Një Grumbull Eshtrash Gjenden në Shkozë

Një banor i fshatit Shkozë të Malishevës, teksa për nevoja personale po punonte në një kanal, te vendi i quajtur “Vrella e Jançistit”, pasditen e së hënës, zbuloi një grumbull eshtrash, thuhet në një komunikatë të policisë, të lëshuar të martën.

Policia dyshon se bëhet fjalë për eshtra njerëzorë, ndërsa një njësi e organeve të rendit ka vendosur shirita parandalues në vendin e ngjarjes.

Në terren ka dalë edhe Njësia për Persona të Zhdukur dhe Krime Lufte e policisë.

Arben Emini, drejtues i Departamentit të Identifikimit, në Depratamentin e Mjekësisë Ligjore, i tha gazetës Jeta në Kosovë, se nuk mund të thotë nëse eshtrat e gjetura janë të njerëzve, derisa njësiti për krime lufte të mos i sjellë ato në departament për verifikim.

Ai bëri të ditur se më vonë, ose policia, ose Departamenti i Mjekësisë Ligjore, do të lëshojnë komunikatë në lidhje me këto gjetje.

Gazeta, kontaktoi edhe me Arsim Gërxhaliun, shefin e Departamentit të Mjekësisë Ligjore, por Gërxhaliu nuk kishte njohuri për rastin, pasi ndodhej në Rashkë të Serbisë.

Para katër ditësh, në këtë vend u zbuluan eshtra të personave të vrarë nga lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë.

Për eshtrat e gjetura në Shkozë të Malishevës, të hënën, drejtuesi i Departamentit të Identifikimit, Arben Emini, tha se përveç që nuk mund të spekulojë nëse këto eshtra janë të njerëzve, ende nuk mund të tregojë nëse i takojnë periudhës së luftës së fundit, ose ndonjë lufte tjetër.

Edhe zëdhënësi i policisë Baki Kelani, nuk tha më shumë për këtë rast, sesa komunikata e lëshuar nga institucioni ku ai punon.

Në qershor, eshtra njerëzish të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, u zbuluan në Vushtrri.