Mobilizimi i opozitës kundër Kurtit

Tri partitë opozitare – PDK, LDK dhe AAK, njëzëri po vlerësojnë se shkarkimin i qeverisë së Albin Kurtit, dhe shkuarja e vendit në zgjedhje të reja është zgjidhje për shtensonim të situatës në veri të Kosovës, por diskutabile është nëse arrijnë shumicën në Kuvend, që qëllimi i tyre jetësohet.

Momentalisht numrat në Kuvend janë kështu:  Lëvizja Vetëvendosje 56 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 18 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 16 deputetë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 9 deputetë dhe 10 deputetë janë të pakicave që nuk janë nga komuniteti serb.

Pakënaqësitë e opozitarëve nisen që kur situata në komunat veriore u tensionua dhe zërat ndërkombëtarë që u rreshtuan kundër qasjes së Kosovës nisën të rriteshin.

Kosovës i erdhën disa herë radhazi sanksione dhe masa tjera “ndëshkuese” nga partnerët e saj.

“Mollë sherri” në krejt këtë situatë u bën zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore, që nxorën për kryetarë katër përfaqësues politikë të partive shqiptare, diçka e pazakontë deri më tash për shkak se shumica në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan është serbe.

Lista Serbe, partia më e madhe politike nga komuniteti serb, por edhe partitë e tjera kishin refuzuar pjesëmarrjen në zgjedhje, duke prodhuar kështu një rezultat të ri politik në këto komuna.

Ndonëse zgjedhje u mbështetën dhe u pranuan nga ndërkombëtarët, ata kërkuan që ushtrimi i detyrës dhe rolit të kryetarë të mos bëhet nga Zyra e Kryetarit, por të gjenden objekte alternative.

Këtu edhe nis çarja që tutje prodhoi situata të ndryshme politike.

Kryeministri Kurti po këmbëngulë që kryetarët e rinj, duhet t’i ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale.

Kjo kërkesë e Kurtit është duke u dëgjuar momentalisht vec nga kreytari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi dhe ai i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.

Hetimi po vazhdon të qëndrojë brenda objektit të komunës që nga 26 maji.

Kreu i ekzekutivit ka shprehur gatishmëri për zgjedhje të parakohshme në veri, përmes nënshkrimeve të qytetarëve, pasi sipas tij, është e vetmja mënyrë sesi të bëhet ndërrimi i pushtetit.

Izolim për Kosovën po i konsideron opozita masat ndëshkuese nga BE dhe SHBA-të që ndërmori ndaj vendit, pasi sipas faktorit ndërkombëtar, Qeveria nuk ka marrë veprime për shtensionim të situatës në veri të Kosovës,

Partia Demokratike e Kosovës po kërkon zgjedhje të parakohshme teksa të hënë njoftoi se pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të këtij subjekti, kanë vendosur që të ndërpresin çdo komunikim zyrtar me kryeministrin Kurti dhe me presidenten Osmani përveç në situata të jashtëzakonshme.

Lidhja Demokratike e Kosovës të hënën konfirmoi se do bojkotojnë punën e Kuvendit dhe nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e kryesisë as në të ardhmen, ndërsa për vendimet tjera do të merren në kryesi të partisë.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku gjatë kësaj javë ka pritur në një takim gazetarë e analistë kosovarë për të diskutuar qasjen e LDK-së, karshi situatës.

Emërtimi i kësaj tryeze nga LDK u quajt “Rruga pa Kurtin” cka ngjalli reagime të shumta për shkak të prezencës së gazetarëve në këtë takim.

Kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, po kërkon shkarkimin e Qeverisë përmes mocionit të mos-besimit, duke kërkuar edhe ndihmën e deputetëve të shumicës. Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj konsideron se mocioni për shkarkimin e Kurtit “është interes kombëtar”.

