Haradinaj: Të jetësojmë mocionin për shkarkimin e kësaj Qeverie, është interes kombëtar

Ish-kryeministri i Kosovës dhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pasi Bashkimi Evropian ka ndërmarrë disa masa ndaj Kosovës, për shkak se ka konsideruar se nuk janë ndërmarrë veprime për shtensionim të situatës në veri të Kosovës.

Haradinaj shprehet se masat e BE-së ndaj Kosovës dhe paralajmërimet e Shteteve të Bashkuara dëshmojnë se sa e rrezikshme dhe e pashpresë është gjendja në vend.

“Sanksionet e BE-së ndaj Kosovës dhe paralajmërimet e SHBA-së se Qeveria e Kosovës është në rrugë të gabuar, e dëshmojnë se sa e rrezikshme dhe e pashpresë është gjendja, e cila fatkeqësisht do të shkojë duke u përkeqësuar gjithnjë e më shumë”- ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ai ka kërkuar nga opozita por edhe nga deputetë të shumicës, që të jetësojnë mocionin për shkarkimin e kësaj Qeverie, përderisa ka shtuar se “mocioni për shkarkimin e Albin Kurtit, sot është interes kombëtar”.

“Prandaj sot është koha të veprohet dhe të bashkohen të gjithë ata që interes parësor e kanë Kosovën, qofshin në opozitë ose edhe deputetë të shumicës, e ta jetësojnë mocionin për shkarkimin e kësaj Qeverie.  Hezitimi për të vepruar në kohë të një krize kaq të thellë e me pasoja të paimagjinueshme për vendin është bashkëfajësi. Mocioni për shkarkimin e Albin Kurtit, sot është interes kombëtar”- thotë Haradinaj.

Bashkimi Evropian ka marrë disa masa për Kosovën për shkak të mos marrjes së veprimeve për shtensionim të situatës në Veri të Kosovës, hapa të cilët ishin kërkuar në fillim të qershorit nga përfaqësusi i lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Në një përgjigje për BIRN, një zëdhënës i BE-së thotë se është pezulluar përkohësisht puna në organet punuese në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, dhe po ashtu Kosova nuk do të ftohet në takimet të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre që kanë në fokus adresimin e tensioneve në veri.

“Kemi pezulluar përkohësisht punën e organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Kosova gjithashtu nuk do të ftohet në ngjarje të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre të fokusuara në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Programimi i fondeve për Kosovën në kuadër të ushtrimit programor IPA 2024 është vënë gjithashtu në pritje. Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (ËBIF) nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e ËBIF më 29-30 qershor”- ka thënë zëdhënësi për BIRN.

Zëdhënësi thotë se për këto masa, BE ka njoftuar institucionet e Kosovës më 28 qershor, teksa shton se masat janë plotësisht të kthyeshme në varësi të zhvillimeve dhe vendimeve të kryeministrit Albin Kurti.

Shtensionimi i situatës, zgjedhjet e reja dhe rikthimi në dialog janë tri pikat e përmendura nga ndërkombëtarët si kërkesa për Kosovën dhe Serbinë.

Më 26 qershor, pas takimit me ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të BE-së, përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, deklaroi se shtetet anëtare të BE-së do të marrin masa ndaj Kosovës dhe Serbisë nëse nuk shtensiohet situata.

“Shtetet anëtare janë të gatshme të marrin masa të mëtutjeshme nëse nuk shihet progres. Ata kanë thënë se nga shtetet që aspirojnë të jenë pjesë e BE-së presim sjellje evropiane. Në ditët në vijim do të vazhdojmë kontaktin me dyja palët. Por, shtetet anëtare janë të gatshme të jenë aktive e të na përkrahin në punën tonë”- ka deklaruar Borrell.

“Masat do të shohim, ato janë politike dhe financiare. Shtetet anëtare mund të konsiderojnë masat politikë për të limituar kontaktet politike, e po ashtu masat financiare, varësisht nga sjellja e tyre”- shtoi ai.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë. Për të kundërshtuar këtë, serbët kanë mbajtur protesta. Më 29 maj, nga përplasja e protestuesve me pjesëtarët e KFOR-it kanë mbetur të lënduar dhe plagosur 30 pjesëtarë të KFOR-it. Po ashtu, është raportuar për lëndimin e dhjetëra protestuesve serbë.

BE vendos disa masa ndaj Kosovës: Kemi njoftuar edhe Qeverinë