nuk është hapur thirrja për aplikim.

“Nuk është hapur thirrja për aplikim ende, thirrja do të hapet sapo të përfundojnë procedurat e pranimit të punëve dhe kriteret do të përcaktohen në bazë të ligjit për financim të programeve të veçanta të banimit”- ka thënë ai.

Drejtori ka shtuar se përzgjedhja e familjeve që priten të vendosen në këtë ndërtesë akoma nuk është bërë.

Për përfundimin e objektit ai tha se planifikimi ka qenë një vjeçar.

Malsiu ka thënë se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale i ka përfunduar pjesërisht obligimet.

Objekti për banim social në Kaçanik, Foto: KALLXO.com

KALLXO.com ka kontaktuar menaxherin e këtij projekti, Ragip Vishi por ai nuk është përgjigjur.

Ndërkaq, Muharrem Shahini nga Divizioni për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve ka thënë se ish-Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Komuna e Kaçanikut në vitin 2017, kanë nënshkruar një marrëveshje për financimin e projektit.

“Më datë 23 të muajit shkurt të vitit 2017, ish-Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Komuna e Kaçanikut kanë nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi për financimin e projektit, “Ndërtimi i Objektit për Banim Social – Kaçanik” në vlerë prej 300,000€”- tha ai.

Sipas tij, nga kjo marrëveshje kanë qenë të ndara përgjegjësitë e kësaj Ministrie dhe Komune. Ku theksoi përgjegjësitë e nivelit lokal.

“Të gjitha përgjegjësitë që kanë të bëjnë me projektin detal të objektit shpalljen e tenderit, përzgjedhjen e kompanisë për mbikëqyrjen e ekzekutimit të punimeve deri në pranimin teknik kanë qenë përgjegjësi e Komunës së Kaçanikut”-ka thënë Shahini.

Ai ka theksuar se projekti ka qenë i planifikuar të përfundoj gjatë vitit 2017. Po ashtu, tha se gjatë vitit 2023 janë realizuar pagesa në vlerë prej 108 mijë euro.

“Bazuar në Nenin IV, pika 8 të kësaj marrëveshje, ka qenë e paraparë që projekti të përfundojë gjatë vitit 2017, në të kundërtën obligimet dhe përgjegjësitë për pagesa kalojnë në nivel të komunës, gjatë vitit 2023 janë realizuar pagesa në vlerë prej 108,223.09€”- tha ai.

Tutje tregoi se më 11 prill të vitit 2018 prapë është nënshkruar një marrëveshje në mes të MPMS-së dhe Komunës së Kaçanikut.

“Për financimin e pjesës së mbetur të projektit me përgjegjësi të ndara si në marrëveshjen fillestare, edhe gjatë vitit 2018 janë realizuar pagesa në vlerë prej 76,753.90€”- shtoi ai.

Ai ka theksuar edhe pagesën e kryer në vlerë 180 mijë euro nga kjo Komunë.

“Gjithsej situacione për pagesë të dorëzuara nga Komuna e Kaçanikut në MPMS të cilat e kanë plotësuar kriterin për pagesë në harmoni me kontratën Nr prokurimi, 652-017-2037-521, e lidhur të datës 27.07.2017  dhe pagesa të ekzekutuara kapin vlerën prej 184,976.99€”- shtoi Shahini.

Ai ka thënë se MPMS-ja ka përfunduar pagesat sipas kontratës.

“Ish-MPMS ka bërë pagesat sipas kontratës dhe situacioneve të ofruara nga kompanitë kontraktuese, të verifikuara dhe aprovuara nga menaxheri i kontratës edhe organi mbikëqyrës të cilët janë emëruar nga Kryetari i Komunës së Kaçanikut”- theksoi Shahini.

Gjendja e banimit

Ndërsa, nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë treguar se çka është raportuar në bazë të dokumentit të hartuar nga Komuna e Kaçanikut, programi tre vjeçar i banimit për vitin 2022-2025.

“Duke u nisur nga kapacitetet investive dhe humane të komunës si dhe kërkesave aktuale për zgjidhjen e çështjes së banimit është punuar në gjetjen e zgjidhjes me reale duke propozuar qe për tri vitet e ardhshme të adresohen të gjitha kërkesat (120) për banim dhe të zgjidhen me prioritet në pajtim me legjislacionin dhe rregulloret përkatëse në fuqi”- kanë thënë nga kjo Ministri për KALLXO.com.

Nga Ministria kanë treguar edhe për gjendjen e banimit në këtë qytet.

“Komuna nuk ka raportuar për procesin e zbatimit të Programit trevjeçar të banimit 2022-2025, edhe pse duhet të raportoj në bazë të Ligji Nr.03L-164 për Financimin e programeve të veçanta të banimit, neni 25, paragrafi 1, nën paragrafi 1.8 raportimin vjetor në Ministri deri më 31 mars të vitit vijues për ecurinë e programeve të banimit”- kanë thënë ata.

Rastet sociale

Ndërkaq, Xhelal Gashi, Drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Kaçanikut, ka theksuar se gjendja sociale në këtë komunë nuk është e mirë.