“Zgjimi opozitar, i vonuar por i mirëseardhur”

Sociologu dhe analisti politik, Artan Muhaxhiri thotë se përkundër të qenit i vonuar, zgjimi opozitar është i mirëseardhur për skenën politike.

Ai thotë se komoditeti të cilin ia kanë krijuar opozita, qeverisë Kurti, shkaku i mos veprimeve ka rezultuar me një hapësirë të papenguar veprimi për të.

“Përkundër të qenit i vonuar, ky zgjim opozitar prapëseprapë është i mirëseardhur për skenën politike kosovare. Komoditeti të cilin ia kanë krijuar Qeverisë Kurti, shkaku i mosveprimeve kronike dhe një ideje absurde të lënies duarlirë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! me qëllim që ta rrëzojë veten, ka rezultuar me një hapësirë të papenguar veprimi për të” – ka thënë Muhaxhiri në një bisedë me KALLXO.com.

Analisti vlerëson se në mungesë të presioneve konstruktive nga kundërshtarët, qeveria ka sharruar nga gabimi në gabim, megjithatë, Muhaxhiri shton se hulumtimet e opinionit tregojnë se nuk ka ndodhur ndonjë lëvizje e rëndësishme në elektorat.

“Kjo situatë është dëshmuar e dëmshme edhe për opozitën, edhe për Qeverinë, pasi në mungesë të presioneve konstruktive nga kundërshtarët ajo ka sharruar nga gabimi në gabim , veçanërisht në politikën e jashtme. Mirëpo, opozita nuk ka përfituar asgjë. Përkundër kësaj, hulumtimet e opinionit aktualisht tregojnë që nuk kanë ndodhur lëvizje të rëndësishme në elektorat, pasi përqindjet përkatëse s’janë aq të ndryshme nga ato të 14 shkurtit 2021” – është shprehur ai.

Muhaxhiri thekson se opozita nuk është aq e papushtetshme sa e ka bërë veten të duket gjatë kohëve të fundit.

“Sfida kryesore është gjetja e alternativave realiste ndaj gabimeve të qeverisë dhe artikulimi në mënyrë bindëse para qytetarëve. Për këtë duhet bashkëdyzim i profesionalizmit dhe kreativitetit.  Esenca e potencialit opozitar qëndron në gjetjen e recetës për luftimin e populizmit të Kryeministrit Kurti, që paraqet armën e tij më të fuqishme. Pa një plan konkret si të devalvohet ky populizëm, rezultatet nuk do të jenë pozitive”- ka thënë ai.

Për çështjen e zgjedhjeve të parakohshme, Muhaxhiri thotë se janë dy pikëpyetje kryesore që orbitojnë mbi to.

“Ideja fundamentale që duhet ta promovojë opozita është rikthimi i sigurisë së rrugëtimit evropian të Kosovës me rikthimin e aleancave jetike me SHBA-të dhe vendet mike të BE-së. Rol të konsiderueshëm do të ketë edhe pozicionimi politik i fuqive ndërkombëtare – veçanërisht i SHBA-ve, së bashku me nivelin dhe vazhdimësinë e masave ndëshkuese ndaj Kosovës”- shtoi ai.

Bojkoti parlamentar përballë sfidave të legjislativit

Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar të hënën se do ta bojkotojë punën e Kuvendit të Kosovës pas masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Kurse Partia Demokratike e Kosovës njoftoi se ka ndërprerë çdo komunikim zyrtar me kryeministrin dhe presidenten.

Lidhur me çështjen e bojkotit, Arbër Thaçi nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se, kjo do të shkaktojë probleme pasi sipas tij në mënyrë të vazhdueshme këtë sesion ka pasur mungesë të kuorumit apo edhe dështim të seancave.

“Megjithëse bojkoti nuk mund të përligjet, ai shërben si instrument politik – dikudiku i pranueshëm, në kontekste të caktuara. Bojkotimi i punës parlamentare nga partitë opozitare, padyshim që do të shkaktojë probleme – sidomos në rrethanat e këtij sesioni, kur vazhdueshëm kemi pasur mungesë të kuorumit dhe dështim të votimeve apo edhe të krejt seancave”- tha Arbër Thaçi për KALLXO.com.

