Foto: KALLXO.com

LDK bojkoton Kryesinë e Kuvendit pas sanksioneve të BE-së

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka marrë pjesë sot në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit pas masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi.

“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e Kryesisë për shkak të situatës së krijuar lidhur me sanksionet tashmë të konfirmuara nga BE-ja dhe kryeministri i Kosovës. Ne si Grup Parlamentar vlerësojmë se është e dëmshme për Kosovën dhe është e pamundur që të sillemi sikur të mos ketë ndodhur asgjë” – tha Gashi.

Gashi njoftoi se LDK nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e kryesisë as në të ardhmen, ndërsa për vendimet tjera do të merren në kryesi të partisë.

“Nuk do të ketë seanca normale dhe Kuvend normal pa u heq sanksionet ndaj Kosovës” – deklaroi ai.

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ka dështuar të mbahet sot për shkak të mungesës së kuorumit të anëtarëve të kryesisë.

Kështu ka njoftuar shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila e cila tha se në mbledhjen e mbajtur sot ka munguar nënkryetari i LDK-së, Kujtim Shala.

Kusari – Lila tha se mbetet në kompetencë të kryetarit të Kuvendit të caktohet seanca e radhës.

Bashkimi Evropian ka marrë disa masa ndaj Kosovës për shkak se ka konsideruar se nuk janë ndërmarrë veprime për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, hapa të cilët janë kërkuar vazhdimisht nga përfaqësuesit e BE-së.

Në një përgjigje për BIRN, një zëdhënës i BE-së thotë se është pezulluar përkohësisht puna në organet punuese në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, dhe po ashtu Kosova nuk do të ftohet në takimet të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre që kanë në fokus adresimin e tensioneve në veri.

BE vendos disa masa ndaj Kosovës: Kemi njoftuar edhe Qeverinë