Për objektin social ai ka thënë se qytetarët më shumë orientohen në komunë për shkak se kjo qendër nuk merret me këtë çështje. Ai ka treguar edhe numrin e rasteve sociale në këtë Komunë.

“Sipas statistikave që i kemi numri i shfrytëzuesve në Komunën e Kaçanikut sillet mbi 600 do të thotë aty herë bie nën 600 herë mbi 600, për shkak se numri i shfrytëzuesve variron prej muajit në muaj”- ka thënë ai.

Në periudhën e fundit ka thënë se vërehet një migrim i popullatës dhe ndoshta ky migrim e ka ulë numrin e shfrytëzuesve të ndihmës sociale. Por kjo shprehet se nuk do të thotë që gjendja është më e mirë se që ka qenë. Sipas tij, edhe pjesa e inflacionit ka ndikuar në jetën e qytetarëve.

KALLXO.com ka kontaktuar me Prokurorinë Speciale, por nuk ka dhënë informacione lidhur me rastin ngaqë rasti mund të jetë duke u hetuar.

Kritikat e opozitës

Agim Mani, shefi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kaçanik ka thënë se ata kanë shprehur shqetësime që nga fillimi i punës në këtë objekt.

“Ne si grup i Lëvizjes Vetëvendosje Qendra në Kaçanik, kemi shpreh shqetësimet tona në vazhdimësi që nga fillimi i këtij objekti të banimit social dhe keqpërdorimet  në vazhdimësi që e kanë përcjell këtë projekt”- tha ai.

Ai ka thënë se fillimisht ishte planifikuar një shumë prej 300 mijë euro por tha që pastaj ka pasur rritje.

“Në vitin 2017, Komuna e Kaçanikut kishte paraparë një vlerë prej 300 mijë euro për ndërtimin e objektit të banimit social në lokacionin diku afërsisht 6 km nga qendra e qytetit. Mandej është kontraktuar dhe është dhënë në shumë prej 343,974 euro domethënë 43,974 euro më shumë”- shtoi ai.

Mani ka thënë se në vitin 2018, pas kësaj është nënshkruar edhe një kontratë në vlerë prej 34,000 euro.

Ai ka theksuar se në vitin 2019 prapë është hapur tenderi si fazë e dytë në shumë prej 78,500 euro. Ai ka thënë se përkundër gjithë këtyre shpenzimeve prapë ky projekt nuk ka arritur të përfundojë.

Shefi i grupit të asamblistëve të LVV tha se kjo ndërtesë deri tash ka arritur koston 616,887 euro.

“Është dashur edhe përmes Kuvendit Komunal të datës 16.04.2021 të transferohen 160,000 euro, për këtë ndërtesë të banimit social e cila deri tash ka arritur koston 616,887 euro për 24 banesa”- tha ai.

Ai thotë se ata konsiderojnë se nuk janë plotësuar hapat paraprak për formimin e komisionit për ndarjen e banesave të banimit social, siç është pranimi teknik. Po ashtu ka theksuar se kjo ndërtesë është në hetime për shkak të keqpërdorimeve në këtë objekt.

“Pranimi teknik i kësaj ndërtese, dhe kur dihet që kjo banesë sa vite është në hetime! Këtë e ka thënë edhe kryetari i Komunës publikisht që kjo është në krime të Policisë ekonomike për shkak të keqpërdorimeve te ky objekt në këtë projekt”- shtoi ai.

Mani ka shtuar se shkaku i rrethanave nuk e kanë një përfaqësues në komisionin që do të bëjë ndarjen.

“Me keqardhje po ju them që Lëvizja Vetëvendosje në Kaçanik dhe ne si grup i asamblistëve në Kuvendin Komunal Kaçanik në këtë periudhë dhe në këto rrethana nuk e ka afruar përfaqësuesin e saj në këtë komision për ndarjen e banesave sociale, në programin e banimit social 2018-2021”- theksoi ai.

Ai ka thënë se është hera e tretë që formohen këto komisione.

Mani ka shtuar se ekzekutivi komunal e ka filluar punën për ndërtimin edhe të një ndërtese të tillë pa e përfunduar të parën që thekson se e kishte nisur para 6 vite e më shumë.

Ata nuk do t’i bashkohen projekteve që nuk menaxhohen mirë, kur ka keq planifikime dhe keqpërdorime.

“Ne si LVV në projekte të tilla të cilat nuk menaxhohen mirë dhe kur ka keq planifikime dhe keqpërdorime në asnjëherë nuk do të bëhemi pjesë e  këtyre projekteve. Dhe vazhdimisht do ta ngrisim zërin që projekte te tilla të kryhen sipas planit dinamik dhe sipas projektit të detajuar dhe rregullave dhe standardeve e të tjera”- ka thënë ai.

Shuma e kontratës bazë për këtë objekt ka qenë 343,974,19, puna shtesë 34,397.19 dhe faza e dytë 78,515.50.

Kostoja e gjithë projektit është 456,887.