Ai thekson se një nga problemet praktike do të jetë mos-votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Një nga problemet praktike do të jetë mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat edhe ashtu janë në pritje tani e disa javë. Porse, në frymën e këtij sesioni, duke vlerësuar praktikat e mungesave të deputetëve, nuk përjashtohet mundësia që të dështojnë seancat në tërësi, në pamundësi të plotësimit të kuorumit”- vlerëson Thaçi.

Hulumtuesi i KDI-së vlerëson se një skenar bllokimi si ky do të ishte rezultati i fundëm dhe tejet i dëmshëm për punën e Kuvendit të Kosovës.

Masat ndëshkuese të ShBA-së dhe BE ndaj Kosovës

BE-ja dhe SHBA-të vazhdimisht po kërkojnë nga Kosova dhe Serbia që të shtensionojnë situatën në veri.

Nga Kosova bashkësia ndërkombëtare po kërkon që të largohet Njësitë Speciale nga objektet e Komunës, kreytarët t’i kryjnë punët nga objekte alternative dhe të trajtohet mundësi e organizimit të zgjedhjeve të reja.

Ndërsa nga Serbia po kërkojnë të sigurojë pjesëmarrjen e serbëve nga Kosova në zgjedhjet eventuale.

Ndërkaq, kërkesa për rikthim në dialog u është përsëritur të dyja palëve.

Së fundmi, Bashkimi Evropian ka marrë disa masa ndaj Kosovës për shkak se ka konsideruar se nuk janë ndërmarrë veprime për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, hapa të cilët janë kërkuar vazhdimisht nga përfaqësuesit e BE-së.

Në një përgjigje për BIRN, një zëdhënës i BE-së thotë se është pezulluar përkohësisht puna në organet punuese në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, dhe po ashtu Kosova nuk do të ftohet në takimet të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre që kanë në fokus adresimin e tensioneve në veri.

“Kemi pezulluar përkohësisht punën e organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Kosova gjithashtu nuk do të ftohet në ngjarje të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre të fokusuara në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Programimi i fondeve për Kosovën në kuadër të ushtrimit programor IPA 2024 është vënë gjithashtu në pritje. Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (ËIBF) nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e ËBIF më 29-30 qershor”- ka thënë zëdhënësi për BIRN.

Zëdhënësi thotë se për këto masa, BE ka njoftuar institucionet e Kosovës më 28 qershor, teksa shton se masat janë plotësisht të kthyeshme në varësi të zhvillimeve dhe vendimeve të kryeministrit Albin Kurti.

Ndërkaq, përfaqësuesi special i BE-së, Mirosllav Lajçak para gazetarëve të martën tha se unioni e ka bërë të qartë se i ka sanksionet gati për shtetin serb dhe ato do të implementohen nëse vendet anëtare vendosin që Serbia nuk i bindet BE-së.

“BE-ja e ka bërë të qartë se i ka sanksionet gati për Serbinë dhe ato do të implementohen nëse vendet anëtare vendosin që Serbia nuk i bindet BE-së” – ka thënë Lajçak duke shtuar se kjo është në dorën e shteteve anëtare”- ka deklaruar Lajçak.

Ndërkaq në fund të muajit maj, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka konfirmuar zyrtarisht se Kosova është përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe 23” si masë sanksionuese pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

Ai pati deklaruar se gjithashtu, “do të ndalim githa përpjekjet për të ndihmuar Kosovën në njohje me shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe në procesin e integrimit në organizata ndërkombëtare”.

Ushtrimi fushor “Defender Europe”, është ushtrim vjetor i shkallës së gjerë që drejtohet nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë.

Kosova ishte pjesë e “Defender Europe 21” ndërsa planifikohej të ishte pjesë edhe këtë vit.